Mjekët ngrenë alarmin: “Varianti Delta ka rritur numrin e fëmijëve të prekur, mos neglizhoni asnjë simptomë”

Krahas të rriturve, mutacioni Delta ka rritur edhe numrin e fëmijëve të prekur nga Covid.
Në repartin Covid të shërbimit infektiv në pediatri ka të shtruar fëmijë të prekur të moshave nga 0-1 vjeç deri në 12 vjeç.
Simptomat e Covid në këtë periudhë ngatërrohen me simptomat e një viroze verore pasi shumë fëmijë me të vjella e diarre kanë rezultuar pozitiv me Covid dhe shpesh prindërit hezitojnë ta bëjnë testin që e konfirmon.
Për pak ditë pritet të fillojë edhe viti i ri shkollor, ndaj doktoresha Xhorxhina Kuli u kërkon prindërve të jenë sa më të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë asnjë simptomë tek fëmijët për ta diagnostikuar sa më shpejt.
Prindërit pa i testuar më parë fëmijët shkojnë menjëherë në urgjencë duke pritur bashkë me fëmijët e tjerë duke i riskuar të gjithë.