I vuri flakën vreshtave në Kolonjë / Policia e Korçës arreston ish-zv.ministrin e Integrimit

Albert Gajo, ish-zv.ministër i Integrimit në Qeverinë Berisha, është arrestuar nga Policia e Korçës. Gajo ka djegur fillimisht një sipërfaqe me vreshta dhe më pas flakët i kanë dalë nga kontrolli, duke u përhapur në një sipërfaqe më të madhe me bimësi të ndryshme.


“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Albert Gajo, 59 vjeç, banues në Tiranë, pasi në vendin e quajtur “Sarandapor”, në Leskovik, Kolonjë, me veprimet e tij ky shtetas ka shkaktuar rënien e zjarrit në një sipërfaqe me vreshtari, duke përfshirë më pas edhe një sipërfaqe tjetër me bimësi”, njofton Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Kush është Albert Gajo


Albert Gajo ka qenë Bankier pranë Bankës së Shtetit Shqiptar (1985-1991). Këshilltar Ekonomik i Kryemnistrit të Shqipërisë (1992-1997). Kërkues shkencor dhe lektor pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Maastricht, Hollandë (2000-2004). Zëvendës Ministër i Integrimit (2005-2009) dhe Zëvendës Ministër i Shëndetësisë (2009-2013). Pedagog pranë Universitetit “Mesdhetar i Shqipërisë”, Fakulteti i Shkencave Ekonomike (2015 dhe në vazhdim). Krahas gjuhës shqipe, përdor mjaft mirë gjuhën angleze, dhe ka njohuri të gjuhës italiane.
Ish-zv.ministri ka në pronësi dhe një kantinë në zonën e Leskovikut, e quajtur “Vreshtat e Pashait”.