Skënderbeu thyen Luftëtarin në fund, Dita dhe Muja nderojnë korçarët

 

Skënderbeu ka mundur me rezultatin 2-0 Luftëtarin në shtëpi, në minutat e fundit duke marrë një trepikësh të artë në fushën e vet.

Skuadra korçare ka pritur deri në minutën e 92-të, ku Dita ka zhbllokuar sfidën me penallti. Krasniqi u rrëzua në zonë, Sino akordoi 11-metërsh, dhe korçarët nuk mund ta humbisnin kërë rast të artë të minutave të fundit.

Luftëtari ka luftuar gjatë gjithë lojës, por është thyer në fund në një ndeshje që dukej se do të mbyllej në barazim.

Kështu Skënderbeu me këtë fitore shkon në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Luftëtari mbetet në vendin e nëntë me vetëm 5 pikë.

Skënderbeu-Luftëtari 2-0
(Dita 90+2′, Muja 90+4′)

KOMENTI MINUTË PAS MINUTE:

FORMACIONET

SKËNDERBEU: Koliçi, Vangjeli, Meksi, Dita, Pëllumbi, Muzaka, Daja, Ndeki, Bregu, Gripshi, Krasniqi. Trajner: Ilir Daja.

LUFTËTARI: Qyrani, Dushkaj, Lala, Demo, Orikas, Açka, Rapo, Renja, Hyseni, Vient, Oshafi. Trajner: Jorgos Marantas.

1′ Starton sfida

2′ Karton i parë i verdhë i ndeshjes, Demo ndëshkohet pas faullit te Krasniqi.

10′ Një ritëm shumë i lartë vërehet në minutat e para, por saktësia para portës nuk ka qenë e madhe nga të dy ekipet.

11′ Krasniqi godet bukur dhe fortë, por topi përfundon mbi traun e portës së gjirokastritëve.

12′ Muzaka bllokohet nga mbrojtësit kundërshtarë, lojtarët e Luftëtarit tentojnë kundërsulmin, por nuk janë të saktë.

22′ Bie ritmi i ndeshjes në Korçë, skuadrat janë më të vëmendshme duke bllokuar hapësirat

25′ Ndërhyrje shumë e saktë nga Vangjeli duke bllokuar një dalje të rrezikshme të Luftëtarit.

27′ Bregu kroson në zonë, Ndeki kërcen mbi të gjithë, godet me kokë, por mbi traun e portës së gjirokastritëve.

29′ Renja ka një shans të artë godet, por anësori çdon flamurin dhe ndalon gjithçka. Rasti më i pastër i ndeshjes edhe pse i pavlefshëm.

32′ Rast i mirë për Luftëtarin me Vient, i cili brenda zonë godet, por ishte shumë i pasaktë duke e çuar topin jashtë kuadratit të Koliçit.

36′ Kosta Vangjeli ndëshkohet me të verdhë, i pari për korçarët që merr karton.

45′ Mbyllet pjesa e parë.

46′ Starton pjesa e dytë.

49′ Rast i artë për Bregun, Krasniqi kthen një top në zonë, vlonjati gjuan i vetë brenda zonës, por mbi traun e portës.

56′ Ndalet për disa momente loja në Korçë, shkak bëhet një dëmtim i Gjergji Muzakës. Ai del nga fusha me barrelë, vendin e tij do ta zërë Oto Xhon.

61′ Gabime jo të pakta në mesfushë nga të dyja skuadrat.

62′ Pëllumbi kroson nga e majta, por Qyrani i vëmendshëm grushton duke larguar topin nga zona.

63′ Skënderbeu tenton kryesisht me krosime, ku një ndër to ishte dhe i Bregut në shtyllë të dytë. Oto Xhon e kthen me kokë, por pa u bërë i rrezikshëm

64′ Realdo Fili futet në fushë, Oshafi i lë vendin.

66′ Fili bëhet i rrezikshëm brenda zone, Koliçi “nuhat” rrezikun dhe zotëron sferën në duart e tij.

68′ Oto Xhon me shumë energji shkakton faull në sulm mbi Lalën.

72′ Kombinime të pasakta nga ana e Skënderbeut edhe pse korçarët kanë më së shumti zotërimin e topit.

74′ Gripshi kroson në zonë, Qyrani grushton topin, por i dëmtuar mbetet Dita.

75′ Gjyqtari Sino akordon faull për një ndërhyrje të parregullt. Bregu e ekzekuton, por topi largohet nga lojtarët e Luftëtarit në këndore.

78′ Ndeki ndëshkohet me të verdhë.

79′ Fili provon jashtë zone, por asnjë shqetësim për Koliçin që sheh topin jashtë kuadratit.

80′ Daja del nga fusha e lojës. vendin e tij e zë Shqipërim Taipi. Ilir Daja i kryen të gjitha zëvendësimet.

84′ Tentativë krejtësisht e gabuar nga Krasniqi, që gjuan por topi shkon mbi katërkëndësh.

86′ Marantas kryen zëvendësimin e fundit. Del nga Fusha Renja dhe futet Isufi.

90+2′ GOOLL Krasniqi pengohet fiton penallti. Dita e ekzekuton dhe kalon Skënderbeun në avantazh.

90+ 4 ‘ Gool Arbnor Muja

“Na mungoi iniciativa në sulm”, Ilir Daja: Jemi në krye, por me këmbë në tokë. Mungesat i japin mundësi…

 

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, u duk i kënaqur nga fitorja e ekipit të tij 2-0 ndaj Luftëtarit.

Në mikrofonin e “Supersport” pas ndeshjes, Daja u shpreh se mungesat ndikuan në formacion, por nga ana tjetër kjo fitore i jep qetësi për të punuar mbi defektet e korçarëve në vijim.

I kënaqur me Skënderbeun sot?

Ndihej rezultati negativ i Vllaznisë. Lojtarët sot nuk ishin të qartë. Kishim një mbrojtje të kompozuar, spostuam edhe Ditën edhe Meksin në qendër. Hodhëm në fushë dy lojtarë që kanë prezantimin e parë, Vangjelin 19-vjeç, dhe Ndeki. Të dy edhe pse ishte ndeshja e parë, ishin rezultativë në pozicionet e tyre. Kemi shumë punë për të bërë, por kjo fitore na jep qetësi që të punojmë 2 javë para nesh. Qarkullimin e thjeshtë të topit edhe në sulm, duhet ta rikuperojmë. Stafi mjekësor më tha që dëmtimi i Muzakës është i rëndë, për 1 muaj apo më shumë nuk mund ta kemi. Kemi disa të rinj që duhet të përshtaten, qoftë me fanellën, qoftë me Skënderbeun.

Daljet në sulm…

Përdorëm të gjithë potencialin që kishim në dispozicion. Gripshi ishte në një pozicion të ri. Rezultoi pozitiv, sepse i dha thellësi lojës në të majtë. Kemi kohën e duhur që të rregullojmë gjërat që këto 7 javë nuk kanë qenë pozitive.

E dini që jeni në vend të parë për momentin?

E kam thënë që jemi një Skënderbe në ndërtim e sipër. Problemet që kemi pasur, ngjitjen duhet ta shohim nga poshtë lart. Të jemi me këmbë në tokë, sepse është vetëm fillimi i kampionatit. Nuk ka ndeshje të lehta, dhe diferenca të mëdha. Në çdo takim, mund të fitosh e të humbësh.

Goditjen e parë e bëtë në minutën e 93-të..

Edhe goditjet në portë janë statistikë që duhen vlerësuar. Ajo që do thosha, është se pozicionimi prapa i Luftëtarit dhe në ekuilibër, nuk të linin hapësira. Edhe mungesë iniciative e lojtarëve tanë. Gripshi dhe Muzaka në një sektor rreth 25 metra, nuk goditën portën. Ndonjëherë fitohet edhe kështu, se sa të barazosh duke goditur shumë herë portën.

E vështirëson punën tuaj mungesat e shumta?

Sigurisht që po. Mungesat bëjnë atë që nuk ke alternativa për të zgjedhur. Me emra si Muzaka dhe të tjerë me eksperiencë, do i japim hapësirë dhe të rinjve çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat: Shet votën, vjedh, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar

 

Nga Edison Ypi

Ti ha, pi, vishesh, mbathesh, zbavitesh. Por nuk je i qetë. Nuk ndjehesh i lumtur. Ke ankesa. Nuk të rreh mirë zemra. Nuk të mbushet mushkëria. Nuk e shijon dhe nuk e tret si duhet ushqimin. Mirë të bëhet. Do vuash derisa të vdesësh. Sepse ti nuk lexon.

Vendi yt ka vuajtur diktaturën më kriminale të historisë së botës. Prej një çerek shekulli vendi yt është vend i lirë. Ti që nuk lexon këtë dallim nuk e bën.
Ti pi kafe, sodit njerëzinë, habitesh dhe mërzitesh pse nuk janë të gjithë si ty, dhe kafja të duket zeherr. Zeherr e helm do të bëhet kafja sepse ti, ngaqë nuk lexon, nuk mund ta kuptosh madhështinë e laryshisë së karaktereve njerëzorë. Ndërsa pretendimi yt që edhe të tjerët të jenë si ty, domethënë që askush të mos lexojë, do ishte fundi i botës.

Ti del ndonjëherë në rrethinat e qytetit ku sheh shtëpi të reja, vila, oborre të bukura, jo rrallë edhe me basene të kaltra. Sa herë që kjo ndodh, ti nis e bërtet; “Janë bërë me pare droge”. Ore, të thotë ndonjëri, eja në vete, kanë punuar në kurbet duke ngritur llaç e beton në katin e shtatë e të tetë. Kanë bërë punën e vinçave dhe buldozerave. Nuk i kanë ndërtuar në 1 ditë por tullë pas tulle me një mijë mundime për vite të tëra. Shtëpitë e reja në Shqipëri janë me qindra mijëra. Kaq drogaxhinj nuk ka gjithë bota. E kotë. S’ka spjegim që të bind ty që nuk lexon, dhe duke mos lexuar, nuk kupton.

Je vërdallosur ca kohë “jashtë shtetit”. U thua miqve, italiani është kështu, gjermani ashtu, greku i tillë, turku i atillë, dhe të gjithëve u vë nga një nofkë. Përcaktimet që nuk guxon t’i bëjë asnjë dijetar dhe asnjë enciklopedi, guxon t’i japësh ti shtaza që nuk lexon.
Duke kaluar përmes bukurive të natyrës, pyjeve, grykave të maleve, rrjedhave të lumenjve, sheh aty-këtu ura të vjetra, mure të rrënuar kështjellash të lashta, fytyra banorësh lokalë. Ti nuk bën asnjë dallim mes pamjeve të tilla që i sheh të gjalla, dhe të njëjtave pamje në televizor. Ky tmerr nuk të ndodh për asnjë arësye tjetër veç asaj se ti nuk lexon.

Ti i jep ryshfet nëpunësit, mjekut, dhe pastaj i përgojon. Ti vepron kështu sepse ti nuk lexon.
Ti nuk mban ment përmendësh monologun e Hamletit, ndonjërën nga Introduktat e Nolit, Mall-in e Lasgushit, Letrën e Tatjanës Onieginit, por përsërit batuta të pështira soc-filmash të neveritshëm. Ti nuk lexon, prandaj.
Ti thua se diktatori bëri krime por bëri edhe disa gjëra të mira. Gjëja më e mirë që bëri diktatori, është gjëja më e keqe që ekziston, ti që nuk lexon.

Ti voton, dhe të nesërmen e votimit ankohesh ndaj atij që ja dhe votën. Kjo ndodh sepse ti nuk lexon.
Brendinë e librave ti e përfytyron si muhabet; Trokiti një natë dimri, hyri, u ul pranë vatrës, u ngroh mbi mangall, u krruajt, u inatos, bërtiti, përplasi derën, doli. Shumica e librave janë vërtet të tillë. Por ti nuk e di se aq pak libra të mirë sa ka, janë pakrahasimisht më të vlefshëm se këta me mangall, prush, krruajtje, nevrikosje, përplasje, sepse ti nuk lexon.
Ti nuk ke sukses me femrat. Dhe nis i shan e i mallkon kot së koti ato të shkretat. Femrat, kështjellat e tyre misterioze, nazet e tyre, icklat e tyre, mposhten me komplimenta. Ti komplimenta s’di të bësh, sepse ti nuk lexon.

Ti nxjerr në Fejsbuk foto me të ngrëna përpara. Është më turp se të dalësh lakuriq tek Sheshi Skënderbej. Edhe këtë ti e bën sepse nuk lexon.
Sheh ndonjëherë në televizor njerëz që recitojnë Poezi, flasin për libra. Habitesh, dhe thua me vete; Ç’u duhet këtyre fatkeqëve leximi ? Ndërkohë, fatkatrani dhe fatpjerdhuri je ti që nuk lexon.
Ti që nuk lexon je nxitësi më i madh i autorëve të këqinj, grafomanëve budallenj delirantë që presin të lëvdohen nga lexues inekzistentë si ty.

Ti që nuk lexon je dekurajuesi më i madh i atyre që dinë të shkruajnë por i ka gjetur belaja me ty që nuk lexon.
Ti që nuk lexon i bën të gjitha të zezat; Shet votën, vjedh, spiunon, thashethemnon, intrigon, nuk punon, bëhesh bandit, kriminel, i korruptuar, mafjoz.
Përvojat e njerzimit, Shkencat, Artet, të mirat, të këqiat, të ëmblat, të hidhurat, janë të gjitha nëpër libra, që ti nuk i lexon.
Ti që nuk lexon je lënda e parë e të gjitha të këqiave; politikës së keqe, qeverisjes së keqe, letërsisë së keqe, medias së keqe.
Ti që nuk lexon je katastrofa e vetes dhe fatkeqësia e të tjerëve.
Ti që nuk lexon, je një lëvere që nuk i duhesh as dreqit.

Boshllëkun e leximeve të munguara nuk e mbush dot materia e krejt Universit.

Rrofsh e qofsh e qafsh, ti që nuk e di çfarë janë; shiu i gërmave, flladet e paragrafeve, stuhitë e kapitujve, zjarri i vargjeve, inkandeshenca e Poezive, simfonitë e Poemave, tërmetet e novelave, cunamet e romaneve.