U shpërthen bombola e gazit në banesë / Plagosen dy persona në Durrës

Një 54-vjeçar dhe bashkëshortja e tij janë plagosur mbrëmjen e sotme në Durrës, si pasojë e shpërthimit të bombolës së gazit në banesën e tyre. Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se ngjarja u regjistrua në lagjen nr.13, rreth orës 20:40, ndërsa nga shpërthimi mbetën të plagosur I. K., 54 vjeç dhe E. K., 52 vjeçe. Ata janë dërguar në spital, por nuk bëhet me dije gjendja shëndetësore në të cilën ndodhen. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


Në Elbasan bëhen gati për Formula 1/ Do të ndërtohet pista 5 km. Taulant Balla: “Hap historik “

Ndoshta askush nuk e kishte menduar që ndonjëherë mund të zhvillohej një kompeticion i Formula 1 në vendin tonë. Është cirkuiti i parë shqiptar me pistë 5 km dhe një sipërfaqe prej 500,000+ m2 në qytetin e Elbasanit. Do të shërbejë edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta!


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaron se Automotoparku i parë shqiptar, i cili po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e Federatës Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA). Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se gjatë ditës së sotme nën patronazhin e veçantë të Presidentit të FIA, Jean Todt u mbajt takimi zyrtar prezantues me pjesëmarrjen e drejtuesve te DPSHTRR dhe përfaqësuesve të FIA. Sipas Ballës, automotoparku i parë shqiptar është një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri.


“”Automotoparku i parë shqiptar, i cili po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e vetë FIA. Nën patronazhin e veçantë të Presidentit të FIA Jean Todt, sot mbajtëm takimin zyrtar prezantues me pjesëmarrjen e drejtuesve te DPSHTRR dhe përfaqësuesve të FIA: Adam Baker, Stuart Robertson, Paul Rea, Tim Malyon, Guido Gaetani d’Aragona. Në takim merrnin pjesë edhe Presidenti i Automobile Club Albania – ACA Z. Niko Leka dhe SP i ACA Eridon Lameborshi, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja. AUTO MOTO PARK ELBASAN është një hap historik për automotorizimin shqiptar dhe aktivitetet automobilistike, si dhe për promovimin e kulturës së motorsportit në Shqipëri. Cirkuiti i parë shqiptar me pistë ~5 km dhe një sipërfaqe prej 500,000+ m2 në qytetin e Elbasanit sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK! Edhe si qendër eventesh indoor dhe outdoor, muze e atelier RETRO, drag strip me gjatësi 1.2 km në kushte sigurie, autodrom dhe kartodrom i parë i homologuar, akademi motosporti dhe akademi edukimi mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë offroad, helipad dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra të lehta! Investimi përfshin edhe kompleksin e ri të DRSHTRR Elbasan me Qendrën e re të Kontrollit Teknik (kolaudimi), dedikuar shërbimeve të transportit rrugor. Projekti do të financohet nga fondet e DPSHTRR-MIE në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare!”, shkruan Balla.

Edhe kreu i DPSHTRR Blendi Gonxhja ndërtimi i këtij automotoparku do të mundësojë zhvillimin e garave ndërkombëtare si ato të Formula 1 në vendin tonë.


“Formula 1 në Shqipëri? Think BIG! Ëndrrat nuk realizohen nëse nuk synojmë LART! Automotoparku i parë shqiptar, që po projektohet për t’u ndërtuar në Elbasan, do të materializohet nën kujdesin e vetë FIA! Me porosi direkte të Presidentit të FIA Z. Jean Todt, sot u zhvillua takimi zyrtar prezantues mes DPSHTRR dhe përfaqësuesve të FIA: Z. Adam Baker, Z. Stuart Robertson, Z. Paul Rea, Z. Tim Malyon, Z. Guido Gaetani d’Aragona. Në takim merrnin pjesë edhe Presidenti i Automobile Club Albania – ACA Z. Niko Leka dhe SP i ACA Z. Eridon Lameborshi, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja dhe Shefja e Urbanistikës e Bashkisë Elbasan Znj. Alba Canaj, takim që u ndoq edhe nga Deputeti i Qarkut të Elbasanit, Z. Taulant Balla!”, shkruan Gonxhe.

FOTO/ Makina doli nga rruga ,ja cili është 18-vjeçari që humbi jetën në aksident në Pogradec

Një 18-vjeçar, që po udhëtonte me shokun e tij në një automjet, ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike sot në mëngjes në Pogradec. Mësohet se viktima e këtij aksidenti tragjik është Mateo Torra i cili ishte duke udhëtuar si pasagjer në mjetin tip “Opel”, kur ndodhi ngjarja e rëndë . Për ngjarjen, policia arrestoi 22-vjeçarin E.Hidri, mik i viktimës. Kjo, pasi makina e tij doli nga rruga, duke shkaktuar edhe aksidentin.Aksidenti i rëndë ka ndodhur rrugën rurale të fshatit Katjel-Rodokal. Edhe 22-vjeçari është plagosur dhe ndodhet i shtruar në spital.

Tym flakë dhe kaos në Greqi/ Pa koment, pamje nga ishulli Evia

Qindra qytetarë grekë janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, pasi një zjarr i fuqishëm shpërtheu ditën e djeshme në periferi të kryeqytetit. Zjarri erdhi ndërsa Greqia përjeton atë që është quajtur vala më e keqe e nxehtësisë për më shumë se tre dekada.

Këto janë pamjet nga ishulli Evia


Përballje speciale ,Skënderbeu 1-2 Dinamo / Bledi Shkëmbi kthehet si fitues në Korçë

Stadiumi i Skënderbeut sot ka qenë arena e një “miqësoreje” Superioreje, pasi aty janë përballur dy skuadra të elitës së futbollit shqiptar, Skënderbeu vendas dhe Dinamo e sapongjitur. Një sfidë që është mbyllur me shifrat 2-1 për blutë, të cilët vazhdojnë të tregojnë se ndonëse të ndërtuar nga e para, do të kenë shumë për të thënë në këtë sezon nën drejtimin e Bledi Shkëmbi. Një përballje speciale kjo, pasi trajner i Dinamos është Bledi Shkëmbi, ish-kapiteni legjendar, që shkroi historinë disa sezone më parë me Skënderbeun.


Goli i parë erdhi pas 30 minutash lojë, me Ibraimin që shfrytëzon më së miri një top të ardhur nga krahët. Reagimi i të besuarve të Migen Memellit vjen në fillimin e pjesës së dytë, ku Mara pas 15 minutash lojë nga fraksioni i dytë, dërgon sferën pas shpinës së portierit. Për t’i dhënë fitoren kryeyqytetasve mendon Samake, lojtar ky që “tundi rrjetën” në minutën e 70-të. Deri në fund, pavarësisht përpjekjeve, rezultati mbeti i pandryshuar.

Dinamo dhe Skënderbeu synojnë të bëjnë një sezon pozitiv, me kampionatin në elitën e futbollit shqiptar që fillon me 11 shtator.

Skënderbeu – Dinamo 1-2
Shënues: Mara 52’/Ibraimi 30’, Samake 71’

FORMACIONET TITULLARE

Skënderbeu: Ruço, Xhozef, Agbodzi, Bajrami, Vrapi, Mara, Rosa, Zhan Viktor, Vangjeli, Bismark, Pusi.
Trajner: M. Memelli

Dinamo: Bakaj, Isaevski, Siljanovski, Sofranac, Abazaj, Demiri, Samake, Haxhiu, Gavazaj, Ibraimi, Skuka.
Trajner: B. Shkëmbi


Lajm i mirë/ Për herë të parë në spitalin e Korçës instalohet rezonanca magnetike

Për herë të parë në spitalin e Ķorçës është instaluar rezonanca magnetike, e cila do të rrisë cilësinë e shërbimit, duke ndihmuar në trajtimin më të mirë të pacientëve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se investimet në pajisje mjekësore po kryhen në kuadër të objektivit për të garantuar shërbimin falas, me cilësi dhe afër vendbanimit.

Me rezonancën e re magnetike që plotëson shërbimin e imazherisë në Spitalin Rajonal të Korçës, zgjerojmë hartën e ofrimin të këtij shërbimi në spitalet rajonale, duke garantuar shërbimin falas, me cilësi dhe afër vendbanimit”, deklaroi Manastirliu.


WhatsApp” sjell risinë e re/ Lejon përdoruesit që fotografitë ose videot të zhduken pasi të shihen

Pas muajsh spekulimesh, WhatsApp më në fund ka zyrtarizuar funksionin “View Once”. Karakteristika sikundër sugjeron emri, heq një fotografi ose një imazh pasi mesazhi është hapur. WhatsApp thotë se dëshiron t’u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi privatësinë e tyre me funksionin “View Once”. Kjo karakteristikë ishte testuar edhe më parë, por vetëm tani është bërë zyrtare nga WhatsApp. Ky funksion i ri nga WhatsApp do të thotë që fotoja që i dërgojmë dikujt nuk ruhet në galerinë e fotove të këtij personi.Me funksionin “View Once”, ju merrni atë që ju nevojitet dhe kjo më pas fshihet pasi e keni parë. WhatsApp thotë se të gjitha mediat View Once mbrohen nga kriptimi nga njëra anë në tjetrën. Pasi të keni hapur median, mesazhi do të shfaqet si “i hapur” në mënyrë që marrësi dhe dërguesi të dinë se çfarë po ndodhte në bisedë. WhatsApp tha se funksioni do të përdoret duke filluar këtë javë për përdoruesit në të gjithë globin.


COVID-19 -“Delta” rrit infektimet edhe në Greqi/ Ja sa raste janë rregjistruar

Në 24 orët e fundit në Greqi janë shënuar 2856 raste të reja me COVID. Ndërkohë është 16 numri i personave që nuk kanë arritur ta fitojnë betejën me këtë sëmundje.Aktualisht në spitale, ndodhen të shtruar 192 pacientë të intubuar, të prekur nga COVID.Shifrat në Greqi kanë pësuar një rritje të ndjeshme për shkak të përhapjes së variantit Delta.


Vendi në gjendje emergjence nga zjarret/ Kreu i emergjencave civile me pushime: “Kam familjen time, nevojat e mia, detyrën ia kisha deleguar një drejtori”

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako ka reaguar në lidhje me akuzat dhe pretendimet e ngritura se ai ishte me pushime gjatë kohës kur disa qarqe të vendit po përballeshin me zjarrin.
Në një intervistë telefonike për ‘News24’, Çako, duke iu përgjigjur edhe deklaratës së KLSH-së, tha se dhe ai kishte një familje, ndërsa sqaroi se kishte qenë në një vend familjar.
Mes të tjerash Çako tha se shteti nuk funksionin me emra të përveçëm, duke shtuar se detyrën ia kishte deleguar një drejtori.

“Ndonëse nuk do të desha të flisja për këtë, është histori, një çështje e pakuptimtë. Unë si çdo qytetar tjetër, kam familjen time, nevojat e mia. Kam pasur një vend familjar, dhe kjo u bë çështje. Institucioneve të caktuara e personalizojnë çështjen. Shteti nuk funksionon me emra. Qoftë ai i Haki Çakos, apo i kujtdo, por me struktura. Strukturat përkatëse kanë qenë në kryet të detyrës. Kisha deleguar një drejtor përkatës që ishte duke bërë detyrën e vetë. Janë probleme që nuk duhet të diskutohen më, pasi nuk kanë asnjë vlerë.”, tha ai.

Kujtojmë se KLSH zbriti në terren ku dhe nisi kontrollin ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e flakëve. KLSH do të verifikoj menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative.

Lufta me e zjarret/ Holanda e para që i del në krah Shqipërisë: “Të premten sjellim dy helikopterë dhe 47 ushtarë”

Ambasada Holandeze në Tiranë ka reaguar për situatën e zjarreve në vendin tonë, duke thënë se iu përgjigjën në kohë autoriteteve shqiptare për ndihmën që i kërkuan BE-së për të luftuar zjarret. Helikopterët mbërrijnë të premten ndërsa operacionet fillojnë të shtunën.

Postimi i plotë i ambasadës holandeze:

Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar BE -së dhe vendeve anëtare që të ndihmojnë në luftën kundër zjarreve, që po përhapen aktualisht në jug të Shqipërisë. Si përgjigje, Holanda ka vendosur të mbështesë Shqipërinë duke dërguar dy helikopterë Chinook. Chinook-ët janë të pajisur me kontenitorë të veçantë që mund të lëshojnë 10 mijë litra ujë për shuarjen e zjarreve dhe janë në gjendje të arrijnë në vende të vështira. Për Holandën është e rëndësishme të punohet krah për krah me autoritetet Shqipëtare për të mbrojtur njerëzit, si dhe parqet kombëtare unike. Helikopterët Chinooks, së bashku me 47 ushtarakë holandezë, do të mbërrijnë këtë të premte ndërsa do të fillojnë operacionet ditën e shtunë.