Me 185 km/h në Bypassin e Fierit, Policia: “Patrulla ka nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e Korçë”

Jugu është i preferuar nga të gjithë, ndaj dhe këtë të dielë Policia Rrugore ka qenë me patrulla të shtuara që në orët e para të mëngjesit. Fluksi është sidomos në Bypassin e Fierit. Policia ka shtuar kontrollet në këtë aks i cili është kthyer në problematik për shkak se dhjetëra drejtues shkelin limitin e shpejtësisë. Sipas njoftimit për shtyp nga Policia e Shtetit, thuhet se u konstatua se kishte automjete të cilat lëviznin me shpejtësi nga 144 km/h deri në 186 km/h. Policia ka gjobitur drejtuesit që kanë shkelur rregullat teksa paralajmëron të gjithë shoferët se në Shqipëri tashmë ka patrulla nga Rruga e Kombit deri në Sarandë e Korçë.


Përgjatë 48 orëve të fundit, gjatë monitorimit me radar, kryesisht në Bypass-in e Fierit dhe aksin Lushnjë-Fier, janë evidentuar 34 drejtues mjetesh dhe ndëshkuar me masë administrative nga 20.000 deri në 40.000 lekë të rinj dhe me pezullim të lejes së drejtimit nga 2 muaj deri në 12 muaj, pasi qarkullonin me shpejtësi nga 144 km/h deri në 186 km/h.

Gjithashtu janë ndëshkuar me masë administrative nga 3.000 deri në 6.000 lekë të rinj për shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues, 79 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi deri në 140 km/h, ku limiti i lejuar është 110 km/h”, thuhet në njoftim.