Radhët në Kapshticë, Konsullata apel emigrantëve: “Udhëtoni edhe pasdite”

Konsullata e Shqipërisë në Selanik apelon qytetarët shqiptarë dhe jo vetëm që udhëtojnë drejt Greqisë përmes Kapshticës që të shfrytëzojnë edhe pasditen për udhëtimet e tyre në mënyrë që të evitojnë radhët në doganë. Në një njoftim për mediat, Konsullata thotë se ditët e fundit ka pasur një fluks të emigratëve shqiptarë që kthehen nga pushimet drejt vendeve të punës në Greqi duke shkaktuar pritje dhe radhë. Situata paraqitet e tillë vetëm gjatë paradites, ndërsa nga ora 12 dhe në vijim kalimi është normal.


“Gjatë ditëve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës ka patur një fluks të shtuar të kalimeve nga Shqipëria në Greqi të qytetarëve që kthehen nga pushimet.  Nisur nga ky fakt Konsulli i Përgjithshëm z. Arqile Sota sot, më datë 20 gusht, ishte prezent gjatë gjithë ditës dhe u takua me autoritetet greke dhe shqiptare të kufirit si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Kufirit të Korçës.

Nga konstatimet rezulton se ky fluks i kalimeve kufitare, gjë që shkakton radhë dhe pritje, ndodh vetëm në orët e para të paradites. Mbas orës 12.00-13.00 dhe në vijim, gjatë pasdites, në Pikën e kalimit kufitar të Kapshticës nuk ka as radhë as pritje siç duket edhe në fotot e mëposhtme. Sa më sipër ju bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin në konsideratë dhe të vlerësojnë kthimin në Greqi edhe në oraret e pasdites për të mos krijuar radhë dhe për të mos pritur gjatë për të kaluar kufirin” thuhet në njoftim.