Duka: Në tetor 4-5 lojtarë nga Shpresa do ftohen në kombëtaren A

Presidenti i FSHF, Armando Duka ka folur mbi hapin fals të Shqipërisë ndaj Lituanisë, ndërsa theksoi se kombëtares në muajin tetor do t’i bashkohen katër apo pesë futbollistë nga Shpresat. Sa i përket fenomenit të shitjes së ndeshjeve, Duka e përjashtoi se diçka e tillë mund të ndodhë me kombëtaren, ndërsa pranoi se fenomeni ka ekzistuar në kampionatet e kaluar, ndërsa shtoi se në Kupën e Shqipërisë edicionin e kaluar edhe mund të ketë ndodhur në ndonjë ndeshje.

Humbja me Lituaninë? 


“Nuk është hera e parë që ndodh kur kundërshtarin nuk e vlerëson si duhet. Kjo është diferenca mes skuadrave të mëdha dhe të vogla. Me sa duket ne jemi akoma një skuadër e vogël, sepse nuk dimë të vlerësojmë kundërshtarin. Pikërisht ky ishte rasti i Lituanisë, ku të gjithë ne menduam se janë më të vegjël se ne, por fusha tregoi që ishin më të mëdhenj se ne. Ishte vetëkënaqësi.

Shitje e ndeshjes? 

Kjo është sëmundje e vjetër e shqiptarëve. As që e llogaris në atë lloj ekipi. Kam besimin e plotë te 100% e ekipit që nuk ndodh ky fenomen në ekipin Kombëtar. Në kampionatin shqiptar padyshim që ka ekzistuar. Është minimizuar, në kampionat thuajse nuk ekziston. Në ndonjë ndeshje kupe në edicionin e kaluar edhe ka ndodhur.

E ardhmja

Duket premtuese. Jo vetëm ata që luajnë në ekipin e parë, por janë edhe disa të tjerë, 4-5 lojtarë nga ekipi Shpresa që do të të ftohen në muajin tetor për të qenë pjesë e ekipit për t’u ambientuar dhe për të qenë perspektivë e skuadrës në 2024. Kjo të mbush me një lloj optimizmi që ne vërtetë jemi pretendetë real për 2024-ën.

Bojkoti

Bojkoti është mjeti i fundit për të sensibilizuar qeverinë të mbajë premtimet e dhëna për ta kthyer futbollin në një ekonomi që të mbajë veten. Nuk kërkojmë të mbahen 12 premtimet e kryeministrit, por kemi kërkuar vetëm 4 prej tyre”, u shpreh Duka duke shtuar se qeverisë i mjafton të marri dhe të implementojë një model qoftë ai gjerman, i Kosovës apo hungarez.

Deklarimet minimale të futbollsitëve

Kjo është të flasësh në studio pa asnjë argument, unë po i jap vetëm një argument Kryeministrit që vëllai i tij është i siguruar për 5 milionë lekë në sport. Është nga njerëzit që paguhen nga klubet sportive dhe si ai ka shumë te tjerë. Ndërkohë ka edhe të tjerë e që deklarojnë shumë më pak nga sa paguhen realisht”, u shpreh Duka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.