Legjenda Roberto Baggio

 

E rimendoj akoma penalltinë e gabuar në finale e USA ’94 kundër Brazilit. Hidhërimi nuk më është pakësuar, nuk do të më kalojë kurrë. Italia ’90? Ishte ai Botërori në të cilin ndjeja se mund të bëja çdo gjë”

Jo për të vënë në dyshim siguritë e pakta të fituara, por nostalgjia është më shumë e habitshme sesa e poshtër. E përfunduar (shpresohet) epoka e brengës për vitet në të cilat futbolli qenë pjesët e dyta në radio dhe sinteza e një ndeshjeje të dielën në mbrëmje, ka nisur një tjetër: ajo në të cilën futbolli i sotëm preferon atë të viteve ’90.

Roberto Baggio

Por është edhe e vërtetë se ndonjë arsye për të ëndërruar kohët e bukura ekziston: për shembull, fakti që vitet ’90 qenë dekada në të cilën është parë talenti më i madh puro i futbollit Italian. 

Dhe shumë i vlerësuar edhe jashtë kufijve, por të gjykosh nga sa njerëz janë paraqitur në Londër për të parë nga afër Roberto Baggio, të cilin Diadora e ka dashur jo edhe sq si testimonial sesa pikërisht si origjinë parësore të rikthimit të tij me stil të madh në futboll: dy modele këpucësh, një blueze dhe tutat e Italisë të frymëzuara nga ai Botëror i 1994, njëherazi epik dhe fatkeq. Për të cilin edhe ai, ndoshta pse ndërkohë ka mbushur të 50-at, ka një nostalgji të tmerrshme, edhe pse kontradiktore.

Roberto Baggio

Roberto Baggio, kanë kaluar 2 vjet nga ditëlindja juaj nr.50: ishit më shumë i përgatitur të linit futbollin apo të mbushnit 50 vjeç?

«Isha më shumë i përgatitur që të lija futvollin: nuk po i duroja dot më dhimbjet».

Po me 50-shen si shkoi?

«Është rrëmujë komplet. Vijnë dhe nuk i kupton fare».

Keni thënë gjithmonë se nuk keni ruajtur copëra të prera gazetash, maksimumi e bënte nganjëherë bashkëshortja juaj Andreina. Jeni penduar tani?

«Jo. Është se gjithçka ka kaluar me shpejtësi. Këto 15 vitet e fundit kanë fluturuar. Nga njëra anë jam i lumtur, pasi nuk kam brenga. Ama koha ka nisur të fluturojë me shpejtësi».

Cila është dita – tip e Roberto Baggio?

«Vështirë që ditët e mia të jenë bosh. Kur luaja, stërvitjet qenë të pëqëndruara ne 2 orë, pastaj dita ishte e lirë. Tani jam më shumë i impenjuar. Është projekti për të cilin po punoj. Kam më pak kohë të mendoj». 

Çfarë projekti?

«Kur të jetë plotësisht gati, do të ta them».

Ndërkohë, keni parë ndokund ndonjë Roberto Baggio të ri apo që në një farë mënyre mund të konsiderohet si trashëgimtari juaj?

«Trashëgimtarin tim nuk e di. Shikoj shumë futboll latinoamerikan dhe, si tifoz i Boca Juniors, më pëlqen shumë Centurion. Por duhet të përmirësohet jashtë fushe».

Në autobiografinë tuaj «Una porta nel cielo» (2001), ju këmbëngulni shpesh për këmbënguljen dhe dellin tuaj prej luftaraku. Megjithatë, shtoni, nuk jam konsideruar kurrë lider, ndoshta pse «nuk më ndihmon fytyra».

«Kur luaja unë, kishte futbollistë që nuk dinin ta ndalonin topin as me dorë, e megjithatë i sulmonin të gjithë dhe kështu që konsideroheshin gladiatorë. Sigurisht që nuk kam qenë kurrë njeri që nuk kam kritikuar asnjë shok, pasi gjithmonë kam menduar se nëse gabonte, e njëjta gjë mund të më ndodhte mua».

Kur luanit akoma, thatë se më të mirët e të gjitha kohërave kanë qenë Pelé dhe Maradona. Jeni gjithmonë i bindur për këtë?

«Në vitet e tyre nuk ekzistonin rregullat e sotme. Sot sulmuesit janë shumë më të mbrojtur. Dikur ishte si gjueti ndaj njeriut».

Sot Baggio do të merrte më pak shkelma?

«Besoj se do të kisha arritur të luaja disa vite më shumë dhe jo vetëm unë. Në kohën time, më fillim prisje të vinin takat dhe vetëm më pas mendoje sesi ta ndaloje topin. Kurse sot nganjëherë rrezikohet e kuqja qysh në faullin e parë. Dikur haje shkelmin dhe nuk e dije as kush ta kishte gjuajtur».

Ju keni nisur të luani në një lloj të caktuar futbolli. Pastaj ka ardhur revolucioni i Sacchi dhe ka ndryshuar gjithçka. Në mënyrën e të luajturit dhe në atë të stërvitjes.

«Nuk ka qenë e lehtë. Vinim nga një futboll në të cilin secili duhej të shpikte. Nuk kishe kulturën e sotme futbollistike. Atë që dije e dije nga rruga dhe nuk ta kishte mësuar askush».

E ndjenit në një farë mënyre talentin tuaj si të futur në kafaz?

«Më shumë se çdo gjë tjetër bëri rrugë antifutbolli dhe ato që luanin si unë mezi gjenin vend në formacion. Gianfranco Zola ju desh të shkojë deri në Angli që të gjente vend në formacion…».

Jo vetëmn ai. Qenë vitet e dogmës së 4-4-2, kur Carlo Ancelotti nuk ju deshi tek Parma sepse nuk dinte ku t’ju vendoste…

«Gjëja e rëndësishme është se ka bërë pendim publik…».

Dhe tani, me modulet më fleksibël, ku do të luante Roberto Baggio? Prapa një pyke kryesore në 4-2- 3-1? Prapa dy sulmuesve në një 4-3- 1-2? Apo do të bënit pykën e dytë?

«Pykë e dytë në një 4-3- 1-2, patjetër. Përkrah një qendërsulmuesi të vërtetë».

Jemi gjithmonë aty, Platini që ju quajti një 9.5…

«Përkufizim i përkyer. Ishte realiteti».

Si do të gjendej një 9.5 në Barcelonën e mikut tuaj Pep Guardiola?

«Kush nuk do të ishte gjendur mirë?».

Kur luanti bashkë, në Brescia e Carlo Mazzone, do të thonit se Pep do të bëhej traineri më i mirë i epokës së tij dhe një ndër më të mirët e të gjitha kohërave?

«Mesfushorët janë futbollistët që i njohin më mirë dy fazat e lojës. Kështu që janë më të prirurit për të bërë trainerin. Për më tepër, Pep ishte tashmë mesfushor taktik kur luante dhe vinte nga një shkollë trainerësh të mëdhenj, inteligjenca e tij ka përfituar prej tyre».

Me që jemi tek kampionët: kush është mbrojtësi më i vështirë kundër të cilit keni luajtur?

«Paolo Maldini. Kur e kishe përballë e dije se nuk e kaloje dot. Ishte i fortë. Bile ishte i fortë me kokë, me të djathtën, me të majtën… Duhej të bëje bashkë 15 lojtarë që të nxirrje një si ai».

E il giocatore con cui scambiava più volentieri la maglia?

«Marco Van Basten. E mi sarebbe anche piaciuto giocarci insieme».

Fiorentina ka lënë të largohet Borja Valero, një tjetër lojtar i talentuar që kishte adoptuar dhe me të cilin dukej se do të kishte dashuri të përjetshme. Pse është kaq e vështirë të lihet Firenze?

«Ndaj Firenze unë kisha dhe do të kem gjithmonë një ndjenjë të madhe mirënjohjeje prej 2 viteve inaktivitet prej gjurit të dëmtuar. Nuk kisha luajtur kurrë dhe njerëzit më qëndronin afër, më demonstronin afeksionin e tyre, më stimulonin që të mos dorëzohesha, më thonin se do më prisnin. Janë gjëra që unë nuk i harroj. Besoj se Borja Valero t’i ketë ndodhur diçka e ngjashme ».

Në ato dy vite inaktivitet, ju dilnit shumë pak për të mos bërë të besohej se po bënit jetë të bukur si i dëmtuar. Përjashtimi i vetëm: vajtjet në një dyqan disqesh. Çfarë blinit aty?

«Me sa mbaj mend unë, Eagles. Në atë kohë i adhuroja».

Kur kaluat nga Fiorentina tek Juve, u bëtë “Zotëri 25 miliardëshi”, çmimi i kartonit tuaj në lireta. Domethënë 12.5 milion euro, sot çmimi i një mbrojtësi me këmbë as jo shumë të mirë. Sa do të vlente Roberto Baggio në këtë tregun e sotëm?

«Nuk e kam idenë». (Zë nga sfondi, i menaxherit dhe mikut historik të tij Vittorio Petrone: «150 milion dollar녻).

Për ju kanë thënë se keni qenë lojtari i fundit i madh italian, në kuptimin që keni bashkuar një popull. Ai që kudo që shkonit, ju duatrokiste. Ose nuk ju fishkëllente. Sipas jush, pse ndodhte një gjë e tillë?

«Më vjen shumë mirë. Besoj sepse, me vetëdije apo jo, kam kërkuar gjithmonë që t’i kënaq njerëzit. Që ndoshta e kanë ndjerë një gjë të tillë».

E çfarë ishte që i argëtonte njerëzit?

«Mënyra ime e thjeshtë e të luajturit».

Ndoshta e thjeshtë për ju.

«Atëhere edhe thjeshtësia e mënyrës së të qënit, e sjelljes. Nuk jam ndjerë asnjë ndryshe nga gjithë ata që vinin të më shikonin: ndoshta ajo ka qenë forca ime».

Ndoshta përtej pastërtisë së gjestit teknik?

«Po, ndoshta nganjëherë po».

Në autobiografinë tuaj ju rrëfeni se shpesh keni ëndërruar penalltinë e Pasadena, finalen e Botërorit USA ’94 kundër Brazilit. Dhe në ëndërrën tuaj topi përfundonte në rrjetë. Ju ndodh akoma?

«Më ndodh që ta risjell në mendje».

Dhe shtonit se herët a vonë do ta kishit gjetur kuptimin e ati gabimi. Kanë kaluar 23 vite: e keni gjetur atë kuptim?

«Jo, akoma jo».

Por, në largësinë e viteve, risjellja në mendje të bën të ndjehesh më pak keq?

«Jo, është i njëjti hidhërim i 1994. Nuk është pakësuar. Mendoj se nuk do të më kalojë kurrë».

Megjithatë tani jeni këtu, me tutat, shallet dhe bluzen që të sjellin ndërmend atë Botëror…

«Po, sepse do të më pëlqente të kthehesha prapa, në ato vite. Rikuperimi i tyre është i pëlqyeshëm, janë kujtime intime, të thella dhe shumë të bukura. Përjashto finalen».

Po pse, megjithë këtë finale, mbetet një kujtim i bukur?

«Sepse rrugëtimi që i mbushur plot me domethënie: prej lodhjes, vështirësive dhe prej karakterit e vendosmërisë me të cilën kemi dalë. Nuk do ta kisha menduar kurrë se një një ditë njerëzit do të donin të vishnin atë që vishnim ne atëhere. Do të thotë se ndoshta ke lënë diçka të bukur e të thellë. Edhe pse…». 

Edhe pse?

«Edhe pse është Botërori i 1990 ai në të cilin ndjeja se mund të bëja çdo gjë».

(Tommaso Pellizzari për Corriere della Sera)

In Memoriam: Një ditë në shtëpinë e Fan Nolit në Boston


Nga: Van Christo

Kur qeshë fëmijë, jetoja në Roxbury dhe kujtimet e të dielave në kishën e Shën Gjergjit fillojnë në moshën shtatëvjeçare. Nëna ime, Frosina, më kumtoi se do më merrte me vete në meshën e Pashkëve në mesnatë.

Kisha, asokohe, ndodhej në rrugën “Emerald”, në anën jugore të Bostonit. Kur pyeta se pse ime motër, Jolanda, nuk do të vinte me ne, mëma tha vetëm se ajo ishte, përnjëmend, e vogël. Kjo më bëri të ndihem i veçantë, pasi, asohere, besoja se qeshë me të vërtetë i rritur.

F.S.Noli

Pasi mëma më shtroi për të fjetur rreth orës gjashtë të asaj nate, në një karrige tek koka e shtratit ajo ndehu teshat më të mira; këmishë e kravatë të karfosura si s’ka më mirë, pantallonat e hekurosura teh, dhe këpucë të zeza lustrafine.

Kur u zgjova nga gjumi ime më kërkoi të vishesha, pasi për pak do niseshim për në kishë. Rrallëkush në lagjen tonë kishte makinë, kështu që na u desh të ecnim disa blloqe deri në rrugën “Tremont”, ku ishte stacioni i automobilave. Më kujtohet si sot dora e mëmës tek shtrëngon timen në nxitim e sipër përanash mejhanesh, derisa më në fund arritëm tek stacioni. Pas robtimit të rrugës deri në “South End”, më në fund zbritëm pranë rrugës “Emerald ku ndodhej kisha e Shën Gjergjit asokohe, dhe ime më tërhoqi përmes tre a katër blloqesh të tjera derisa arritëm dhe u futëm në ndërtesë nëpërmjet dy palë shkallësh të thikëpërpjeta.

Kisha e Shën Gjergjit,Boston

Kur u futëm brenda, teksa mëma siguroi qirinjtë, nuk mund të mos pikasja se të gjithë qëndronin në këmbë, përjashto një radhë stolash të zbrazët në atë anë të kishës ku uleshin të moshuarit. Gjithashtu vrojta se të gjithë ishin pajisur me teshat më të mira. Pashë një prej moshatarëve të lagjes, Naqin, gjithashtu karfosur si për, siç e quanim ne, të dielë, dhe, more, mund të na e shihje në sy hijeshinë e asaj nate! Por shpejt u lodha nga të ndenjurit në këmbë.

***

Megjithëse nuk mund ta shihja mirë një mesalt ishte ulur në diçka që ngjante me një kuti katrore në të dy anët e altarit, ku Fan Noli këndonte meshën në shqip shoqëruar nga dy psalme, teksa ai hynte e dilte në një dhomë të brendshme duke tundur një enë metalike varur në tre zinxhirë prej nga duhmonte temjani erëmirë. Çfarë do të thotë kjo, thashë me vete. Pastaj, për habinë time të mirë, vrojta se një prej koristeve ishte “xhaxha” Llambi Misho, i cili ia “kthente” Fan Nolit me shumë shend. Më kujtohet tek mendoja se Llambi këndonte me zë shumë më të lartë se koristi tjetër. Mesha dhe kori shpejt u bënë të mërzitshme dhe kthehesha në të dy anët duke kërkuar me sy ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë. Herë pas herë, mëma do më shkundte në sup për të më mbajtur të përqendruar në atë që ndodhte përballë meje. Fillova të ankohesha se isha i lodhur nga qëndrimi në të njëjtin vend, por ajo vetëm më shesh-sheshte. Pas një farë kohe gjindja filluan të ndiznin qirinj, gjë e cila më gjallëroi së tepërmi. Ime më’ u përkul për të ndezur qiriun tim, duke me treguar si ta mbaja.

Befasisht, një pjesë e dritave u fikën kështu që shkëlqimi i qirinjve sundoi duke krijuar një atmosferë sipërane, dhe më pas të gjitha dritat u shuan dhe kisha u zhyt në errësirë të plotë duke e lartësuar dridhëritjen e qirinjve. E mbajta frymën për një çast dhe pastaj nduka pallton e sime mëje duke e pyetur se pse u fikën të gjitha dritat. “Pusho”, tha ajo “sepse Krishti është këtu”. Gjithë frikë hodha sytë përreth; në fillim nga kupa e ngrehinës, dhe më pas, ngadalë, gjithë tavanin, e në fund në të gjitha anët. Pas pak e nduka përsëri pallton e mëmës dhe pyeta në pëshpërimën e pëshpërimave “po ku është, nuk e shikoj dot?”

***

Ndërsa studioja në Kolegjin e Arteve Liberale të Universitetin e Bostonit, shoku im më i ngushtë ishte Doug Richardson. U njohëm në shkollë të mesme në Jamaica Plain dhe, shpejt, u bëmë miq të mirë. Në universitet unë studioja anglisht, ndërsa ai qeverisjen dhe, si rrjedhojë, gjithmonë jepte pikëpamjet dhe opinionet rreth partive politike bashkë me komentet rreth ngjarjeve botërore. Si student i anglishtes më në korrent me Byron-in, Shelley-n dhe Keats-in nuk isha në gjendje të futesha në diskutime politike me Doug-un, gjë që më jepte ndjesinë e të “jashtmit”.

Por, u kujtova se Fan Noli, bishopi i Kishës Ortodokse shqiptare, njëherë e një kohë pat qenë kryeministër i Shqipërisë. Kështu që, meqë njihja një kryeministër të vërtetë, e pyeta Doug-un nëse donte të takohej me Fan Nolin dhe ai u përgjigj se do e konsideronte nder. Asokohe, Fan Noli jetonte në rrugën “Bladgen”, bash prapa Bibliotekës Publike të Bostonit në sheshin “Copley”. Më kujtohet se unë dhe Doug-u qemë veshur si s’ka më mirë teksa bëheshim gati të takoheshim me ish-kryeministrin e Shqipërisë. Rruga “Blagden” ishte e shkurtër dhe e ngushtë me shtëpi tre katëshe; në katin e dytë të njërës sysh jetonte Fan Noli.

Rruga “Blagden

Trokitëm në derë të cilën Fan Noli e hapi vetëm një të çarë, por mjaft sa të shihja se mbante veshur një këmishë të bardhë jakëhapur, një fanellë të gjelbër dalëboje, pantallona të errëta dhe pantofla. Pasi u prezantuam i thashë se isha një i afërm i Llambi Mishos, një prej mesharëve të tij në kishën e Shën Gjergjit.

***

Pas kësaj, Fan Noli hapi derën dhe na bëri shenjë të hynim. Banesa e tij ishte e zhveshur dhe e pamobiluar dhe dyshemeja nuk kishte shtroja. Por, gjithkund kishte libra; në rafte, mbi shkrimore, e madje, edhe përtokë.

Na bëri me shenjë të uleshim në divan, ndërsa vetë u ul në një karrige përballë nesh. I thashë Fan Nolit se Doug-u studionte Qeverisje në Universitetin e Bostonit dhe ishte i gëzuar që po takonte ish-kryeministrin e Shqipërisë. Doug-u filloi ta pyeste Fan Nolin se në ç’kohë ishte kryeministër, si mbërriti tek zyra e rëndësishme e qeverisë, cilat qenë disa prej arritjeve të tij si kryeministër, dhe pse, tani, ai ishte bishop në Boston.

Shpia ne Boston e F.S.Noli

Fan Noli priti me durim që Doug-u të mbaronte pyetjet dhe pastaj në një zë të qetë na informoi, por gjithnjë duke parë nga miku amerikan, si u bë kryeministër gjatë kohës së mbretit Zog, i cili kishte qenë ministër i Brendshëm dhe, më pas, president i Shqipërisë, përpara se të kurorëzohej. Ai foli gjithashtu rreth asaj që ai kishte shpresuar të realizonte si kryeministër, veçanërisht në reformën agrare, sepse Shqipëria ishte një vend shumë i prapambetur. Doug-u u impresionua dhe filloi ta pyeste Nolin rreth ngjarjeve botërore, sidomos rreth Kinës, e cila qe një nga lëndët e tij kryesore në kolegj. Fan Noli përçoi me përpikmëri dijenitë e tij rreth Kombeve të Bashkuara, Luftës së Ftohtë dhe, disa prej pozicioneve të mbajtura nga udhëheqës të ndryshëm botërorë përfshirë Chou En Lai-n, të cilin e quajti shumë inteligjent dhe të afrueshëm.

Unë isha shumë i impresionuar me anglishten e Fan Nolit dhe mënyrën me të cilën ai argumentoi të dyja anët e një pozicioni politik të asokohe. Zëri i tij gradualisht u bë më i fortë dhe shpirtëror teksa zhytej thellë në analizat e pozicionit politik para të cilit gjendej. Ishte një pasdite stimuluese. Takimi me Fan Nolin zgjati rreth dy orë dhe, teksa po bëheshim gati për të ikur, u ndjeva krenar dhe i përkëdhelur kur ai ngrohtësisht na ftoi ta vizitonim përsëri.

(Autori, veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan, ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, në 21 janar 2020)

Korça,Elbasani dhe Kukësi, qarqet me numrin më të ulët të aborteve

 

Demografia e Shqipërisë ka hyrë në një cikël krize, prej emigracionit të lartë, rënies së numrit të lindjeve, rënies së martesave, rritjes së divorceve dhe aborteve të larta gjithashtu.Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të raportuara nga INSTAT, qarqet e Vlorës, Beratit dhe Tiranës kishin numrin më të lartë të aborteve në raport me numrin e lindjeve të gjalla më 2017, pasi gati 25 % e shtatzënive janë ndërprerë.

Në Vlorë u shënuan 274 aborte për 1000 lindje të gjalla, ndërsa Berati u rendit i dyti në 12 qarqet e vendit për numrin e lartë të aborteve, pasi në vitin 2017 rezultuan 231 aborte për 1000 lindje të gjalla. Në Tiranë numri i aborteve gjithashtu ishte i lartë, pasi si rezultuar 231 ndërprerje shtatzënie për 1000 lindje të gjalla.

Në krahun tjetër numri më i ulët i aborteve ishte në qarkun e Kukësit ku rezultuan vetëm 54 aborte për 1000 lindje të gjalla, gjithashtu në Elbasan ishin vetëm 55 aborte për 1000 lindje.

Në qarqet e Korçës, Dibrës dhe Shkodrës numri i aborteve ishte më i ulët se mesatarja kombëtare.

Në vitin 2017 në shkallë kombëtare numri i aborteve ishte 171 për 1000 lindje.

Në 5 vitet e fundit, vihet re një ulje e ndjeshme e lindjeve, shoqëruar dhe me ulje të numrit të aborteve gjithsej.

Në vitin 2017, raporti i numrit të lindjeve me abortet është 1 abort në 5.8 lindje. Raporti i abortit është indikator që ka pësuar rënie me rreth 15 %, krahasuar me vitin 2013.

Numri i aborteve jo domosdoshmërisht shkon paralel me numrin e lindjeve të gjalla. Ka qarqe si Gjirokastra dhe Vlora ku numri i tyre i lindjeve është relativisht i ulët, por raporti i abortit rezulton i lartë.

E kundërta ndodh për qarqet e Tiranës dhe Elbasanit ku numri i lindjeve është i lartë, por kjo nuk reflektohet tek raporti i aborteve/Monitor.

‘Nuk kam nevojë për makina e shtëpi luksoze, çdo muaj dërgoj në shtetin tim para për njerëzit e mi’

 

Futbollisti senegalez Sadio Mane u përqesh nga disa fansa të tij por edhe të tjerë, për faktin se u fotografua me një telefon me xham të plasaritur.Meqë shoqëria nuk e duron faktin që një i famshëm të ketë diçka të shkatërruar apo të rëndomtë, dukuri kjo e tmerrshme, Mane e pati një përgjigjje për këto ‘sulme’ ndaj tij.

“Pse makina luksoze, orë diamanti apo aeroplanë? Çfarë do të bëjnë këto objekte për mua dhe botën? Isha i uritur dhe duhej të punoja. I mbijetova kohëve të vështira. Kam luajtur futboll zbathur. Nuk kisha edukim. Me atë që fitoj falë futbollit, mund t’i ndihmoj njerëzit e mi. Unë ndërtova shkolla dhe një stadium. Ne ofrojmë rroba, këpucë dhe ushqim. Në rajonin tim të origjinës në Senegal, dërgoj një pagë shtesë prej 70 euro në muaj për të gjithë ata që kontribuojnë në familjen e tyre. Nuk kam nevojë të ekspozoj makina luksoze, shtëpi luksoze, udhëtim madje me aeroplanë. Preferoj që njerëzit e mi të marrin disa nga ato që mua më ka dhënë jeta.

Sadio Mane

Kësisoj u përgjigj kritikave 27 vjeçari nga Sedhiou i Senegalit, i cili thuhet se ka një pasuri prej 18 milion dollarësh.

Ai momentalisht luan për Liverpool dhe për kombëtaren e Senegalit. Padyshim ai është një ndër futbollistët më të mirë në botë.

Arlinda Morava, emocione artistike në Bukuresht

 

“Nuk e kam ditur sa e bukur është gjuha shqipe po të mos e dëgjoja të këndohej nga kjo qënie e mrekullueshme si Arlinda“.

Me këto fjalë aktorja rumune Theodora Stanciu ju drejtua publikut që vazhdonte të duartrokiste artistët në skenë.Ky ishte bashkëpunimi i parë yni bashkë me Teodorën, por ne artistët kemi nevojë për ju publik i dashur që të vazhdojmë e të sjellim emocione, kulturë, art dhe edukim” u shpreh sopranoja Arlinda Morava.

Arlinda Morava

U mbajt në Bukuresht në mbrëmjen e së shtunës së 25 janarit 2020 spektakli me titull “Șapte”(Shtatë).

Protagonistë të kësaj mbrëmjeje ishin 7 artistë midis të cilëve sopranoja shqiptare Arlinda Morava. Nëse ndonjëherë do të duhej të rendisnim artistët që arrijnë të lidhen shpejt me publikun në sallë, me siguri në vendet e para do të renditej Arlinda Morava. Publiku në sallë nuk e kursen simpatinë dhe ngrohtësinë për këtë këngëtare e cila nga ana e saj i mbërthen me lojën e saj skenike.

Intepretimi lirik në gjuhën shqipe Moravës i ndërthurur me interpretimin e aktores rumune Stanciu shoqëruar nga instrumentistët e Kuintetit “Arte”, ishte një emocion më vete. “Kur më vjen burri nga stani” ishte një nga këngët që sopranoja interpretoi dhe që përfshiu natyrshëm publikun në sallë, i cili dukej sikur u familjarizua shpejt edhe me tingellimin shqip.

Me tej Morava interpretoi disa nga këngët e repertorit rumun mbështetur kenget e vjetra te folklorit.

Pjesarët e kuintetit “Arte” që shoqëronin interpretueset janë instrumenistë të Orkestrës së Radios të nderuar me shumë cmime.

I konceptuar në idenë e interpretimit të fjalës poetike, interpretimit vokal dhe atij instrumental  shfaqja  solli në skenë emocionet e bukura të përjetimit artistik.

Shtatë ishin artistët: Arlinda Morava, Theodora Stanciu, Alexandru Marian, Tiberiu Branga, Iulian Popovici, Bogdan Postolache, Marius Iancu. Shtatë ishin çastet muzikore dhe  shtatë frymëmarrje nga krijimtaria poetike e:  Rudyard Kipling, Nichita Stănescu, Nina Cassian, Nâzım Hikmet dhe Ion Luca Caragiale.

Shfaqja me titull “Shtatë” u mbajt  në sallën “Iosif Naghiu” të Muzeut Kombëtar të Letërsisë Rumune.

Kjo mbrëmje organizohej nga  Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune dhe Teatri i Dramaturgëve Rumunë.Burimi opusalb

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes”

 

15 mendime interesante mbi dashurinë.

“Ajo ishte e gatshme të mohonte ekzistencën e hapësirës dhe kohës, më shumë se sa ta pranonte se dashuria mund të mos jetë e përjetshme.”
– Simone de Beauvoir

“Është e lehtë të biesh në dashuri. Pjesa e vështirë është gjetja e personit që do ta shkaktonte atë.”
– Bertrand Russell

“Në dashuri, ne shpesh e dyshojmë atë që më së shumti e besojmë.”
– François de La Rochefoucauld

Albert Einstein

“Gravitacioni nuk është përgjegjës që njerëzit bien në dashuri.”
– Albert Einstein

“Secila dashuri, sa do qiellore që mund të duket, rrënjët e saj i ka në instiktin seksual.”
– Arthur Schopenhauer

“Dashuria është emri për përpjekjen tonë për plotëni; për dëshirën tonë për të qenë komplet.”
– Plato

“Oh, dashuria nuk është këtu për të na bërë të lumtur. Unë mendoj se ajo ekziston për të na treguar se sa shumë mund të durojmë.”
– Herman Hesse

Kahlil Gibran

“Dashuria e vërtetë nuk e njeh thellësinë e saj deri në momentin e ndarjes.”
– Kahlil Gibran

“Sa më shumë që ke sukses në dashuri, aq më shumë do të bindesh në ekzistencën e Zotit dhe në pavdekshmërinë e shpirtit.”
– Fyodor Dostoevsky

“Dashuria pushton çdo gjë, prandaj le ti nënshtrohemi dashurisë.”
– Virgil

“Ata që është më së vështiri për t’i dashuruar, kanë më së shumti nevojë për të.”
– Socrates

“Dashuria është një gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ashtu siç ato nuk janë.”
– Friedrich Nietzsche

“E dini që jeni të dashuruar kur nuk mund të flini, sepse më në fund realiteti është më i bukur se sa ëndrrat e juaja.”
– Dr. Seuss

“Kur dashuroni, ju dëshironi të bëni diçka për të. Dëshironi të sakrifikoni për të. Dëshironi ti shërbeni asaj.”
– Ernest Hemingway

“Një grua e njeh fytyrën e burrit që e dashuron, ashtu siç detari e njeh detin e hapur.”
– Honore de Balzac

Mos qaj, mos qaj, Mos qaj per vdekjen o njeri – 5 vite pa yllin e rrokut Shqiptar, Gentian Demaliaj

 

Sot më 27 Janar 2020, është 5 vjetori i ndarjes nga jeta i kantautorit të njohur të viteve ’90, njërit prej yjeve të rrokut Shqiptar, të paharrueshmin Gentian Demaliaj. Nderim dhe respekt.

Gentian Demaliaj lindi dhe u rrit në qytetin e Lezhës.

Ai ishte vokalisti i grupit “Djemtë e Detit”

Gentian Demaliaj dhe vajza e tij

Gentian Demaliaj dhe grupi i tij “Djemtë e Detit” u krijua ne vitin 1990. Kënga e parë hit e tyre ishte kënga për Jakup Ferrin, e cila befasoi jo vetem publikun, por tronditi edhe artistët e skenës shqiptare.

“Djemtë e Detit”

Ne vitin 1997 grupi u rikthye me një tjetër këngë të fuqishme, “Mos qaj”, baladë e cila i kushtohej dhimbjes njerëzore dhe fatit të rinjve shqiptar që përjetuan ngjarjet e viteve ’95 – ’97.

Disa prej hiteve të grupit “Djemtë e Detit” janë: “Jakup Ferri”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Epos”, “Mos qaj”, etj.

Bashkëshortja Rudina gjatë një interviste të disa viteve më parë, përpos kujtimeve nga jeta e tyre personale, ajo tregoi edhe historitë që shoqëruan shkrimin e tekstit të dy prej këngëve të tij më të njohura “Mos qaj” dhe “Jo tani”. Genti dhe Rudi nga martesa e tyre kanë dhe një vajzë Edean.

Familja e Gentian Demaliaj

Ajo pranoi se tekstin e këngës “Mos qaj” e kishin shkruar të dy, duke qenë se lidhej me ndarjen nga jeta të një prej shokëve të Gentit, ngjarje që padyshim i preku shumë.

Në fund të vitit 1998 grupi “Djemtë e Detit” u shpërbë dhe Genti iu drejtua njeë tjetër ëndrre, aktrimit.

Eksperienca e parë në film ishte ajo në “Lule të kuqe, lule te zeza”.

Grupi u ribashkua më vonë, dhe në vitet 2000 ata sollën edhe albumin “Epos”.

E kujtojmë me respekt dhe mirënjohje këtë pionier të rrokut shqiptar. Nderim dhe respekt i përjetshëm.Naishtedikur.info

“Djemtë e përkryer nuk ekzistojnë, por ekziston gjithmonë një djalë që është i përkryer për ty”

 

Të gjithë e njohim Bob Marley-n, ndërkaq fjalët dhe muzika e tij do të jetojnë përgjithmonë.

Këngët e tij kanë qenë të mbushura me tekste domethënëse të cilat na inkurajojnë të gjejmë një qëllim më të lartë në jetën tonë.Marley shpeshherë e ka kundërshtuar varshmërinë për t’i ndjekur paratë dhe për të mbledhur vetëm gjëra materiale.
Ai ka besuar se ka gjëra më të rëndësishme në jetë sesa konsumimi perëndimor.

Më poshtë keni disa thënie nga ai të cilat do t’jua ndreqin ditën dhe do t’ju inspirojnë.

Bob Marley

– “E vërteta është se çdo njeri do t’ju lëndojë;ju thjesht duhet ta gjeni personin për të cilin ia vlen të vuani”

– “Madhështia e njeriut nuk qëndron në atë se sa pasuri ka, por në integritetin dhe aftësinë për të ndikuar pozitivisht te njerëzit rreth tij” 

– “Disa njerëz e ndjejnë shiun, tjerët vetëm lagen”

– “Hapi sytë, shiko brenda teje. A je i/e kënaqur me jetën që je duke e jetuar?”

– “Askush përveç vetës sonë nuk mund të na lirojë mendjen”

– “Çdo njeri e ka të drejtën ta caktojë fatin e vet’

– “Njeriu është univers brenda vetvetes”

– “Asnjëherë nuk e dini sa të fortë jeni derisa të qenit të fortë është zgjedhja juaj e vetme”

Bob Marley

Fragment nga Bob Marley

“Ai nuk është i përkryer. Nuk je as ti dhe as ju të dy nuk do të jeni kurrë të përkryer. Por nëse të paktën njëherë mund t’ju bëjë të qeshni, ju bën të mendoni dy herë, dhe nëse ai e pranon se është njeri dhe bën gabime, mbahuni pas tij dhe jepini atij sa më shumë mundeni.

Ai nuk do ju citoj poezi, nuk do të mendojë për ty çdo minutë, por ai do të ta jap një pjesë të tij të cilën ai e di se ti mund ta thyesh. Mos e lëndo atë, mos e ndrysho atë, dhe mos prit më shumë se sa që ai mund të jap.

Mos analizo. Qesh kur ai të bënë të lumtur, bërtit kur ai të zemëron dhe përmallohu për të kur ai nuk është me ty. Dashuro shumë kur ka dashuri, sepse djemtë e përkryer nuk ekzistojnë, por ekziston gjithmonë një djalë që është i përkryer për ty.”

Në mos u shove fare, Ndizu, zemra shqipëtare!

 

Nje poezi qe nuk harrohet nga F.Konica, mjaft aktuale edhe pse kalon koha:

Poezi e botur me 1901 nga Faik Konica

“Vajtim për robëri të shqiptarëve”

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Faik Konica

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!