Turistja serbe ankohet për plazhin në Shqipëri/ Eshte i papastër, me erë të keqe e ujëra të zeza

Këtë vit, Shqipëria është ndër destinacionet më të njohura për turistët serbë. Shumë prej të tyre lavdërojnë se çmimet janë shumë të përballueshme atje, dhe deti është blu dhe i pastër”. Kështu shkruan media serbe pranë qeverisë, B92. Mirëpo, media në artikullin e publikuar i referohet një turisteje serbe që është ankuar për Shqipërinë.


Pushuesja ka publikuar një video në Tik-Tok, ku shpjegon se pas komenteve pozitive që kishte dëgjuar u nis drejt Shqipërisë, por kur mbërriti është përballur me një tjetër realitet.

Deri sa erdha të gjithë thanë se është shumë bukur. Kjo është çfarë nuk na kanë treguar, papastërti, erë e keqe, ujëra të zeza nga të gjitha anët. Kjo është vetëm një pjesë”, ka thënë ajo në videon e postuar.

Në video, ajo theksoi se vendi në fjalë është Spile duke treguar se ujërat e zeza po derdhen në rrugë. Video tregon një plazh të zbrazët në orët e para të mëngjesit ku njerëzit kanë lënë bishtat e cigareve, shishe dhe kanaçe. Në fund të videos, ajo vuri në dukje se e vetmja anë e mirë është në fakt vetëm sepse plazhi është me rërë. Por videoja e saj ka ngjallur shumë reagime edhe te vetë serbët të cilët janë ndarë në dy grupe, ata që e kundërshtuan dhe ata që e mbrojtën. Disa prej tyre thanë se turistja mund të kishte zgjedhur Greqinë ose Turqinë për të pushuar me të njëjtat çmime. Por kishte edhe nga ata që e kundërshtuan duke thënë se deti shqiptar është një prej më të bukurve dhe ishte faji i saj që kishte shkuar në plazh aq herët kur plazhi nuk është pastruar ende për ditën tjetër.