Korçë, pronarët e autobusëve kundër tarifave të terminalit, “po falimentojmë”

Këshilli bashkiak i Korçës ka miratuar tarifat për parkimin e autobusëve në terminalin e ri të qytetit juglindor. Tarifa të cilat për drejtuesit dhe pronarët e autobusëve janë të larta të pajustifikueshme, dhe do i çojnë drejt falimentimit. Kundërshtimet e tyre ata i kanë shprehur në mbledhjen e këshillit bashkiak, por që sipas tyre nuk janë marrë parasysh.


Lushi Memelli ka mbi 20 vite që punon në linjën Maliq-Korçë dhe si taksapagues i rregullt tashmë thotë se nuk i ka mbetur rrugë tjetër veçse të djegë autobusin, pasi përveç tarifave, bashkia nuk bën asgjë për të goditur konkurrencën e pandershme.

Për linjat brenda bashkisë Korçë tarifa e pagesës do të jetë 80 lekë të reja për çdo hyrje-dalje në terminal. Linjat Maliq-Korçë do të paguajnë 150 lekë të reja dhe ato ndërqytetëse brenda qarkut si Pogradec, Ersekë, Bilisht do të paguajnë 350 lekë, ndërsa linjat jashtë qarkut të Korçës kanë një pagesë prej 500 lekësh të reja për çdo hyrje-dalje. Më parë, tarifat për qëndrimet e autobusëve në Korçë kanë qenë 50 lekë të reja një orë qëndrimi. /A2/