Skënderbeu përforcon prapavijën,afron në ekip dy futbollistë të tjerë

Skënderbeu shton “marshin” në merkato. Pasi mori Ditmar Bicajn, klubi po bën çmos që t’i përmbushë dëshirat Julian Ahmatajt. Edhe pse nisën me vonesë e mes shumë dilemash për të ardhmen, klubi tashmë e ka ndarë mendjen: Do të ndërtojë një ekip kompetitiv për sezonin 2020-2021. Kur kanë mbetur edhe 21 ditë deri në mbylljen zyrtare të tregut të shitblerjeve, drejtuesit regjistrojnë afrimin e radhës.

QAQI – Ashtu sikundër pati paralajmëruar “Panorama Sport”, bardhekuqtë marrin shërbimet e Harallamb Qaqit. Me të dhe Bicajn, stafi teknik nuk do të ketë më dhimbje koke për qendrën e mbrojtjes. Lojtari i është bashkuar grumbullimit, duke u bërë afrimi i dytë zyrtar i korçarëve. Ardjan Takaj kishte ditë që bisedonte me 26-vjeçarin, e megjithatë akordi është arritur vetëm dje.


Një takim i zhvilluar në “Tropikal” ka sjellë mbylljen e marrëveshjes dhe direkt lojtari është vënë nën urdhrat e trajnerit elbasanas. Ai kthehet në Shqipëri pas një aventure në Qipro. Kujtojmë se më herët ka luajtur për Laçin dhe Kukësin, ndaj nuk do ta ketë aspak të vështirë përshtatjen me Kategorinë Superioren. Me afrimin e dy qendrave, Skënderbeu kompleton kështu mbrojtjen. Në krahun e djathtë llogaritë do t’i bëjnë me Jorgo Meksin (gjithnjë nëse shitet) dhe majtas është në gatishmëri Govori.

IVANI – Me afrimet në repartin që ka pasur më shumë rrjedhje, tashmë vëmendja kthehet nga ofensiva. Pa Bregun, Gripshin dhe Krasniqin kanë mbetur jo vetëm “bosh”, por mbi të gjitha kanë humbur cilësinë. Aktualisht ka mbetur vetëm Mensah dhe Pusi, ndaj drejtuesit janë hedhur në kërkim të një lojtari që të garantojë golat. Ditët e fundit është bashkuar me ekipin edhe sulmuesi Paulo Ivani, i cili sezonin e fundit la shenjë me Devollin në Kategorinë e Parë. Ai është një produkt i bardhekuqve dhe mbi të gjitha një “xhol”, pasi mund të luajë në disa pozicione. Është vetëm 23 vjeç dhe mbi të gjitha ka cilësi, të cilat janë nuhatur direkt edhe prej trajnerit. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, atëherë korçari do të ketë një vend të rëndësishëm në Skënderbeun e ri.

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.