“Gradohet” kapiten te Skënderbeu, Meksi: jemi ende në fazën e riorganizimit, pretendojmë gjithmonë maksimumin

Jorgo Meksi është ndër të paktët lojtarë që i ka mbetur Skënderbeut nga sezoni i kaluar. Një pjesë e mirë e ekipit është larguar menjëherë pas ndeshjes së fundit, por ai vendosi që të qëndrojë. Po merr pozicionin e një lideri në ekipin e Julian Ahmatajt dhe kjo kuptohet nga “gradat” që i janë dhënë. Mbrojtësi i linjës së djathtë do të jetë kapiteni i ri i korçarëve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 25-vjeçari i Skënderbeut komenton transformimin e skuadrës nga vjet, sqaron arsyet pse nuk iku nga Korça dhe tregon se çfarë ka sjellë të re Julian Ahmataj si trajner.

Meksi, si po shkojnë përgatitjet me ekipin?
Të them të drejtën, mjaft mirë. Pas atij dëmtimi që pësova, ishte e rëndësishme që të kthehesha shpejt dhe jam i lumtur që ia arrita qëllimit. Kam gati një muaj që stërvitem me ekipin plotësisht dhe e ndiej se gjithçka ka kaluar. Për fat të mirë, jam rikuperuar dhe këtë e kam treguar edhe në testet miqësore. Mezi pres fillimin e sezonit për të bërë një hap të madh.


Ekipi ka ndryshuar totalisht. Si po ju duket?
Është e vërtetë, nga sezoni i kaluar kemi shumë ndryshime. Për vetë mënyrën se si rrodhën gjërat, Skënderbeu ishte i detyruar të ndryshonte qasjen e të bërit merkato. Tashmë në ekip janë afruar lojtarë të rinj, por ajo çka është më e rëndësishme cilësorë dhe me ambicie. Kjo duket se është strategjia e klubit për këtë sezon.

Keni ndryshuar edhe trajnerin, si është të punosh me Ahmatajn?
Julian Ahmataj ka shumë grintë, kërkon maksimumin nga të gjithë dhe që gjithçka të jetë perfekte. Kemi punuar me një trajner si Ilir Daja dhe normalisht që diçka e tillë na ka mbetur shprehi. Ahmataj është një trajner sulmues që i pëlqen të fitojë dhe të dhurojë emocione. Mendoj se jemi përshtatur mirë dhe në fillim të sezonit do të kemi përvetësuar 100% ato çfarë kërkon trajneri.

Sa shqetësuese është për ju fakti që merkatoja është e bllokuar?
Të them të drejtën, do të ishte më mirë që për këtë të pyeteshin drejtuesit e klubit, pasi ata e dinë si qëndron situata. Personalisht nuk është se kam ndonjë informacion në lidhje me këtë çështje. Di vetëm të them se presidenti Takaj na ka dhënë garancinë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe shumë shpejt do të vijnë zyrtarizimet.

Edhe ju ishit pranë largimit, çfarë ndodhi më pas?
Nuk mund të flas me shumë siguri në lidhje me këtë çështje, pasi as mua, as përfaqësuesve të mi nuk na ka ardhur një shkresë zyrtare. Nuk e di nëse klubet e tjera janë interesuar për mua dhe vetëm kaq apo bisedimet kanë qenë konkrete. Por, nga biseda me presidentin kam kuptuar se nuk ka pasur asgjë konkrete. Unë kam edhe dy vite të tjera kontratë me Skënderbeun dhe kjo ishte një nga shtysat që unë vendosa të qëndroj, për vetë faktin se dua të rritem dhe se jam i bindur që për të bërë hapin e madh, Skënderbeu është klubi i duhur.

Me kaq shumë ndryshime, mendoni se do ta keni të vështirë këtë sezon?
Duhet të presim e të shohim, është ende herët për të dhënë opinione. Mund të them se jam ende në fazën e riorganizimit, por duke ditur klubin ku bëj pjesë dhe ambicien e drejtuesve, Skënderbeu nuk është për fundin e tabelës por pretendon gjithmonë maksimumin.

PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.