Duke kënduar Himnin e Flamurit ,gjesti rënqethës i studentëve në Tetovë :Lutu për Shqipërinë

 

Pas tre ditësh nga tërmeti tragjik që u mori jetën 50 njerëzve dhe ka lënë të plagosur mbi 650 të të tjerë, shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë janë solidarizuar me të prekurit.

Nxënësit e SH.M të Mjekësisë – Tetovë shpalosin FLAMURIN GJIGANT, “LUTU PËR SHQIPËRINË”!

Dita e Flamurit të gjeti të lëkundur mirëpo jo të mposhtur, e jona Shqipëri! Na bashkoi të gjithë shqipëtarëve anë e mbanë ngaqë dhimbja yte është edhe dhimbja jonë.Në këtë ditë të errët Nëntori, mes dhimbjesh e lutjesh, ne nxënësit e shkollës së mesme Medicinale bashkëndjejmë dhimbjen me ty!

Mbahu Shqipëri, mbahu, se nuk thyhesh dot Ti!

Lutu për Shqipërinë, ndërsa në pah binte një flamur gjigand kuq e zi që në fund studentët e puthin atë !

Foto nga Shqipëria që u bë lajm në mediat botërore

 

Pikërisht një foto e Reuters, agjencisë britanike të lajmeve, është bërë virale në rrjetet sociale e mediat e huaja.Ajo tregon një punonjës të ekipeve të shpëtimit teksa ngre flamurin shqiptar mbi rrënojat e një godine në Durrës pikërisht me 28 Nëntor 2019, që është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kjo është bërë foto hit në botë nga të gjitha agjencitë e lajmeve dhe disa media kryesore.

 

Flamuri qe u ngrit ne Vlorë është punuar prej dorës së një korcareje që shkriu jetë e pasuri për lirinë e atdheut

 

Flamuri që u ngrit në Vlorë është punuar prej dorës së një Korcareje që shkriu jetë e pasuri për lirine e Atdheut .Marigo Pozio vdiq e vetmuar në Tiranë, pasi kishte humbur fëmijët dhe bashkëshortin nga turbekulozi.

Risjellim në këtë ditë një shkrim të antropologut Jakov Milaj

(1911-1997) të botuar në revistën “Përjekja Shqiptare” e Branko Merxhanit. Shkrimi është publikuar në numrin 13 të janarit 1938 të kësaj reviste, vetëm pak kohë pasi ishte shënuar 25 vjetori i Pavarësisë Kombëtare.

Zonja Marigo korcare dhe Flamuri Kombëtar

Nga Jakov Milaj

E ëma e një shoku t’im ruan me kujdes, në fund të arkës së teshave një flamur të vogël në trajtë trekëndshi me dimensionet 70 X 40 cm. Eshtë i kuq si flaka, me thekë të mëndafshtë rreth e rrotull, me një shqipe të bukur nga pjesa e gjerë, e me një fytyrë…., të qëndisur me dorë në zemër të shqipes. Nga pjesa e ngushtë e trekëndëshit shkruhet me germa ari: Rroftë Shqipëria.

Si ky flamur ka me qindra nëpër familjet vlonjate. I ka punuar Zonja Marigo. Kush e ka e ruan si sytë e ballit. E mbante, dikur, të fshehur në ndonjë cep që s’i binte në sy gjindarmit fesë-kuq; më pas, të ekspozuar në krye të odës së miqve; tashi që ka nisur të vjetërohet, e ka palosur, e ka mbledhur mirë dhe e ruan si ujët e pakët që mos të shkyhet.Eshte pema e një epoke entuziazmi, puna a një farkëtareje të idesë kombëtare.

Një herë e një kohë, ka pasur një zonjë që të gjithë ditën e kalonte duke qëndisur flamuj, të gjithë natën duke pritur e përcjellë nacionalistët që në shtëpinë e saj, bënin mbledhje për të shkëmbyer mendime e për të marrë vendime rreth luftës për Atdhe. Ata që kanë hyrë e dalë në një shtëpi të vogël, dera e madhe e së cilës hapet në rrugën që sot mban emrin “Justin Godart”, m’a kanë përshkruar në këtë mënyrë Korcaren Marigo Pozio: ishte një grua hollake, me gjatësi mesatare, e me një fytyrë të ëmbël, nën rrudhat e së cilës fshiheshin tiparet e një gruaje që kishte qenë e bukur në të ri të saj. Ishte gojëmbël e buzëgaz.

Marigo Pozio

E zonja në fjalë sa ia kthente mendjen edhe burrit më të peshuar, trimëreshë në vepra sa nuk i trembej syri as prej bajonetave turke. Ishte mjaft e gjallë dhe, për në kohët e saj, kishte një kulturë të mirë të shoqëruar nga një gjykim i fortë. Dinte shume gjëra: njihte, sidomos, mirë përpjekjet e shqiptarëve për liri; kishte lexuar të gjithë poetët e Rilindjes sonë Kombëtare, shumicën e vargjeve të të cilëve e dinte përmendësh.

Kam përpara sysh shumë fotografi të saj: diku ajo duket e zymtë a e menduar, diku ka një qeshje ironike në buzë, diku spikat shenja e gëzimit. Këto kuadro përbëjnë, në mënyrën e tyre, termometrin e veprës nacionaliste: herë ngrihet pse punët shkojnë mbarë, herë ulet pse dalin pengesa, paraqiten rreziqe, bëhen gabime. Por kurdoherë, në thellësin e syve që lëshojnë xixa gjallërije, fshihet një farë gëzimi, gëzimi që ajo pret: është e sigurt se Shqipëria do të dalë më vehte e do të shkojë përpara. Shumë vjet më pas, gazeta e saj “Shpresa Kombëtare” do të botojë një poezi të hartuar në kohën e robërisë:

Do vinjë prapë, do vinjë

Do vinjë vera, behari;

Bima, lule ta mbinja,

Të marrë shpirt Shqipëtari.

Retë e zeza do përdahen,

Do shkojnë koha e ftohtë,

Lotët në vite do thahen,

Se do vinj diell i ngrohtë.

(Shpresa Kombëtare: Viti 1, Nr. 6 — 25 Maj 1921)

++++

Ibrahim Shyti, arkivisti fanatik i impulsit nacionalist vlonjat, përvec kujtimeve që mban në tru, ruan edhe shumë dokumenta të vlefshëm, letra të shkëmbyera e gazeta të vjetra që kanë të bëjnë me Rilindjen tonë Kombëtare. Shumë ndër këto flasin për Zonjën Marigo Pozio.

Ka njerëz që mbajnë mend se kjo zonjë, që në vitin 1904, do me thënë përpara shpalljes së Hyrietit, interesohej psr ceshtjen shqiptare, predikonte idenë e shqiptarizmës nëpër gra e nëpër burra, merte pjesë nëpër mbledhjet e ndryshme të nacionalistëve. Ndërsa i shoqi, Jovan Pozio, një burrë i mirë e i dukshëm, e kalonte ditën në dyqanin e tij të madh, Zonja Marigo, në shtëpi, qëndiste, shkruante artikuj për gazetat, shkëmbente letra me miqtë e shumtë atdhetarë të shpërndarë në të gjithë botën, e u fliste grave të Vlorës për një Shqipëri të lirë, diskutonte me burrat për ngjarjet e ditës, për propagandën që duhej filluar, për luftën që duhej nisur.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Zonja Marigo nuk rresht së punuari për cështjen kombëtare. Eshtë bashkëpuntore e Ismail Qemalit, të cilit, më 28 Nëntor 1912, i jep flamurin që do të shohë për të parën herë dritën e diellit të shkëlqyer shqiptar. Dera e oborrit të saj tashi i hap të dyja kanatat për të pritur e përcjellë nacionalistët. Oda e miqve bëhet qendra më kryesore ku rrihen problemet e koklavitura të ditës; është salloni ku autorët e Shqipërisë së porsalindur lexojnë me zë të lartë, ashtu sic bënin poetët frëngj të shekullit të 18, veprën e tyre ndërtonjëse të shkruar sido kudo.

Në këtë kohë ajo kthen sytë në një fushë tjetër të palëruar të cilën e kishte në kujdes për vite me radhë: në rrethin e grave. Nis, më parë, këshillat, propagandën. Iu flet zonjave të cilësdo klasë: të bejlerëve, të tregtarëve, shërbetorëve të tyre, grave të pasura e të varfëra.

Më vonë propozon mbledhjen e një kongresi të gruas Shqiptare dhe ia arrin qëllimit. Në krye të vitit 1914, themelohet shoqërija “Shpresa Kombëtare” (“Populli”, Viti 1, Nr, 3 — 18 Prill 1914), në të cilën ajo, më e ditura grua e qytetit, zgjidhet sekretare.

Viti 1914 ka qenë një nga vitet më të përzierë në jetën tonë kombëtare. Princi gjerman von Wied, që u dërgua për të mbretëruar, e gjeti vendin tonë në lufte me tanët e me të huajt. Shqipërisë i ishin njohur kufijte që më 1913 prej Konferencës së Londrës, por shtetet fqinjë nuk e pranonim vendimin e Fuqive të Mëdha. Grekët kishin dale në prefekturat e Korcës e të Gjirokastrës dhe, me gjithë kundërshtimin e dëshpëruar shqiptar, kishin mundur të ecin përpara. Shumë familje, për të shpëtuar nga ndjekjet e tyre, kishin lënë plënk e shtëpi dhe kishin ardhur në Vlorë. Nën ullishtat, nëpër shtëpira të rrëzuara e dyqane të vjetër ishin mbledhur mijëra muhaxhirë.

Një gjendje e tille, që as burrat s’po i bënin dot ballë, me gjithë se po përdornin armët dhe po derdhnin të gjitha fuqitë e tyre të varfëra në diplomaci, e vinte në pozitë të vështirë veprën e Zonjes Marigo. Ajo duhej të mbante gjallë entusiazmin ndër shoqe dhe të bënte dicka të dobishme për Atdhen e mjeruar.

Për të ngrohur zemrat e vlonjatëve u paraqit një rast i mirë: mbreti Ëilhelm i Parë, një muaj mbasi arriti në Shqipëri, i mallëngjyer prej mjerimit të muhaxhirëve të ndjekur prej Grekëve, deshi të vizitojë Vlorën. Zonja Marigo do t’i përgatiste një pritje madhështore nga ana e organizatës femërore të porsakrijuar.

Mustafa Quill, gazetari dëshmor, e përshkruan për bukuri, në një reportazh të gjatë, këtë pritje.

“Skela e Vlorës ishte mbushur me njerëz. Ismail Qemali, prefekti, kryekatundari, oficerët organizatorë t’ardhur prej Hollande, e konsujt e Austrise e të Italisë kishin zënë vendin qendror. Pranë tyre vinte grupi i madh i grave, të veshura me petkat më të bukura, nëpër mëngët e nëpër kraharorët e të cilave ishin qepur kordela të kuqe e të zeza. Porsa u duk, në horizontin e hapët jahti mbretëror, një mori barkash të vogla, mbushur me popull të thjeshtë e me përfaqësonjës, shkuan drejt tij. Kur jahti u ndal nja njëqind metra larg toke, vetëm një barkë e vogël u drejtua kah shkallët dhe disa gra u ngjitën në të. Mbreti e Mbretëresha pranuan përpara të gjithëve, përfaqësinë e shoqërisë “Shpresa Kombëtare”. Zonja Marigo, kryetarja e këtij grupi, e mallëngjyer pse po shihte të vërtetuar ëndrrën e saj të sa e sa vjetëve, me lot ndër sy i dorëzoi Mbretëreshës një tufë të madhe lulesh të zgjedhura.

Mbretëresha e puthi në ballë. Në tokë Sovranët u pritën me brohoritje të papërshkruarshme. Jani Minga mbajti një fjalim të mallëngjyeshëm. Kur karroca mbretërore po nisej për në qytet, populli zbërtheu kuajt prej saj dhe e tërhoqi vetë Mbretin gjer sa e coi në banesën që i ishte caktuar”. (“Popull”, Viti 1, Nr 3, 18 Prill 1914).

Kjo vizitë mjaftoi për t’u ngjallur entusiazmin grave të Vlorës. Zonja Marigo, e pagëzuar me një puthje mbretërore në ballë, fitoi fuqi të reja për të vazhduar misionin që i kishte ngarkuar vetvehtes. Vepra më e mirë për kohën kur një mori njerëzish, të plagosur në luftë e të sëmurë, janë duke vdekur urije e së ftohti nëpër ullinjt e Vlorës, ishte ndihma për muhaxhirët.

Edhe përpara se të vinin në Vlorë Sovranët, ajo kishte mundur të mbledhë dicka: 3804 groshë. Mbretëresha Sofije, për të përkrahur këtë inisiativë, i dhuron Zonjës së Syrja Bej Vlores — kryetare a shoqërisë — edhe 3000 franga ari bashkë me disa topa basme e pëlhure. (Mbreti, mbasi vizitoi të gjithë muhaxhirët me radhë, nëpër banesat a tyre të shkreta iu fali atyre 1000 napolona).

Nis, atëherë, fushata e ndihmave më me nxehtësi. Zonja Marigo, bashkë me dy a tri gra të tjera, shkon shtëpi më shtëpi, trokiti derë më derë për të kërkuar lëmoshë. S’le grua pa kapur. Te dyert e pacelura pret nga një gjysëm ore e nga një orë më këmbe, gjer sa ato cilen. Gjithkush kontribuon me dicka. Dikush jep dhjetëshin për muhaxhirët, dikush kacidhen.

E me dhjetëshe e me kacidhe mblidhet një shumë e madhe: 21.813 groshe. (Në këtë shumë nuk hyn ndihma e Mbretëreshëes, por vetëm ndihmat e vogla bashkë me të ardhurat e llotarisë që u hodh për një qostek të falur nga Zonjëza Bukroshe Qazim Kokoshi)

Lista e ndihmëtarëve, edhe e atyreve që për mungesë groshi, kishin dhënë vetëm nga njëzet e nga tridhjetë para, botohet në fletoren “Populli”. (Populli, Viti I, Nr. 11, 20 Qershor 1914).

Eshtë lista e vuajtjeve të kësaj zonje nacionaliste: qindra emra, do të thotë qindra dyer të trokitura, qindra shtëpi të vizituara; punë që kërkon djersë, sidomos kur kryhet ndër ditët e fundme të majit. Gratë e Vlorës mendonin që fushata e tyre të përhapej në të gjithë Shqipërinë e nëpër kolonitë shqiptare; e prandaj kishin dërguar një tok letrash, të thjeshta e të porositura, nëpër të katër anët e botës. Në gazetën “Populli” pas listës së ndihmëtarëve, shënohet lista e letrave të dërguara, e më në fund, Zonja Marigo përshkruan llogarinë se si u shpenzuan të hollat e mbledhura. Po e botoj tekstualisht këtë pjesë:

Shuma e të hollave grosh 20.801

Nga qosteku qe dhuroi vajza e Z. Qazim Kokoehit 1.012

Gjithsej 21.813

Ndihmat që u dhanë prej Zotërinjve të Vlorës:

10 qese misër i dhuroi Nëna e Qazim Kokoshit.

Të holla 15.000

Për 10 shtresa dhe 10 krenka (jastikë) 70 kut nga 2.20 gr 175

U dërguan në Kaninë për të prishurat e krahinës së Delvinës:

Basma 129 kut nga 1.30 grosh 225

Basma 79 kut nga 1.23 105

Mashemir 54 kut nga 2.20 135

Humai topa 4 nga 0.455 180

Për kalin që shpuri plackët në Kaninë 20

Harxhet e shtypit 300

Për letra 29.50

Prej shumës së të hollavet 21.813 grosh u harxhuan 16,169.50

Kusuri 5.643.50 gr. do t’i paraqitet këto ditë bashkë me statutin M. së sajë Mbretëreshës, dhe si të kqyret nga M. S. Mbretëresha, do të formohet Shoqëria e rregullshme dhe pastaj tu lutemi bashkatdhetarëve tona që dëshirojnë përparimin e Atdheut të marin pjesë në këtë shoqëri.

Gjithë zonjave e zotërinjve që patën mirësinë e na ndihmuan u falemi fort nderit. Zonjave Shqipëtarka brenda e jashtë Shqipërisë që u cuam letra pas listës që po botojmë, u lutemi fort të na përkrahin me ndihmat e tyre. Zonjat e Vlorës që s’na ndihmuan si Z-za K. G. dhe Za N. E. që u fshehën dhe Z. Dr. P. (të gjithë inicialet përfaqësojnë emra që janë shkruar të plotë në original) që si na mbajti një orë ne porta, mezi na hodhi 20 gr., u themi që meqë neve nuk u suallëm si dinkardashët e tyre Grekët, që kur vinin kërkonin nëpër Shqiptarët e viseve që kishin shkelur e u thoshin jepni 4-5 napolona; dhe ato të ngratat Shqiptarka që kishin burrat në kurbet, dhe s’u ndodheshin të holla, i shtrëngonin të shisnin bakëret, ose bagëtinë dhe jo vetëm këtë punë, po shumë herë (dhe përse, që t’u vrasin vëllezërit dhe t’u djegin mallë), pra pse me fisnikëri u kërkonim të na ndihnin sa të duan, na u fshehën e s’na dhanë?

Por kohët e veprimit kaluan shpejt e shpejt. Rebelët e Shqipërisë së Mesme e dëbuan Mbretin Wilhelm i Parë prej vendit tonë, mbasi i vranë trimat më të mirë. Po n’atë kohë plasi Lufta e Madhe dhe Shqipëria u shkel prej Fuqive të Huaja. Shoqërija e “Shpresa Kombëtare” u shpërnda pa e parë të aprovuar statutin e saj nga ana e Mbretëreshës Sofije që do të ishte kryetare nderi. Zonja Marigo hyn prapë në shtëpinë e saj të vogël për të pritur e përcjellë miqt e vjetër nacionalistë. Fatbardhësisht kjo periudhë turbullimi nuk i kalon të pes a gjashtë vjetët. Luftrat e 1920-ës i nxjerin jashtë Shqipërije fuqitë e huaja; Kongresi i Lushnjës riorganizon shtetin e lirë shqiptar.

Zonja Marigo, porsa e sheh Shqipërinë të lirë e sovrane, mendon menjëherë komitetin e grave vlonjate që, gjashtë vjetë më parë, ishte shpërndarë pa u formuar mirë. Shoqërija “Shpresa Kombëtare, u formua më 21 Janar 1921 (Mbrojtja Kombëtare Viti 1, Nr. 16, 23 Janar 1921) dhe menjëherë mori një vendim të madh: të botojë një gazetë që do të ketë për mision zbvillimin e femrës shqiptare. Zonja Marigo J. Pozio caktohet drejtoreshë e përgjigjshme.

Kam lexuar vetëm një numër të kësaj fletoreje të botuar mbi letër ngjyrë trandafili; në krye titulli “Shpresa Kombetare” formon një gjarpër në trajtën e gërmes “S” të shtritur. Nën të vijnë artikujt, të ndarë në tri shtylla, përmbajtja e të cilëve, po të merret parasyshë koha në të cilën janë botuar dhe niveli kultural i femrës shqiptare të vitit 1921 që kishte kryer shumë shumë, vetëm një shkollë fillore propagande në gjuhë të huaj, është mjaft e mirë.

Shifet qartë se Zonja Marigo ka pasur dhe një kulturë që e bënte superiore ndërmjet shoqeve, edhe një farë shije në gazetari. Fletorja “Shpresa Kombëtare” vazhdoi botimin vetëm për pak muaj. Kur entuziami që kishte grumbulluar të gjithë gratë e Vlorës rreth Zonjës Marigo u shua, shoqërija u shpërnda dhe fletorja u mbyll. Zonja Marigo tashmë ishte mplakur dhe nuk mund të punonte më me vrullin e dikurshëm. Përvec pleqërisë, sëmundjet e mjerimet familjare nuk e linin të qetë. Dy vajza dhe biri i vetëm i vdiqën nga tuberkulozi.

Jovani, i shoqi zemërbardhë, që për disa vjetë me radhë mundohej të përkrahte veprimtarinë e saj dhe të ndihmojë cështjen kombëtare, vdiq po prej kësaj sëmundjeje. Më në fund, bacilet e Koch-ut nisën të brejnë edhe mëlcinë e Zonjës Marigo. E varfër sa s’bëhet, s’kishte asnjë mjet për t’u mjekuar. Me kohë humbi edhe dritën e syve dhe, pesë a gjashtë vjet më parë, vdiq në Tiranë në një gjendje të vuajtëshme. Për varrimin e saj u përkujdes i kunati,

Kristo Floqi.

+++++++++

Ky është fundi i tmerrshëm i një idealisteje të madhe. Zonja Marigo Pozio të gjithë jetën e pasurinë ia kushtoi cështjes Kombëtare. Por me gjithë këtë, emri i saj do të harrohej krejt, sikur ndonjë polemikë gazetash ose ndonjë shënim i pakontrolluar reviste kulturale mos të parashtronte pyetjen: Cili flamur qe ai që u ngrit në Vlorë, më 28 Nëntor, prej Ismail Qemalit?

Gjithkush, gjer më sot, është përgjigjur sipas qejfit. Disa duan të thonë se flamuri i parë që valoi në Vlorë qe ai që Don Aleandro Castriota u pat falur bejlerëve të këtij qyteti. “Hylli i Dritës” kujton se Ismail Qemali, duke ardhur prej Viene, u ndal në Kotorr dhe atje Lec Shkjezi, që kishte flamuj gjithfarë maset, i dha nji flamur të thjeshtë, kund dy metra të gjatë, mbasi i pati thanë Plaku: nuk e due as tepër të madh, as tepër të vogël. (Hylli i DrItës, Nr. II, Nanduer 1937)

Të dyja këto, pretendime janë të pathemelta. Kërkush nga ata që kanë marrë pjesë në Kongresin e Vlorës, përvec të interesuarve, nuk përmendin gjëra të këtilla. Mbeten vetëm dy hipoteza, në të cilat Zonja Marigo figuron, në mos si qëndisësja, së paku si kustodja e Flamurit Kombëtar: u ngrit flamuri i dërguar prej Amerike nga shoqërija “Besa Besë”, apo ai që punoi me duart e veta Zonja Marigo?

Zoti Kol Rodhe, në këto ditë, pati mirësinë të më dërgojë një letër të gjatë në të cilën përshkruan një histori të mahniteshme qi duhet ta njohë cilido Shqiptar: Në verën e vitit 1911, me pretekst se do të mjekohej, Zonja Marigo shkon në Korfuz (sikurse kishte shkuar, më parë edhe nëpër qytete të tjera) dhe aty ndeshet me të gjithë përfaqësonjësit nacionalistë të kolonive shqiptare që ishin mbledhur në ishullin grek për të hyrë së bashku e me pushkë në dorë në Shqipëri që të nisnin luftën kombëtare. Midis këtyre ishin dhe përfaqësonjësit e Amerikës, të dërguar nga shoqërija “Besa Besë”. Këta, dhe posacërisht Kola me të vëIlain e Thoma Katundit, i dorëzuan Zonjës Marigo një flamur të qëndisur n’ar e në mëndafsh që, “me gjithë shtizën dhe me një shkabë të celikteë kishte kushtuar 140 dollarë”. Ndërsa 13 vetët që përbënin cetën e Amerikës vuanin nëpër bodrumet e Gjirokastrës, Zonia Marigo kthehet në Vlorë me flamurin e veshur në trup nën teshat e përditëshme, nga frika se mos ia gjejnë rojtarët e doganës që teshat e asaj i kontrollonin më imët nga cdo gjë tjetër. Një vit më pas këtë flamur ia dhuroi Ismail Qemalit për t’a ngritur më 28 nëntor, në ballkonin e Xhemil Beut. (Përshkrimin e Z. Rodhe po e shkurtoj e po i shtoj ndonjë episod të mbledhur nga persona të tjerë.)

Të njëjt mendim me Kol Rodhen janë edhe shumë nacionalistë të tjerë, ndër të cilët edhe Zoti Qazim Kokoshi. Por Kristo Floqi ka shkruar ne fletoren “Arbënia”, ka nja dy vjet, se flamurin kombëtar që u ngrit për të parën herë e pat “hartuar” me duart e veta Zonja Marigo mbi cohën e blerë te tregtari Diamanti si mbas modelit të shqipes që kishte vizatuar Dom Mark Vasa me Petro Fotografin. Midis atyreve që kanë dijeni mbi faktin, Zoti Kristo Floqi përmend edhe Lef Nosin, Shefqet Dajin, Thanas Floqin, Qemal Karaosmanin, Hamza lsain e Ymer Radhimën.

Këtë hipotezë të dytë e përkrah edhe shërbetorja që Zonja Marigo, ka mbajtur pranë vehtes gjatë gjithë jetës së saj. Kjo di shumë sende nga jeta e Zonjës dhe i kujtohet së si qëndron puna e flamurit që u ngrit në Vlorë.

“Flamuri që ngriti për të parën herë Ismail Beu — më tha Zonja Thina Ferra — e ka pikturuar me hoje të zezë vetë Marigoja. Bile, këtë flamur unë vetë e kam ngrohur pranë mangallit që ta thaj sa më parë. “Shpejt, Thinë, më thoshte e ndjera Zonjë, pse Ismail Beu e do për tashi pas drake”. Flamuri i Amerikës që suallëm prej Korfusi i është dorëzuar Llambi Bimblit e Kol Rodhe’s, i paprekur, kur këta po niseshin për në Korcë. Flamuri që bëmë ne nuk ishte krejt i kuq, por pak si i zbardhur, në bojë të specit. Po atë ditë kemi pikturuar edhe shumë flamuj të tjerë për t’ia shpërndare popullit. Kishim edhe një shqipe të vogël që e lyenim me bojë të zezë dhe iu vulosnim qylafët a bardhë të gjithë lebërve që muarën pjesë në manifestime.

Shtepia e vjeter ne Tiranë ku ka banuar Marigo Pozio

++++++++

Nga gjithë sa thamë më sipër, duhet besuar se flamuri që u ngrit në Vlorë qe punuar nga Zonja Marigo. Fjalët e Thinës sidomos, duhen marrë në konsideratë, pse, brenda tyre nuk fshihet asnjë ambicje a paragjykim. Kjo flet vetëm mbi sa ka parë me sytë e ka dëgjuar me veshët e saj.

Por, edhe në mos qoftë e vërtetë se flamuri që u ngrit për herën e parë ka qenë i pikturuar vetë prej dorës së Zonjës Mango, ësht krejt e sigurtë se, të paktën, ai flamur u ngroh prej trupit të saj, u nxeh në prushin e zemrës së saj shqiptare sa here i duhej të kalonte nëpër doganat e huaja ose të kërkohej prej autoriteteve turke. Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk është blerë nëpër tregtarë, por është punuar prej dorës së një Shqiptarke Korcare…qoftë kjo edhe n’Amerikë, që shkriu jetë e pasuri për lirin e Atdheut.

Gjithkujt i bëhet të besojë se Vincens Prendushi (O.F.M.) ka pasur parasyshë Zonjën Marigo duke qëndisur flamurin kombëtar, kur ka shkruar në “Gjeth e Lule” romancën e tij të pavdekshme: Grueja Shqyptare.

Përpjekja Shqiptare, nr 13, janar 1938/Njekomb

Dita e madhe e shpalljes se Pavarësisë duhej të ishte një ditë gëzimi dhe bashkimi …

 

Dita e madhe e shpalljes së Pavarësisë duhej të ishte një ditë gëzimi dhe bashkimi. Mirëpo, trishtimi, dhimbja dhe goditja e rëndë na bashkoi akoma më shumë.Bashkoi Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Italinë, Zvicrën, Francën, Turqinë, Emiratet dhe të gjithë botën mbarë! Bashkoi njerëzimin!

Faleminderit Zotit pasi jetët e humbura dhe dëmet mund të ishin më të mëdha! Faleminderit të gjithë kontribuesve!Në emër të ditës së shënuar të Shqipërisë, unë ju them që DO IA DALIM! Me Zotin para, me besimin e patundur te njëri tjetri dhe me shpresën që nuk vdes kurrë, gjunjët tona nuk përulen dhe asgjë nuk na ndal! Tërmetet do të ndalen, shtëpitë do rindërtohen dhe dhimbja do lehtësohet. Jeta do të vazhdojë dhe ne DO IA DALIM! Bashkë, deri në fund, më të bashkuar se kurrë!
Nga Julian Saraçi

Shqipëri flite një fjalë,mos vajto në tënde ditë,një flamur kemi të rrallë,festën bashkë e kemi prit

Poezi nga Alma Papamihali

28 Nëndor 2019

Moj Shqipëri, të qofsha falë,
Afër dhimbjes kush t‘u gjend,
Në ditë të lotit, si një djalë,
Pranë shpirtit që të dhemb.

Shpirtit tënd, të copëtuar,
Nën gërmadha, bijët humbur,
Shqipëri, s‘je e vetmuar,
As mbulohesh dot me pluhur.

Lot kush derdhi bashkë me ty,
Si tek nëna, prehrit shtrirë,
Shqipëri, të sheh në sy,
Një Kosovë, që ke për bir.

Shqipëri, flite një fjalë,
Mos vajto në tënden ditë,
Një flamur kemi të rrallë,
Festën bashkë e kemi prit‘.

Në të mirë, por dhe në lot,
Ishim një, dhe një do mbesim,
S’mundet kush, t’na ndajë dot,
Shqiptarizmin, nuk e shesim.

Shqipëri, o nënë e madhe,
Plagë të mori, e kuqja tokë,
Por e vetme s‘je në halle,
Një Kosovë, të rri mbi kokë.

Rrugët tona trarë s‘kanë,
Si vetë qielli, pa pengesë,
Ulur prehrit, shqipes Nanë,
S‘ka tërmet, gjakun ta tresë.

„ Ishim një, dhe një do mbesim“

Sot,lindi shpresa që ne mund t’ia dalim ,ia dolëm dhe do ja dalim…!

 

Kaosi do të kalojë, frika do shuhet dhe dhimbja do zvogëlohet. Kjo është ajo që njerëzit bëjnë, qëndrojnë fort përballë rrethanave të rënda dhe i tejkalojnë ato.Ajo që kurrë nuk do të harrohet do të jetë fakti që ne treguam më shumë se kurrë se jemi njerëz, që hapëm dyert e shtëpisë tonë për vëllain dhe motrën shqiptare, që grumbulluam miliona para dhe të mira materiale brenda pak çastesh, që u solidarizuam anëmbanë kudo ku jemi në botë, që rrezikuam jetët tona për të shpëtuar jetët e të tjerëve, që sakrifikuam jetët tona për vazhdimësinë e jetës, që jeta e mposht vdekjen dhe shpresa e mund frikën.

Sot, më shumë se kurrë dhe më fuqishëm se asnjëherë më parë ne ishim bashkë, ishim një pa ndasi politike, fetare apo krahinore, pa paragjykime dhe të vendsour për t’u përballur me fatin e pashmangshëm.

Sot, lindi shpresa që ne jemi mund t’ia dalim, ia dolëm dhe do ia dalim! Sot, jemi NJË, jemi miliona trupa, në qindra vende të ndryshme, në kohë e mosha e të ndryshme, por që vibrojmë në të njëjtën frekuencë. Sot, jemi një shpirt i vetëm, jemi një trup i vetëm, jemi të gjithë në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë, me ju dhe me vetveten, për Shqipërinë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë e shqiptarët, ia lehtësoftë dhimbjen atyre që nuk kam të dashurit e tyre dhe e ndryshoftë situatën nga kaos në shpresë e qetësi! – Nga Julian Saraçi

Disa video nga termeti qe tronditi Shqiperine

 

Jane keto situata kur njeriu ka frike per jeten,femijen,njerezit e dashur. A thua pati ndonje qe perqafoi lekun,makinen,apo garderoben? A pati ndonje qe s’kujtoi Zotin? Kujdesemi kaq shume per pamjen por dashje pa dashje harrojme te kurojme shpirtin. Qoft me kaq. Zoti na past ne duart e Tij te Fuqishme.

Video nga tërmeti në Shqipëri kur gazetarja ishte duke raportuar drejtpërdrejt….!

Pamje te frikshme, ja si u lëkunden pallatet nga tërmeti. Qeni ndjen pak sekonda më herët termetin.Dallohet qartë se si një pallat në Shëngjin tundet e shkundet nga lëkundje të forta që pësoi nga goditja e tërmetit në orën 03:54.

Me dije bëhet se numri i ta plagosurve ka kaluar 600.Ndersa nr i personave qe ka humbur jeten arrin ne 20. Por pritet që bilanci i jeteve te humbura të rëndohet.Sa më shumë kohë kalon,aq më shumë shuhen shpresat se ata ,mund të dalin të gjallë nga rrënojat.

Dy dekada pa aktorin e madh Pandi Raidhi

 

Pandi Raidhi, aktori që i’u dha me mish e me shpirt roleve që e lartësuan atë në panteon. Sepse ai ishte një aktor i lindur. Ai kishte mimikën dhe timbrin e zërit, kishte shprehinë dhe plastikën, kishte vështrimin shpues e ngrohtësinë prej babaxhani. Ishte dhe iku, për të lënë pas një emër që meriton vetëm mirënjohje.

Dy dekada prej kur aktori i teatrit dhe i kinemasë shqiptare, i asaj tradite të vlertë të traditës sonë skenike, u shua për të lënë pas të ndezur gjithnjë një dritë malli, nostalgjie. Të gjithë ikin një ditë dhe është fatlum ai që ikën duke lënë një emër të madh, një vepër të realizuar, një ëndërr të çuar deri në skaj të reales.

Nga këta të zgjedhur, ishte ai, Pandi Raidhi, një njeri i përkorë dhe një aktor i përkushtuar, një personalitet i fuqishëm dhe një integritet unik artistik dhe krijues. Korça që lindi dhe Shqipëria që e pati të zëshëm në arenën e madhe të skenës i janë mirënjohës atij dhe sot përulen me respekt në këtë cak ndërmendjeje.

Ishte 18 korrik 1999 kur ai u nda nga jeta, duke lënë pas një galeri të pasur personazhesh dhe karakteresh tipesh dhe identitetesh, të cilave i jetësoi nga vetja shpirtin duke i bërë ata të pavdekshme.

Ndërsa vitet kanë përpirë të shkuarën dhe vdekja i mori një e nga një ata që ndërtuan tempullin e artit tonë skenik, edhe Pandi Raidhin, ne rrekemi të rizgjojmë prej thellë nesh kujtimet, ata që na mëkuan, dhe vërejmë se gjithçka ka mbetur si më parë.

Ne rijetojmë suksesin e atyre pasionantëve të punës ngadhënjyese, dhe hyjmë në kohën e tyre për të ribërë pulsin e asaj atmosfere suksesi, që ishte i tyre por që mbeti i yni. Edhe pse ideologjia e ndëshkoi punën dhe artin e tyre, ata arritën të mbesin të mëdhenj, sepse i fuqishëm ishte pasioni që ngjiti ata në skenë, e madhe ishte përgjegjësia e sheshxhirimeve. Pandi Raidhi me veprën e tij aktoriale ka mbetur i tillë edhe sot.

Ai ngriti në monument të vetëdijes sonë filma dhe role, të cilat nuk i dobësoi censuara komuniste dhe nuk i nënshtroi evoluimi dhe sofistikimi i shijeve artistike dhe estetike.

“Artisti i Popullit”, Pandi Raidhin, ishte një ata që dhanë shumë më shumë se sa morë. Dhe përulësia e tyre ishte emblematike. Puna me përkushtim dhe pasion, lodhja dhe vështirësitë e panumërta, me të cilat ata u përballën, nuk i gjunjëzuan asnjëherë në ankim, përkundrazi arritën të shndërroheshin për ta në forca ngadhënjyese, në energji gjeneruese të pasionit dhe përkushtimit.

Pandi Raidhi ishte dhe mbeti i tillë deri në fund. Në karrierën e tij krijuese nuk kishte role të vogla dhe të mëdha, personazhe të pakapshme dhe karaktere të palexueshme, tipe të ngurta e individualitete të padepërtueshëm.

Gjithçka ishte e mundur ashtu siç thotë proverbi: “Ku ka vullnet ka dhe mjete për të arritur qëllimin”. Çdo aktor në galerinë e tij krijuese ka një seri ballafaqimesh skenike, edhe i madhi, shtatshkurtër e zemërbardhë, zëëmbël dhe atëror, Pandi Raidhi kishte prej atyre filmave që e kanë ngulitur thellë në kujtesën dhe ëndjen tonë nostalgjike.

Disa prej këtyre sprovash të pashlyera të jetës së tij aktoriale, janë filmat; “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë”.

Pandi Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 ne shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.

Mori pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role. Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958.

Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysmë shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtësinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën.

Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte. U nda nga jeta dhe familja e tij në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.Aktoret Shqiptarë

 

 

Sa mall per sinemanë time

 

SINEMAJA…Nga Agim Xhafka

Edhe sot korçarët kinemasë i thonë sinema. Kështu nëpër vite. Sa herë përshëndeteshin dhe pyesnin njëri tjetrin ,ku ishe,vinte përgjigja:
-Po në sinema,bre.
Unë nuk mbaj mend ditën e saktë kur pashë filmin e parë,por di të them me siguri që sinemaja u bë dashnorja ime qysh ditën që shkela brenda.
Atëhere i thonin “Kinema Morava.” Më parë dhe sot e quajnë “Majestik.”

“Majestik”

Ndërsa unë ruaj kujtime nga salla e madhe kur rrinim ne populli dhe lozhat,ah ato lozha,ku rrinin drejtuesit e qytetit. Qenë të harkuara,me ballkone të vogla të kërcyera si bythkat e ndonjë çupke të hijshme. Mbanin brenda katër deri tetë karrike. E atje renditeshin sipas sërës qytetaria e Korçës. Nuk kishte film ku ne mos na mbetej koka lart deri sa fikeshin dritat. Ata të llozhave gjoja bënin muhabet mes tyre,por ama koka u zgjatej jashtë parmakut si për të na dëftyer se ishin ata shefat e zotërinjtë tanë.
Sinemaja kishte tre dyer. Në ditët kur kishte filma që biletat avullonin në çast celeshin të treja. Rrinte te kryesorja Kiçi i Gjatë dhe te tjetra Kiçi i Ngjirur. Te e treta sipas rradhës. Ose pastruesja,ose operatori i filmit.
Fati e desh që djalin e Kiçit të Gjatë e kisha në klasë. Ndaj kur sinemaja m’u bë drogë dhe u vara prej saj,shkoja çdo mëngjes te shtëpia e djalit të Kiçit dhe e prisja të shkonim bashkë në shkollë. Por nuk rrija poshtë,ngjitesha deri lart që të më shihte Kiçi,të më njihte e të më tundte kokën kur i thoja,të vij sot te shoh një film? Kaq më duhej dhe qysh në orën 2 e gjysëm zija pozicion te dera. Sa hapej ajo delte Kiçi. Kur nuk më shihte pas pesë minutash i bërtisja. Në se nuk ma varte,i afrohesha dhe e prekja tek xhaketa. Në përgjithësi kur kthente kokën më kapte prej veshi dhe më shtynte brenda duke qeshur. E kështu nëper vite. Përherë në oren 3. Atëhere ishte më qetë,njerëzit ende ishin në punë e salla mbushej thuajse me fëmijë.

Kam parë filma francezë,plot italianë,spanjollë,meksikanë. Më pas erdhën kinezët,vietnamezët,koreanet. Por i shijoja të gjithë,sidomos ata me luftë. Kur nga fundi bëhej beteja finale krejt njerëzia në sallë ishim në këmbë e gati t’i afroheshim bezes së ekranit,ta shqyenim e ta shpallnim veten si çlirimtarë. Fluturoja deri në qiell kur pritej filmi e bërtisja si i dalë mendsh. Apo kori korçar që ishte si me dirigjent kur bërtisnim:” Hajde kanistra!” sapo çifti në film puthej. Edhe bezja valëvitej nga erosi i pak sekondave.
Babai asnjëherë nuk ma uli këtë pasion. Nuk më ndaloi asnjë ditë nga që përditë shihja film. Përkundrazi,sa kthehesha më vinte para krejt familjes t’u tregoja përmbajtjen. Kaq doja dhe me duar e këmbë ua sillja çdo skenë para syve.
-Ti aktor nuk do bëhesh,por shkrimtar me siguri,-thoshte mamaja që shpesh qante kur unë rrëfeja ngjarjet.
Nga sinemaja e qytetit kam plot histori.

Ca romantike,ca komike. Më vjen sot në detaje kur shkova me shoqen time Shpresën në filmin “Çatia”. Bleva vetëm një biletë se aq lekë sigurova. Kur hyra më pa me çudi Kiçi. Ia bëra me sy. Qeshi dhe më gjeti belaja brenda. S’kishte vende të lira. U ul Shpresa,por unë ngela më këmbë. Fat që ajo kishte karriken 1,te fillimi i rreshtit. U mbështeta te muri dhe në vend t’i prekja gishtat siç ëndërroja prej ditësh,i preka…supin.
Kinemaja ime quhej Morava. Me këtë emër e kam në tru. Por Majestik i shkon në thelb,se filmi është magji. Të trazon mendjet,ndjenjat,zemrën,t’i rrotullon e rrotullon si lavatrice me shpejtësi të madhe e pastaj t’i sjell para e të thotë sistemoji veç të mirat e veç te këqijat. Sinemaja qe tableti dhe celulari i djeshëm. Por me më shumë emocion,lotë,gëzim,mallëngjim e shpresë. Sa mall kam për sinemanë time. Qoftë dhe me emrin “Morava “…

Skenderbeu leksion Tiranës, afrohet ndjeshëm me kreun

 

Skënderbeu mposhti Tiranën me rezultatin 2-1 në sfidën e vlefshme për javën e 13-të të Kategorisë Superiore. Një triumf i merituar për skuadrën e Ilir Dajës, që e dominoi pjesën më të madhe të lojës, duke shënuar 2 herë më anë të Krasniqit në pjesën e parë dhe Ndeki në fundin e ndeshjes.

Skenderbeu – Tirana

Skënderbeu kthehet ne vendet e para të renditjes, ndërsa aktualisht është në vendin e katërt ,dy pike larg Partizanit kryesues i cili ka nje ndeshje me pak.Goli i parë i takimit do të vinte në minutën e 17, ndërsa pas pasimit të Gripshit, Krasniqi nuk mund të gabonte brenda zonës.Ndërkohë nga ana tjetër, bardheblutë bënë shumë pak në këtë përballje, teksa golin e vetëm e shënoi Hasani në minutën e 93-të.Me këtë fitore Skënderbeu parakalon Tiranën duke u ngjitur në vendin e 4-t, me 20 pikë, ndërkohë që kryeqytetasit janë pozicionuar në vendin e 6-të me 19 pikë.

FT| Skënderbeu-Tirana 2-1

Krasniqi 18′ , Ndeki 87′ / Hasani 90+3

90+3′ GOOOL TIRANA 2-1/ Fund spektakolar në Korçë! Realizojnë edhe bardheblutë në sekondat e fundit me anë të Edon Hasanit, i cili pas devijimit të topit me kokë nga Ngoo, godet saktë duke shënuar!

90′ Akordohen 4 minuta shtesë!

87′ GOOOOL SKËNDERBEU 2-0/ Korçarët shënojnë golin e sigurisë me anë të futbollistit afrikan Ndeki. Pas një shpërthimi të Oto Xhon, ky i fundit ka pasuar për Ndeki, që brenda zonës, me një gjuajtje të saktë ka dyfishuar rezultatin!

86′ Probleme për Dejvi Bregun, i cili pëson një tërheqje dhe lë fushën e lojës me barelë! Vendin e tij e zë Oto Xhon!

81′ Zëvendësim i parë te Skënderbeu, largohet nga fusha mesfushori Esien, vendin e tij e zë Elezi!

75′ Tirana hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit, pas një harkimi nga e djathta, të Kobina, Pëllumbi largon rrezikun në këndore!

60′ Tirana fiton teren në fragmentin e dytë të lojës, teksa tenton të depërtojë në zonën korçare, po mbrojnë mirë futbollistët bardhekuq!

55′ Pranë golit të dytë Skënderbeu! Bregu shërben për Krasniqin brenda zonës, por del mjaft mirë portieri Lika, i cili iu heq një shans të artë shënimi korçarëve!

47′ Ndeki i papërmbajtshëm nga e djathta, provon me një gjuajtje të befasishme, por grushton portieri Lika në këndore!

46′ Starton pjesa e dytë! Trajneri Ahmataj bën 2 zëvendësime. Largohet nga fusha Karabeci, vendin e tij e zë Celhaka. Ndërkohë largohet edhe Kale për Majkëll Ngoo!

Përfundon pjesa e parë!

23′ Pranë golit të dytë Skënderbeu me Ndeki, por futbollisti bardhekuq tregohet egoist duke mos pasuar për Bregun, teksa gjuajtja e tij shkon jashtë kuadratit!

18′ GOOOOL SKËNDERBEU 1-0/ Zhbllokohen shifrat! Vendasit kalojnë në avantazh! Krasniqi gjen rrugën e rrjetës! Pas një depërtimi fantastik të Gripshit nga e majta, ky i fundit servir për sulmuesin e Skënderbeut brenda zonës, i cili gjuan saktë duke tundur rrjetën!

img_2601

13′ Pesë goditje këndi të fituara nga skuadra korçare që shfaqet dominuese në këto minuta të para!

1′ Nisje spekolare për Skënderbeun! Pranë golit korçarët me anë të Gripshit, i cili lëviz bukur brenda zonës, gjuan, por ndalet nga portieri Lika. Goditje këndi për korçarët!

1′ Ka nisur sfida në Korçë! Atmosferë e vakët në shkallët e stadiumit!

FORMACIONET ZYRTARE:

SKËNDERBEU: Koliçi, Pëllumbi, Pollozhani, Dita, Meksi, Esien, Daja, Gripshi, Ndeki, Bregu, Krasniqi. Trajner: I.Daja

TIRANA: Lika, Kërçiku, Osmani, Vangjeli, Hoxhallari, Karabeci, Torasa, Hasani, Kale, Kobina, Halili. Trajner: J.Ahmataj

THE AUTOCAR 1946, MERCEDEZI I MBRETIT ZOG, ËSHTË VËNË NË SHITJE, EKZISTOJNË VETËM 12 TË TILLË

 

Nga Aurenc Bebja*,

Francë – 22 Nëntor 2019 .Gazeta “Les Etoiles” ka botuar, të martën e 3 dhjetorit 1946, në faqen n°2, një lajm të marrë asokohe në gazetën britanike “The Autocar” në lidhje me vënien në shitje të mercedezit të mbretit Zog, një dhuratë e Adolf Hitlerit kur ai u martua.

Pavarësisht opinionit të gazetës franceze për mbretin Zog, shkrimi, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar, jep detaje mbi llojin (serinë) e makinës dhe çmimin e saj :

“ Në gazetën britanike “The Autocar”, lexojmë këtë njoftim shumë sugjerues : “Në shitje Mercedez i 1938, tip 540 K, makinë e shkëlqyer e prodhuar pa probleme financiare, e ofruar nga Adolf Hitleri për mbretin Zog të Shqipërisë. Çmimi : 3,250 sterlina…”.

1.623.000 franga, nuk është ndonjë shumë aq e madhe për fatin që do të ketë blerësi i ardhshëm të drejtojë makinën e një mbretëruci tradhtar, mbështetës i kriminelit më të madh të historisë.

Dhe aq më tepër, po me të njëjtën makinë, ai pati guximin të paraqitej, në qershor të 1940, para popullit anglez, ndërsa ky i fundit po luante fatin e tij duke luftuar ndaj Hitlerit dhe po me këtë automjet, në shkurt të 1946, ai u paraqit në oborrin e mbretit Faruk të Egjiptit.

Hitleri u dhuroi bashkëpunëtorëve të tij vetëm një duzinë makinash të këtij lloji, prandaj është nder mjaft i rrallë të kesh një të tillë ! Dhe kjo gjë, natyrisht, paguhet… ”

 

Rrugicat e Korçës, tradita e hershme e qytetit të lashtë

 

Qyteti i Korçës mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për turistët vendas dhe të huaj. Rrugicat me kalldrëm dhe kangjellat janë karakteristika të qytetit juglindor. Pastërtia është ajo çka ruhet me fanatizëm nga korçarët.

Rrugicat e Korces ,tradita e hershme e qytetit te lashte….!

Kjo është traditë e qytetarisë korçare. Në çdo rrugicë syri të sheh vetëm pastërti.

Pastërtia dhe ruajtja në detaje e çdo cepi të qytetit është prioriteti i kujtdo që jeton në Korçë. Fotot janë shkrepur në lagjet më të vjetra te qytetit.

Lagjia 11,12, 1 ,2 ,3 kanë rrugicat karakteristike të Korçës.

Aty ku çdokush që viziton Korçën, mahnitet. E ruajtur me fanatizëm dhe dashuri nga mosha më e vogël deri tek ajo më e vjetër. Qytetarëria korçare nis nga rrugicat. Aty ku flet gjithçka. Kultura, pastërtia, edukata dhe mikëpritja.

Korça mbetet një ndër qytetet më te veçanta dhe më të bukura në Shqipëri.

Daja:të futemi në fushë të shprehemi sa me mirë…. duke dhënë maksimumin

 

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, doli ditën e sotme në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Tiranës në Korçë.Daja foli për grupin që ka në dispozicion, si edhe për rivalët bardheblu që do të presë nesër. Tekniku kryeqytetas gjithashtu foli edhe për një takim të ditëve të fundit me presidentin Halili, ndërsa nuk la pa thumbuar as Shehin, që një ditë më parë në “Panorama Sport” shprehej se sipas tij, Pëllumbi do bënte më mirë në një pozicion tjetër nga aty ku e aktivizon Daja.

Ilir Daja

LUHATJET – Sigurisht ka pasur arsye për oshilacionet. Dëmtimet kanë qenë një arsye që do e veçoja. Asnjëherë nuk kemi përdorur një formacion, s’e kemi pasur të gjithë grupin e plotë. Shpresoj që me rikthimin e lojtarëve të mos kemi më luhatje. Normalisht do ketë, por shpresoj të mos jenë në të njëjtën shkallë si deri më tani.

TIRANA – Tirana ka objektiva madhorë, si 2-3 ekipe të tjera, kanë lojtarë me eksperiencë që kanë fituar tituj. Është një ndeshje e vështirë, por si në çdo ndeshje futemi me objektivin për të fituar. Edhe pse e dimë që e kemi shumë të vështirë, për të gjithë problematikat që kemi pasur këto dy javë. Gjithsesi do të futemi në fushë të japim maksimumin.

GRUPI – Kishim dy javë kohë të përgatitemi, por vetëm dy ditët e fundit grupi ishte i plotë. Kishim 4 lojtarë me kombëtaret, kurse disa titullarë ishin të diferencuar. S’kemi vendosur akoma as formacionin. Praktikisht kishim vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për Tiranën.

OBJEKTIVI – Një pikë do më kënaqtë nëse ekipi do shprehej si me Kukësin. Në atë ndeshje bëmë një lojë të mirë. Nuk ishim të zemëruar se nuk fituam. Një lojë e tillë të jep shpresa për vazhdimësinë. Do isha i kënaqur me një pikë nëse luajmë mirë. Në të kundërt nuk na bën punë, nëse nuk shprehemi mirë në fushën e lojës.

GJENDJA E SKUADRËS – Tani kemi 3-4 lojtarë nga mosha 18-20 vjeç që mund të jenë pjesë e formacionet. Skënderbeu është mësuar në elitë dhe në këtë moment nuk e kemi potencialin e duhur, nëse nuk sforcohemi të gjithë bashkë, nëse ata me eksperiencë nuk japin kontributin maksimal që lojtarët e rinj ta kenë më të lehtë të shprehen. Kjo na shqetëson, por me frymën që ekziston brenda grupit jam optimist se gjërat do të shkojnë mirë.

TAKIMI ME HALILIN – Nuk kam pasur takim me Halilin. Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët.

DEKLARATAT E SHEHIT – Kur ai kishte drejtimin e Skënderbeut, me një potencial shumë më të madh se ky që kam unë, unë i kam shmangur deklaratat për ekipin e tij, me shumë korrektësi. Më mirë se Shehi, jemi ne me stafin që vendosim ku Pëllumbi mund të japë më të mirën. Qendërmbrojtësi mund të jetë pozicion më i mirë për të, por me organikën që kemi në dispozicion ai mund të sakrifikojë edhe në krahun e majtë të mbrojtjes.Panorama Sport

Korçarët janë kursimtarë, kanë shtëpitë më të vogla në vend, durrsakët i duan të mëdha…

 

-Nga Monitor


Korçarët janë të mjaftuar që të jetojnë edhe në shtëpi me sipërfaqe modeste. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, 14% e familjeve korçare jetojnë në shtëpi me sipërfaqe më të vogël se 50 metra katror. Pesha e familjeve korçare që jetojnë në shtëpi të vogla u rrit në 2018-n, nga 11.8% në 13.9%.

Nga ana tjetër durrsakët janë ata që preferojnë që shtëpitë t’i kenë të mëdha. Familjet në Durrës kanë përqindjen më të lartë në vend, që jetojnë në shtëpi me sipërfaqe më të madhe se 130 metra katror. Në 2018-n 10.4% e familjeve në Durrës jetojnë në shtëpi me hapësira të mëdha.

Familjet e Tiranës në vitin 2018, për shkak edhe të çmimeve, po jetojnë gjithnjë e më shumë në shtëpi me sipërfaqe më të vogla. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme çiftet e reja kërkojnë të blejnë në afërsi të qendrës, por për shkak të çmimeve kufizohen në sipërfaqe. Kështu të dhënat tregojnë se përqindja e familjeve në Tiranë që jetojë në një shtëpi me sipërfaqe 50-90 m2 u rrit nga 48% në 2017-n në 50.1%, ndërsa pesha e familjeve që jetojnë në shtëpi me sipërfaqe 90-130 m2 dhe mbi 130 m2 shënoi rënie (shiko tabelën).

Në vitin 2018, 52,2 për qind e familjeve në Shqipëri jetojnë në banesa, sipërfaqet e të cilave janë nga 51 në 90 m2 . Banesat sipërfaqet e të cilave variojnë nga 91-130 m2 , renditen në vendin e dytë për sa i përket përqendrimit të familjeve që jetojnë në to, 33,9 për qind. Në vitin 2018, përqindja më e lartë e familjeve të cilat jetojnë në banesa sipërfaqja e të cilave varion nga 51-90 m2 është regjistruar në qarkun Kukës (61,7%), ndërsa në qarkun Elbasan është regjistruar përqindja më e lartë e familjeve (39,6%) që jetojnë në banesa me sipërfaqe 91 – 130m2 .

Gjatë viteve është regjistruar një rritje e përqindjes së familjeve të cilat jetojnë në banesa sipërfaqja e të cilave është mbi 90 m2 . Nga viti 2016 në 2018, për qarkun e Lezhë, vihet re një ulje prej 4.9 pikë përqindje e familjeve të cilat jetojnë në banesa me sipërfaqe me më pak se 50m2 . Në qarqet Fier, Tiranë dhe Durrës janë regjistruar rritjet më të larta të familjeve që jetojnë në banesa me më shumë se 130m2 .