Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, policia zbardh masat përgjatë 5 ditëve

Policia e Beratit ka bërë sot publike masat e marra për mbarëvajtjen e pelegrinazhit në malin e Tomorrit. Si çdo vit nga data 20 deri në 25 gusht, besimtarët bektashinj dhe jo vetëm bëhen pjesë e pelegrinazhit në malin e Tomorrit. Autoritetet në Berat bëjnë me dije se janë angazhuar me qëllim, sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit.


Policia bën me dije se në këto ditë do të jetë e përqëndruar me kontrolle në akset rrugore: Urë e Kuçit-Berat-Poliçan- Pronovik-Novaj–Teqe, Poliçan –Çorovodë dhe Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut. Po ashtu bëhet me dije se pika të tjera të kontrollit do të vendosen si dhe në territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Po ashtu njoftohet se janë marrë të gjitha masat për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve. Policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve që të të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke shmangur përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë shpejtësinë e lejuar.