“Kur prindërit të mos jenë më, asgjë nuk do të jetë më si më parë” shkrimi që përloti miliona njerëz

 

Kur prindërit tanë ikin nga kjo jetë, asgjë nuk është më e njëjtë. Ne nuk mund të jemi më fëmijë, nuk ndihemi të mbrojtur nga përqafimet e tyre, puthjet e tyre dhe fjalët e tyre të inkurajimit. Duket se jeta bëhet më e vështirë sepse nuk kemi më strehën tone mbrojtëse.

Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e vështirë, e trishtueshme dhe e dhimbshme në çdo moshë e kohë. Edhe nëse e keni krijuar familjen tuaj, figura e prindërve tuaj është gjithmonë pranë jush ose të paktën në mendjen tuaj, ajo nuk ikën kurrë. Të gjithë, edhe nëse të rritur, ne kemi atë fëmijën e brishtë brenda nesh që dëshiron të mbrohet nga prindërit e tij.

Ndaj shkoni tek ata sot, shkoni menjëherë për t’i dhënë dashurinë tuaj të pakushtëzuar: Kur ata të mos jenë më me ne, nuk do të jemi më në gjendje ta bëjmë këtë.

Kurrë nuk do të jemi gati për t’i dhënë lamtumirën. Duke ditur se nuk do t’i shohim më kurrë, se nuk do të jemi në gjendje t’i përqafojmë, është gjëja më e vështirë për t’u imagjinuar. Koha për të kaluar pranë njerëzve me të vërtetë të dashur nuk është kurrë e mjaftueshme. Ikja e prindërve nga kjo botë është një fatkeqësi e madhe, kurrë nuk kapërcehet plotësisht. Mund të pranohet, por nuk mund të kapërcehet.

Jo vetëm që trupi i prindërve nuk është më, por edhe një pjesë e juaja shkon me ta. Kujtimet e bukura, dashuria e tyre, streha jonë … gjithçka ikën larg. Një ditë mund të ndihesh fajtor që nuk i dhe një rëndësie të veçantë të gjithë kësaj. Nëse keni ndonjë konflikt të pazgjidhur me prindërit tuaj, rregullojeni atë, ju duhet të keni një marrëdhënie të mirë dhe të përpiqeni të jeni gjithnjë të kënaqur me njëri-tjetrin. Jini të vetëdijshëm se nuk do të jenë përgjithmonë me ju.

 

Skënderbeu me “armatë” të cunguar, Daja duhet të gjejë zgjidhje për të mundur Tiranën e plotë

 

Barazimi me Bylisin nuk ishte nota e vetme negative e Skënderbeut në këtë moment. Sikur të mos mjaftonte humbja e dy pikëve në një ndeshje e cila duhet të ishte fituar, probleme të reja shtohen për trajnerin Ilir Daja në pritje të transfertës delikate përballë Tiranës. Skënderbeu duket se do të humbë sërish dy pjesë të rëndësishme të sulmit të vet, duke bërë që faza ofensive të jetë në emergjencë të plotë.

Bëhet fjalë për mungesën e Blerim Krasniqit dhe Zhan Ndekit, të cilët nuk do të jenë të pranishëm me shumë mundësi në dy ndeshjet e radhës, qoftë në Kupë kundër Besës, ashtu edhe në kampionat kundër Tiranës. Mungesa të cilat u ndjenë jo pak në radhët e korçarëve në ndeshjen e fundit të barazuar në shtëpi përballë Bylisit.

Ilir Daja

Krasniqi – Pa dyshim që mungesa më e madhe prej javësh te Skënderbeu është ajo e Blerim Krasniqit. Sulmuesi kavajas i Skënderbeut vazhdon të ketë problem me tërheqjen muskulore dhe ende nuk duket se është gati për t’u bashkuar plotësisht nën urdhrat e trajnerit bardhekuq. Pavarësisht se prej ditësh shtatlarti i Skënderbeut është bashkuar me grupin duke kryer një pjesë të stërvitjes me ekipin, problemet për të vazhdojnë. Nga sa bëhet me dije, lojtari ka vështirësi për të vrapuar, dhe për sa kohë është duke vijuar me ritëm normal, gjithçka duket pa probleme. Por në momentin kur duhet të përdorë më shumë se 80% të shpejtësisë së tij në një sprint, atëherë problemet shfaqen. Kjo kushtëzon prezencën e tij në fushë për ndeshjet e radhës, pasi edhe stafi teknik nuk kërkon të rrezikojë jo vetëm një dëmtim më të madh, por edhe një zëvendësim të detyruar pas disa minutash loje.

Ndeki – Ndryshe qëndron situata për Zhan Ndekin. Senegalezi mungoi në ndeshjen ndaj Bylisit për shkak të gjendjes gripale e cila tashmë duket se ka kaluar, por një tjetër problem ka dalë për lojtarin. 22-vjeçari ka shfaqur shenja dhimbjeje në fundin e muskujve të barkut. Dëmtim ky i cili duket se është shkaktuar nga terreni shumë i butë si pasojë e shkrirjes së borës në fushë. Një dëmtim i tillë duket se kërkon të paktën katër deri në gjashtë ditë për t’u normalizuar që do të përkthehet ndryshe në një mungesë të sigurt ndaj Tiranës.

Formacioni – Me të gjitha këto mungesa, trajneri i Skënderbeut do të ketë nevojë për ndryshime edhe në formacion për ndeshjen ndaj Tiranës. Gjithsesi, përtej alarmit në kampin bardhekuq, trajneri i Skënderbeut nuk kërkon të shohë aq larg deri në ndeshjen me Tiranën që luhet ditën e shtunë. Daja ka kërkuar nga ekipi fokus te takimi i të mërkurës në Kupë ku kundërshtar do të jetë Besa. Pavarësisht se thuajse i kualifikuar pas fitores 0-2 në ndeshjen e parë në transfertë, numri një i pankinës korçare kërkon përqendrim maksimal për të mos ia vështirësuar vetes më shumë pozitën, qoftë kjo edhe në Kupë.Panorama Sport

Guardiola e Messi te Juventusi – si do të rreshtohej ‘Zonja e Vjetër’

Juventusi me shume gjasa në verë do të bëjë ndryshime në stafin teknik dhe në krye të ekipit po punohet që të vihet Pep Guardiola.Zonja e Vjetër përveç pëlqimit për trajnerin, do të mundohen t’i ofrojnë edhe disa lojtarë që ai i pëlqen.

Janë një numër i lojtarëve të njohur që kërkojnë largimin nga klubet e tyre dhe me Guardiolan në krye, do të ishte më e lehtë që të ofroheshin në Torino.

SunSport shkruan se Juve po përgatit një ofertë që ta sigurojë marrëveshjen me Guardiolan që në këtë verë.

Nëse Guardiola do të vazhdonte te City edhe një vit, do të qëndronte më gjatë në kët klub se sa te Barcelona dhe Bayern Munich.

Juventusi është një nga klubet më të pasura në botë dhe kanë potencial që të mbyllin disa marrëveshje.

Në krye të listës është Lionel Messi që thuhet se është i pakënaqur me jetën në Barcelonë dhe mundësia për t’u ribashkuar me trajnerin e tij të vjetër mund të nxisë interesim për të.

Ai do ta krijonte një dyshe të madhe me Cristiano Ronaldon.

Po ashtu disa lojtarë aktual si Miralem Pjanic, Paulo Dybala dhe Leonardo Bonucci përshtaten me stilin e lojës së Guardiolas.

Wojciech Szczesny shihet si numër një për portë.

Po ashtu një lojtar që nga Juve aktualisht dhe luan te City është Leroy Sane.

I fundit është Thomas Meunier i Paris Saint-Germain, që kontrata e tij skadon së shpejti me klubin francez.

“Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari”

 

Thënie nga Dostojevski

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

  1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
  2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
  3. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
  4. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
  5. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
  6. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
  7. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
  8. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
  9. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
  10. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
  11. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
  12. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
  13. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
  14. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
  15. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.

Daja: nje hap kualifikimit ne kupe,pergatitje per Tiranen qe po kalon formë të mirë

 

Skënderbeu do të luajë ditën e nesërme me Besën e Kavajës, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë.

Korçarët e fituan ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 dhe nesër kualifikimin do ta kenë formalitet.

Ilir Daja

Megjithatë Daja kërkon përqendrim nga skuadra e tij për këtë ndeshje, teksa më pas shprehet se do të fillojnë përgatitjet për Tiranën.

“Kemi bërë një hap të rëndësishëm në ndeshjen e parë, por Kupa ka një specifikë, që nuk mbyllet me 90 minuta por me 180 minuta.Më pas do të përgatitemi për Tiranën, të cilët vijnë pas një forme të mirë, ashtu si edhe ne. Por ato vijnë nga disa fitore radhazi, ndërsa ne kemi humbur disa pikë.”, u shpreh Daja.

Pëllumb Kulla flet për Sanremo: trishtim i madh, kur ve re që triumfin e sulmuan shumë komente negative

 

Nga Pëllumb Kulla

PËRGËZIME, ALKETA!Unë ndjeva një kënaqësi të madhe aty dy netë më parë, kur ti kurorëzove një ambicie të bukur dhe e bëre atë më së miri.

Sinqerisht gëzoj tok me ty, moj vajzë, që dole në atë arenë dhe u ndeshe me frikën dhe përgjegjësinë tënde, u ndeshe me konkurrentet e tua, shpërbleve ata që guxuan ndofta pa shumë besim të të hapnin portën e madhe të ëndrrës tënde të florinjtë.

Alketa Vejsiu

Ti u ndeshe me keqdashës italiane, por sidomos me një lukuni bashkëpatriote, që priste me frymën pezull të dështoje e deshën megjithëqë shpirt që ti “të thyeje qafën” në majën alpine, ku pate kullotur ëndrrat e tua.

Nuk kish gjë më të bukur se ajo sfida dhe triumfi yt!

Mos u mërzit për zhurmën, sharjet, vërejtjet e talljet, që bëjmë ne që nuk ta duam suksesin. Ne jemi të pazotët të shquhemi, ne nuk kemi forcë, durim, vullnet këmbëngulje.

Ne, të pazotët, do të jemi shumë të lumtur, që askush të mos i ketë ato. Ne jemi më të qetë kur nuk shohim fitoret e atyre që njohim e që kemi hedhur shtat njëkohshëm. Mos, moj Alketa, mos! Mos, moj vajzë, se me atë që bëre, na e vure hapur në dukje që ne nuk jemi të zotë për ndërmarrje të tilla drithëruese.

Alketa Vejsiu, të përgëzoj për atë shpalosje mbresëlënëse të ndjenjave të tua, në atë gjuhë të bukur të folur shkëlqyeshëm, lirshëm, si një gurgullimë e ëmbël për veshët e italianëve që të vlerësuan. Them se e njoh italishten aq sa ta fuqizoj përgëzimin. Ndonjë gabimth i rrallë, shumë i rrallë, ishte paradoksalisht aleat i yt, për të dëshmuar se ti nuk ishe italiane, por e zotëroje gjuhën e tyre më mirë se miliona italianë! Ishte një dëshmi e bukur se sa shumë ke punuar për të përvetësuar atë shqiptim e atë rrjedhë që të kënaqte veshin.Unë jam një njeri i moshuar dhe shumë e shumë vite më parë se ty, kam ecur nëpër ata shtigje, nëpër ato ëndrra dhe tek ty shihja veten, por këtë herë të trupëzuar në një bukuroshe rrëzëlluese, që përballte një audiencë me shije të holla. M’u duk se triumfoja tok me ty, unë, që nuk i a ndaja dikur veshin asaj radios së vjetër për “tutto il calcio minuto per minuto”, për Varietá-të e Canzonissimat e panumërta, për të ndjekur Mike Bongiornon, Alighiero Noschesen e Gigi Proiettin. Më shpluhurose kujtimet mbi leximet e mia të De Amicisit, Pirandellos, e më pas të Buzzatit…

Të tëra i gjeje në monologun tënd virtuoz. I tëri i besueshëm homazhi yt. Bëre shumë mirë që rikujtove suksesin e Ermal Metës. Por unë e quaj edhe më të suksesshëm e më të vështirë “alpinizmin” tënd artistik, që ishte më i vetmuar, më i pa mbështetur në atë aventurë brilante të shfaqjes së bukurive të tua.

Është një trishtim i madh, kur ve re që triumfin tënd e sulmuan shumë komente negative. E veçanta e tyre është zhurmërima.

Por janë mijëra herë më të shumtë ata, të heshturit, që kanë gëzuar tok me ty.

Përgëzime, Alketa, e mbarësi paç në këtë rrugë të ndritur ku po ecën me siguri të plotë!

 

Elvana Gjata provon eksperiencën më të çmendur në jetën e saj (Video)

 

Këngëtarja shumë e suksesshme dhe shumë e pëlqyer nga publiku, Elvana Gjata prej disa ditësh ndodhet në Islandë, ku po punon për këngën e re.

Sot në Islandë, Elvana ka provuar një nga eksperiencat më të çmendura duke i dhënë një motorri në mes të borës dhe të ftohtit të acartë. Eksperiencën këngëtarja e ka filmuar duke e publikuar më pas në Instagram.

Elvana Gjata

“Kjo është një nga eksperiencat e mia më të çmendura që kam bërë ndonjëherë”, shpreh Elvana dhe me humor shton se po vdes për bukë.

https://www.instagram.com/p/B8bfC5Rpmxo/?utm_source=ig_web_copy_link

VIDEO/ Rike Roci dhe Erjona Sulejmani në stadium, ‘ndezin’ derbin Inter – Milan!

Rike Roci dhe Erjona Sulejmani janë gjithmonë në qendër të vëmendjes.Dy bukuroshet shqiptare njihen si tifoze të çmendura të futbollit dhe në fundjavë ishin së bashku në “San Siro” për të ndjekur derbin Inter – Milan.

Erjona bënte tifo për zikaltrit dhe doli nga ndeshja e gëzuar, ndryshe nga mikja e saj, që ka në zemër Milanin të cilët pësuan një humbje shokuese.

Interi po humbte 0-2 gjatë pjesës së parë, por në 45 minutat e dyta arritën të shënonin katër gola për rezultatin përfundimtar 4-2.

E prek Shqipërinë stuhia “Ciara”? Sinoptikania sqaron: Ja si do të ndikojë, të premten do të ketë…

 

Moti i keq që parashikohet të prekë të gjithë vendin ditën e premte nuk do të jetë si pasojë e stuhisë “Ciara” që ka goditur Evropën me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, duke shënuar edhe viktima.Në një lidhje telefonike për “News24” sinoptikania Adiola Bani tha se reshjet e shiut do të arrijnë deri në nivel mesatar, ditën e premte. Ndërkohë, sipas parashikimit të sinoptikanes, stuhia “Ciara” do të ndikojë shumë pak te moti në vendin tonë, pikërisht ditën e premte, e cila për pasojë, do të sjellë një rënie temperaturash ditën e shtunë.

“Vendi jonë do mbetet në periferi të kësaj stuhie, duke bërë që ne të kemi reshje shiu dhe dëbore në sasi shumë të pakta. Dita e premte do sjellë sasi më të konsiderueshme të reshjeve të shiut, me intensitet mesatar, ndërsa në zonat malore do të kemi reshje dëbore. Stuhia “Ciara” na prek shumë pak. Te ne ndikon duke sjellë ditën e premte reshje shiu me intensitet mesatar, por jo në sasi të konsiderueshme, duke mos sjellë përmbytje, pasi sasia e reshjeve nuk do të jetë shumë e madhe. Sa i përket temperaturave, deri të premten do të mbeten të larta, ndërsa e shtuna do sjellë rënie të temperaturave në mëngjes, që zbresin deri në -4 në zonat malore. Të premten do të ketë temperatura të larta, duke bërë që të mos kemi reshje dëbore”, tha sinoptikania Bani.

E trishtë/ Pele ka rënë në depresion, e konfirmon i biri

 

Një lajm i trishtë vjen nga Brazili. Legjenda e futbollit, Pele, është duke kaluar një moment të vështirë në jetën e tij.I ndikuar nga gjendja e tij jo e mirë shëndetësore, braziliani ka rënë në depresion dhe nuk dëshiron të shfaqet në publik.Ish-futbollisti i mirënjohur në muajin tetor do t’i mbushë 80 vjet dhe ka nevojë për pajisje ndihmëse që të ecë për shkak të problemit disavjeçar në ije.Në shumicën e paraqitjeve të fundit publike, ai ka qenë në karrocë, ndërsa tashme po turpërohet për gjendjen e tij.Kjo gjë është konfirmuar nga djali i tij Edinjo.

Ai thote :

Pas një transplanti, ai është i brishtë sa i përket lëvizjes. Kjo i shkakton atij një depresion të caktuar, sepse ai nuk mund të ecë mirë, vihet në siklet, sepse nuk dëshirojnë ta shohin në atë gjendje. Në përgjithësi, duke marrë parasysh moshën, ai po shkon mirë, por ai nuk mund të ecë normalisht. Ai ecën vetëm me ndihmën e një shoqëruesi.

Madje mund të them se është përmirësuar, sepse më parë mund të lëvizte vetëm me karrige me rrota. Ai gjithmonë ka qenë një figurë imponuese, ndërsa sot lufton që të ecë. Kjo e frikëson atë, e vë në siklet. Ai ende ka vështirësi të lëvizë , për këtë arsye ai nuk dëshiron të dalë, të shihet. Praktikisht është gjithmonë në shtëpi dhe jeton pothuajse i tërhequr ”.