3 poezi të pabotuara të Dritëro Agollit

 

Poezi të tjera të zgjedhura nga krijimtaria e shkrimtarit në vite. Botohen në shenjë kujtimi, respekti dhe nderimi me rastin e 2-vjetorit të largimit nga jeta.

Dy poezi të vitit 1988; jo shumë i largët si vit; në prag të këmbimit të sistemeve. Këto dy poezi janë mesa duket të fshehura e të pabotuara. Janë vitet e kritikës së tregimeve Nipi Plangprishës apo Martesa e papritur e Pasho Velçanit (1986).

Lutje natyrës

Natyrë,
Ftomë në gjirin tënd ngaherë,
Merrmë e prishmë prehje e paqe,
Thirrmë në vapë e në shi, në zheg e në erë,
Se s’dua të ble farmacive ilaçe.

Natyrë ,
Hiqmë nga farmacitë një orë e më parë ,
Ndamë nga diagnozat e shtira,
Që na caktojnë ca njerëz të marrë
Me frymë të ndotura dhe të pështira…

Natyrë,
Këto farmaci janë të shpikura në jetë,
Ato në vend të ilaçeve kanë fjalime të paketuara,
Që i pimë për t’u bërë të qetë
Ndaj halleve të trazuara…

Natyrë,

Të lutem, më bëj një të mirë,
Më hiq nga kjo botë, farmaci e pështirë!…

1988

***

Të lindet fëmija


Të lindet fëmija, pa emrin ia gjejmë brenda një dite!
Po prapë kjo s’është një punë aq e lehtë,
Se emrin njeriut ia vemë ta mbajë me vite,
Se emrin njeriut s’ia ndërrojmë si shkronjēn në letër.

Për nënën emri ka pak rëndësi në çastet e dhimbjes,
Madje dhe mendja tek emri s’i vete,
Mbi nënën ngrihet flaka e lindjes,
Dhe flaka e merr me vete.

Po prapë emri s’është një punë aq e lehtë,
Se vjen pas një flake që del nga zemra dhe hyn në zemër,
Ndaj nëna kërkon që fëmija në jetë
Emër të ketë dhe të bëhet me emër …

1988

 

Mblidhen harabelët”,e 135-a në radhë , mes të shumtave poezi të viteve ‘80 , dorëshkruar në një fletore shkrimi me logon Rilindja-Prishtinë.

Vajza e shkrimtarit mendon se nuk është botuar asnjëherë, “mbetet për ta verifikuar gjithsesi”, pohon Elona Agolli .

Mblidhen harabelët
Mblidhen harabelët vetëm me një cicërimë,
Mblidhen tufë e çepkasin grimëza e fletë,
Pastaj të gjithë largohen e krahët në gjeth fërfërijnë
E çukasin me sqepat e mprehtë.

Si mblidhen harabelët e vegjël pa ftesa?!
Si shkojnë secili pa urdhër në punët e tyre
Dhe s’duan as lajmërime , as shkresa,
Dhe s’kanë nevojë për shefa e përgjegjësa zyre?

Ne, njerëzit , bëjmë mijëra shkresa me vula
Me mijëra firma me shkronja si vemje,
Me mijëra zarfa me numëra e pulla
Dhe prapë mezi na shtyjnë këmbët në mbledhje.

Çudi! harabelët bëjnë në shesh miting menjëherë
Pa shkresa , vetëm me një cicërimë
Dhe janë në mbledhje plot shend e verë,
Ndërsa ne , njerëzit , mërzitur mbledhjeve rrimë.Na ishte dikur.

1985

 

 

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

 

Shkrimtari, publicisti, dhe anëtari i Akademise së Shkencave te Shqipërisë, Dritëro Agolli ka lindur në Menkulas të Devollit.

Me veprimtarinë e tij, Agolli konsiderohet ikonë e letrave shqiptare, duke sjellë risi në Letërsinë shqipe. Shkrimtari ka vdekur më 3 shkurt të vitit 2017 në Tiranë. Më poshtë janë disa nga thëniet më të mira të Agollit.

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.
“U zumë të dy aq shumë për punën Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”. 
“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”. 
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”. 
“E vërtetë e pabesueshme E mbajta në krah tërë ditën Edhe zemër i dhashë: ‘Mbahu!’ Të nesërmen ne fshat kur arritëm, U tha te tjerëve: ‘Më rrahu!’” 
“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”.