Agim Xhafka :”Mbrëmë në Korçë lojti qeni i kallanxhiut,deri sa organizator ishte vetë Qeveria dihej që aty rrotull nuk qasej Covidi as me zë, as me figurë !

Nga Agim Xhafka:

Mbrëmë në Korçë lojti qeni i kallanxhiut, thonë banorët e atij qyteti. U mblodhën të festonin ‘Javën e Birrës’ mijëra vetë ngjitur e ngjitur sikur po ngjiznin fëmijë ato çaste. Deri sa organizator ishte vetë Qeveria dihej që aty rrotull nuk qasej Covidi as me zë, as me figurë. Sheshi ushtonte shqip e greqisht, por kryelajmi ishte befasues: Taulant Balla qe punësuar si logo e Birrës. Po, po.


-Pini Birrën më të mirë mbi dhe, – ishte slogani që lëshonte ai e currili i rridhte mjekrës e tatëpjetë.

Tutje, larg kësaj zhurme shurdhuese, në rrugicat e qytetit heshtja qe sundimtare. As kalimtarë, as biseda njerëzish. Sikur ecje muzgut në varreza. Rinia matanë kufirit, pleqtë mbyllur mes skamjes e dhimbjeve të moshës. Kalldrëmit trokiste dhimbja, shkretimi.

E në shesh birra derdhej lumë. Dukemi si shoqëri plot hare, gaz, bollëk. Një çast, një dekikë se më pas na kujtohet psh; tërmeti. Që rrëmonte shteti më duar nga që kishte harxhuar para për ushqimin e qenve të emergjencës, por nuk e kishte një qen për be. U faktua më pas që me ato para ishin ‘ushqyer’ analistët e gazetarët e berihajt.

Ndërkohë serenata prekte zemrat e birrashijuesve. Bash atë çast mbi kokat e mijëra festuesve uturiu zhurma e një helikopteri.

-Po vjen ai, po vjen ai,-u alarmuan organizatorët.


Dihej që ai ishte AI, i pari i qeverisë pra. Se ne kemi veç një helikopter. Jo për zjarre, as për halle. E kemi taksi për naltgjatësinë që marshallah lëviz papushim. Nuk i rri bytha në një vend. E lodhi helokopterin.

Sheshi në Korçë merr zjarr nga alkooli. Festa e birrës po shkumbon në gota e në buzë. Populli shkumbon nga varfëria. Nga mjerimi,nga largimi i rinisë.

Pas ca ditësh aty do këndojë Bregoviçi, ose kolona zanore e filmit ‘Kur vritej e përdhunohej Kosova.’ Qeveria e Bashkia e presin me emocion. Kanë shitur dhe biletat. Korçarët mbyllur në shtëpi do ia ndiejnë zërin dhe ritmin.

E luten që nga paratë e festës Bregoviçi të na blejë një qen emergjence. Ah, sa luten. Një copkë, qoftë edhe këlysh. Që të paktën ta kujtojmë pas ca vitesh kur ta shohim në ndonjë tv. Ky na dha koncert në qytet, ky i qenit mo, ai që na e dhuroi atë këlyshin e emergjencave…

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: