Kryeministri Rama flet për strehimin e afganëve në Shqipëri: “Ne e dimë si është të jetosh në diktaturë”

Kryeministri Edi Rama ka folur për prestigjiozen “The Guardian” në lidhje me strehimin e refugjatëve afganë në Shqipëri.Pas vendimit për t’i pranuar, ai thotë se kërkon që t’i japë atyre një mundësi për të marrë frymë, pasi sic shprehet, “Shqipëria e di se çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë”.

“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri.

Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku. Bëhet fjalë për ata që jemi; është nder dhe detyrë ta bësh këtë”, tha kryeministri, Edi Rama, për Guardian.

Më tej kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk mund ta kuptonte “se vende më të pasura mund t’i kthejnë shpinën”.

“Kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë. Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por ne gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij”, u shpreh më tej Rama.

Më tej në shkrimin e saj, “The Guardian” thotë se rënia e Kabulit ka rihapur debatin për ndarjen e emigranteve në vendet evropiane, ndërsa udhëheqësit e qeverive po përgatiten për një rritje të pashmangshme të refugjatëve.

Mijëra afganë, mes tyre presidenti Ashraf Ghani nxituan në aeroportin e Kabulit në përpjekje për të ikur nga Afganistani pasi talebanët morën kontrollin e kryeqytetit. Tre persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e kaosit në aeroport.