Dy dekada pa aktorin e madh Pandi Raidhi

 

Pandi Raidhi, aktori që i’u dha me mish e me shpirt roleve që e lartësuan atë në panteon. Sepse ai ishte një aktor i lindur. Ai kishte mimikën dhe timbrin e zërit, kishte shprehinë dhe plastikën, kishte vështrimin shpues e ngrohtësinë prej babaxhani. Ishte dhe iku, për të lënë pas një emër që meriton vetëm mirënjohje.

Dy dekada prej kur aktori i teatrit dhe i kinemasë shqiptare, i asaj tradite të vlertë të traditës sonë skenike, u shua për të lënë pas të ndezur gjithnjë një dritë malli, nostalgjie. Të gjithë ikin një ditë dhe është fatlum ai që ikën duke lënë një emër të madh, një vepër të realizuar, një ëndërr të çuar deri në skaj të reales.

Nga këta të zgjedhur, ishte ai, Pandi Raidhi, një njeri i përkorë dhe një aktor i përkushtuar, një personalitet i fuqishëm dhe një integritet unik artistik dhe krijues. Korça që lindi dhe Shqipëria që e pati të zëshëm në arenën e madhe të skenës i janë mirënjohës atij dhe sot përulen me respekt në këtë cak ndërmendjeje.

Ishte 18 korrik 1999 kur ai u nda nga jeta, duke lënë pas një galeri të pasur personazhesh dhe karakteresh tipesh dhe identitetesh, të cilave i jetësoi nga vetja shpirtin duke i bërë ata të pavdekshme.

Ndërsa vitet kanë përpirë të shkuarën dhe vdekja i mori një e nga një ata që ndërtuan tempullin e artit tonë skenik, edhe Pandi Raidhin, ne rrekemi të rizgjojmë prej thellë nesh kujtimet, ata që na mëkuan, dhe vërejmë se gjithçka ka mbetur si më parë.

Ne rijetojmë suksesin e atyre pasionantëve të punës ngadhënjyese, dhe hyjmë në kohën e tyre për të ribërë pulsin e asaj atmosfere suksesi, që ishte i tyre por që mbeti i yni. Edhe pse ideologjia e ndëshkoi punën dhe artin e tyre, ata arritën të mbesin të mëdhenj, sepse i fuqishëm ishte pasioni që ngjiti ata në skenë, e madhe ishte përgjegjësia e sheshxhirimeve. Pandi Raidhi me veprën e tij aktoriale ka mbetur i tillë edhe sot.

Ai ngriti në monument të vetëdijes sonë filma dhe role, të cilat nuk i dobësoi censuara komuniste dhe nuk i nënshtroi evoluimi dhe sofistikimi i shijeve artistike dhe estetike.

“Artisti i Popullit”, Pandi Raidhin, ishte një ata që dhanë shumë më shumë se sa morë. Dhe përulësia e tyre ishte emblematike. Puna me përkushtim dhe pasion, lodhja dhe vështirësitë e panumërta, me të cilat ata u përballën, nuk i gjunjëzuan asnjëherë në ankim, përkundrazi arritën të shndërroheshin për ta në forca ngadhënjyese, në energji gjeneruese të pasionit dhe përkushtimit.

Pandi Raidhi ishte dhe mbeti i tillë deri në fund. Në karrierën e tij krijuese nuk kishte role të vogla dhe të mëdha, personazhe të pakapshme dhe karaktere të palexueshme, tipe të ngurta e individualitete të padepërtueshëm.

Gjithçka ishte e mundur ashtu siç thotë proverbi: “Ku ka vullnet ka dhe mjete për të arritur qëllimin”. Çdo aktor në galerinë e tij krijuese ka një seri ballafaqimesh skenike, edhe i madhi, shtatshkurtër e zemërbardhë, zëëmbël dhe atëror, Pandi Raidhi kishte prej atyre filmave që e kanë ngulitur thellë në kujtesën dhe ëndjen tonë nostalgjike.

Disa prej këtyre sprovash të pashlyera të jetës së tij aktoriale, janë filmat; “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti”, “Beni ecën vetë”.

Pandi Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 ne shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjëherë simpatinë e publikut korçar.

Mori pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare në radhët e Rinisë Antifashiste. Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role. Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958.

Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysmë shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtësinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën.

Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte. U nda nga jeta dhe familja e tij në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.Aktoret Shqiptarë

 

 

Sa mall per sinemanë time

 

SINEMAJA…Nga Agim Xhafka

Edhe sot korçarët kinemasë i thonë sinema. Kështu nëpër vite. Sa herë përshëndeteshin dhe pyesnin njëri tjetrin ,ku ishe,vinte përgjigja:
-Po në sinema,bre.
Unë nuk mbaj mend ditën e saktë kur pashë filmin e parë,por di të them me siguri që sinemaja u bë dashnorja ime qysh ditën që shkela brenda.
Atëhere i thonin “Kinema Morava.” Më parë dhe sot e quajnë “Majestik.”

“Majestik”

Ndërsa unë ruaj kujtime nga salla e madhe kur rrinim ne populli dhe lozhat,ah ato lozha,ku rrinin drejtuesit e qytetit. Qenë të harkuara,me ballkone të vogla të kërcyera si bythkat e ndonjë çupke të hijshme. Mbanin brenda katër deri tetë karrike. E atje renditeshin sipas sërës qytetaria e Korçës. Nuk kishte film ku ne mos na mbetej koka lart deri sa fikeshin dritat. Ata të llozhave gjoja bënin muhabet mes tyre,por ama koka u zgjatej jashtë parmakut si për të na dëftyer se ishin ata shefat e zotërinjtë tanë.
Sinemaja kishte tre dyer. Në ditët kur kishte filma që biletat avullonin në çast celeshin të treja. Rrinte te kryesorja Kiçi i Gjatë dhe te tjetra Kiçi i Ngjirur. Te e treta sipas rradhës. Ose pastruesja,ose operatori i filmit.
Fati e desh që djalin e Kiçit të Gjatë e kisha në klasë. Ndaj kur sinemaja m’u bë drogë dhe u vara prej saj,shkoja çdo mëngjes te shtëpia e djalit të Kiçit dhe e prisja të shkonim bashkë në shkollë. Por nuk rrija poshtë,ngjitesha deri lart që të më shihte Kiçi,të më njihte e të më tundte kokën kur i thoja,të vij sot te shoh një film? Kaq më duhej dhe qysh në orën 2 e gjysëm zija pozicion te dera. Sa hapej ajo delte Kiçi. Kur nuk më shihte pas pesë minutash i bërtisja. Në se nuk ma varte,i afrohesha dhe e prekja tek xhaketa. Në përgjithësi kur kthente kokën më kapte prej veshi dhe më shtynte brenda duke qeshur. E kështu nëper vite. Përherë në oren 3. Atëhere ishte më qetë,njerëzit ende ishin në punë e salla mbushej thuajse me fëmijë.

Kam parë filma francezë,plot italianë,spanjollë,meksikanë. Më pas erdhën kinezët,vietnamezët,koreanet. Por i shijoja të gjithë,sidomos ata me luftë. Kur nga fundi bëhej beteja finale krejt njerëzia në sallë ishim në këmbë e gati t’i afroheshim bezes së ekranit,ta shqyenim e ta shpallnim veten si çlirimtarë. Fluturoja deri në qiell kur pritej filmi e bërtisja si i dalë mendsh. Apo kori korçar që ishte si me dirigjent kur bërtisnim:” Hajde kanistra!” sapo çifti në film puthej. Edhe bezja valëvitej nga erosi i pak sekondave.
Babai asnjëherë nuk ma uli këtë pasion. Nuk më ndaloi asnjë ditë nga që përditë shihja film. Përkundrazi,sa kthehesha më vinte para krejt familjes t’u tregoja përmbajtjen. Kaq doja dhe me duar e këmbë ua sillja çdo skenë para syve.
-Ti aktor nuk do bëhesh,por shkrimtar me siguri,-thoshte mamaja që shpesh qante kur unë rrëfeja ngjarjet.
Nga sinemaja e qytetit kam plot histori.

Ca romantike,ca komike. Më vjen sot në detaje kur shkova me shoqen time Shpresën në filmin “Çatia”. Bleva vetëm një biletë se aq lekë sigurova. Kur hyra më pa me çudi Kiçi. Ia bëra me sy. Qeshi dhe më gjeti belaja brenda. S’kishte vende të lira. U ul Shpresa,por unë ngela më këmbë. Fat që ajo kishte karriken 1,te fillimi i rreshtit. U mbështeta te muri dhe në vend t’i prekja gishtat siç ëndërroja prej ditësh,i preka…supin.
Kinemaja ime quhej Morava. Me këtë emër e kam në tru. Por Majestik i shkon në thelb,se filmi është magji. Të trazon mendjet,ndjenjat,zemrën,t’i rrotullon e rrotullon si lavatrice me shpejtësi të madhe e pastaj t’i sjell para e të thotë sistemoji veç të mirat e veç te këqijat. Sinemaja qe tableti dhe celulari i djeshëm. Por me më shumë emocion,lotë,gëzim,mallëngjim e shpresë. Sa mall kam për sinemanë time. Qoftë dhe me emrin “Morava “…