Skënderbeu “djeg” 1 milion euro, ja situata me 2 talentet e klubit

Mbeten pezull dy transferimet e Agon Elezi dhe Jorgo Pellumbi .Nëse deri para një muaji mund të quhej gjithçka e mbyllur, sot gjithçka ka ngecur. Ideja e shpalljes së falimentit dhe bllokimi i merkatos ka lënë në vendnumëro shitjen e dy futbollistëve. Negociatat janë frenuar, duke i hequr mundësinë klubit që të përfitonte afro 1 milion euro.

Elezi – Rrugët e mesfushorit nga Shkupi dhe Skënderbeut dukshëm u ndanë në javën e fundit të sezonit të shkuar. Agon Elezi nuk ishte pjesë e ekipit në ndeshjen me Partizanin, pasi drejtuesit po punonin për mbylljen e marrëveshjes me Boavistën.


Akordi me portugezët ishte thuajse gati, madje ishte caktuar që korçarët do të merrnin 400 mijë euro prej shitjes së tij dhe vetë 19-vjeçari do të përfitonte një pagë prej 5 mijë eurosh në muaj. Por enturazhi i Skënderbeut që po meditonte falimentin, i bëri një kërkesë klubit luzitan për të “frenuar” për momentin transferimin. Dhe aktualisht e ardhmja e mesfushorit është e paqartë.

Pëllumbi – E ngjashme është deri diku edhe historia e qendërmbrojtësit korçar, që do të kalonte te Shturm Grac. Austriakët nuk e pranuan frenimin e tratativës për blerjen e Jorgo Pëllumbit, pasi donin që ta kishin pjesë të organikës gjatë gjithë fazës përgatitore (në mënyrë që lojtari të ambientohej me ekipin e ri). Kjo ishte arsyeja që klubi nga Austria u tërhoq përfundimisht nga ky “operacion”.Dhe ky vendim u mohoi korçarëve të drejtën për të arkëtuar plot 500 mijë euro.

Kjo ka bërë që bardhekuqtë të shohin të tjera opsione për 20-vjeçarin. Ata janë duke biseduar me dy klube kroate dhe burime pranë klubit bëjnë me dije se palët e kishin lënë që të takoheshin menjëherë pas përfundimit të grumbullimeve të ekipeve kombëtare. Mësohet gjithashtu se Osijeku është ekipi që u afrohet në përqindje më të madhe kërkesave të Skënderbeut.

Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.