Sot hapen restorantet, baret e pishinat në ambiente të mbyllura! Ja rregullat që duhen zbatuar

Prej ditës së sotme do të hapen baret, restorantet si dhe pishinat në ambiente të mbyllura sipas protokolleve të detajuara të sigurisë të hartuara nga autoritetet shëndetësore.Ndërsa do të vijojnë të qëndrojnë mbyllur klubet e natës, pub-et si dhe diskot.Nga sot mund të uleni të konsumoni ushqimin apo pijet në ambientet brendshme të lokaleve dhe restoranteve. Vendimi që u bë publik në fundjavë hyn në fuqi sot më 1 tetor, 7 muaj pasi këto biznese u mbyllën, ndërsa hapja e tyre u lejua në qershor në masa të rrepta sigurie.

Por sipas protokollit të Ministria e Shëndetësisë duhet të zbatojnë disa rregulla:
-Duhet të ketë një korridor të dedikuar për klientët deri në arkë dhe një korridor për daljen nga ambienti në mënyrë që klientët të mos ‘përplasen’ përballë mes tyre.
-Nuk ka më vetë-shërbim, ndërsa lokalet duhet të shërbejnë me menu elektronike ose të plastifikuara që të dezinfektohen vazhdimisht.
-Duhet garantuar distanca 1.5 metër mes klientit dhe stafit, ndërsa tavolinat duhet të jenë në distancë me njëra-tjetrën 2 metra në të gjitha drejtimet.
-Nëse pagesa bëhet në arkë duhet vendosur një xham peçigllazi midis punonjësit dhe klientit.
-Pastrimi, dezinfektimi dhe ajrosja e bareve dhe restoranteve duhet të jetë në mënyrë të përsëritur disa herë në ditë, që nga ambientet deri tek dorezat e dyerve, tavolinat, tabakatë dhe çdo sipërfaqe tjetër.
-Ajrosja e tyre duhet të bëhet në mënyrë natyrale 5 herë në ditë dhe dezinfektim total të paktën 3 herë, në hapje të aktivitetit, gjatë ditës dhe para mbylljes së tij.
-Asnjë personel nuk do të lejohet të punojë më temperaturë 37.5 dhe secili prej tyre është i detyruar të deklarojë nëse ka pasur kontakte me persona të infektuar. Për çdo simptome të shfaqur duhet lajmëruar mjeku i familjes ose 127, ndërsa mbajtja e maskave është e detyrueshme për personelin.
Ndërsa për pishinat e mbyllura, protokolli thekson se evidentimi qoftë edhe të një rasti të vetëm në strukturat e tyre do të sjellë mbyllje të aktivitetit, pavarësisht hetimit epidemiologjik.
Ato do të funksionojnë me orar dhe numri i frekuentuesve do të përcaktohet në varësi të hapësirës së biznesit.


Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.