Përcaktohet baza se ku do të qëndrojnë afganët në Shqipëri

Institucionet që do të merren me strehimin e afganëve në Shqipëri, e kanë përcaktuar tashmë territorin, vendodhjen e re të tyre, por cdo gjë mbahet sekret. Kur është bërë fakt i kryer ardhja e emigrantëve politikë afganë, konfirmuar nga Kryeministri Edi Rama, në disa qindra prej tyre, tashmë mbetet vetëm ekzekutimi i kësaj aleance të re me partnerët strategjik përtej Atlantikut.


Report TV u interesua pranë Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes për të zbardhur më shumë në lidhje me operacionin e rëndësishëm, por gjithçka deri tani është konfidenciale. Dy institucione të rëndësishme shoqërore përtej oqeanit i kanë drejtuar qeverisë shqiptare dy kërkesa për strehimin e përkohshëm të intelektualëve afganë, të cilët janë të parët e listave për ekzekutim nga talebanët e Afganistanit dhe rrjedhimisht më të rrezikuarit.

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria bëhet mikpritëse e njerëzve që përndiqen nga regjime totalitare. Disa vite më parë, qindra muxhahedinë iranianë janë strehuar në Shqipëri, në një kamp në afërsi të Manzës, i njohur si kampi “Ashraf”. Referuar kësaj strategjie për strehimin e muxhahedinëve, i ngjashëm pritet të jetë edhe strehimi i afganëve, të cilët, siç thuhet, do të mbërrijnë shpejt në vendin tonë. Shqipëria do të jetë e obliguar të sistemoj në kampe provizore qytetarët afganë dhe mbetet po e paqartë koha e qëndrimit të tyre. Kryeministri deklaroi se do të jetë provizore, pasi destinacioni i tyre do të jetë përfundimtar në SHBA.

International Organization for Migration ose njohur ndryshe si Organizata Ndërkombëtare e Migracionit dhe një tjetër organizatë e njohur pritet të kryejnë operacionin, ndërsa ardhja e tyre në vendin tonë do të bëhet me avion ushtarak amerikanë. Përveç vendit ku do të vendoset kampi i shtetasve afganë, detaje nuk jepen edhe përsa i përket kohës së mbërritjes. Aktualisht, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka të planifikuar asnjë fluturim ushtarak që mund të sjell në Shqipëri shtetasit e parë afganë. Organizata IOM ka në menaxhim disa ambiente në Mëzez, të cilat janë përdorur edhe më herët për strehim të emigrantëve, dhe pikërisht ato mund të përdoren edhe për strehimin e emigrantëve politikë afganë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: