Axhenda/ Ministri i Jashtëm grek viziton nesër Tiranën

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të udhëtojë nesër drejt Shqipërisë, për bisedime me krerë të politikës në vend.
Media greke ‘Ekathimerini’ thotë se, fillimisht ministri Dendias do të takojë homologun e tij Gent Cakaj, rreth orës 11:00. Bisedimet pritet të përqendrohen në çështjet bilaterale dhe evropiane, perspektivat e anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimet në Mesdheun Lindor .Po ashtu, mediat në Greqi shkruajnë se në qendër të diskutimeve do të jetë çështja e kufirit detar, e mbetur pezull që nga viti 2009, kur dy vendet nënshkruan marrëveshjen, por që më vonë u anulua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.

Më pas Ministri i Jashtëm do të pritet nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta. Në përfundim të takimit me Ramën do të kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu është parashikuar që ministri grek të zhvillojë takime me liderët e partive opozitare, me kryedemokratin Lulzim Basha, Vangjel Dulen, si dhe me disa biznesmenë grekë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

Vizita e tij do të mbyllet me takimin me Anastas Janullatos.


Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.