Shtyhet data e nisjes së vitit të ri shkollor/Evis Kushi: “Deri me datë 27 shtator do vijojë me mësimin plotësues”

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi ka dhënë sot lajmin e rëndësishëm për shtyrjen e datës së fillimit të vitit të ri shkollor, nga data 13 shtator që ishte planifikuar, në 27 shtator 2021. Ky vendim është marrë për të zgjatur periudhën e mësimit plotësues, i cili nis më datë 1 shtator 2021. Gjithashtu janë shtyrë edhe datat e përfundimit të shkollave. Për arsimin bazë nga klasa 1-9 mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në 17 qershor 2022. Për arsimin e mesëm, klasat 10 dhe 11, shtyhet nga data 15 në 24 qershor 2022. Për maturantët, mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 1 në 8 qershor 2022.


Nëpërmjet një videoje, ministrja Kushi ka dhënë detaje në lidhje me këtë vendim të rëndësishëm.

Evis Kushi :Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021.Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore.

Vendosëm që viti i ri shkollor të mos fillojë më 13 por në datën 27 shtator. Këtë shtyrje ne e kemi reflektuar edhe në strukturën e viti shkollor për të gjitha nivelet. Kësisoj mbyllja shtuhet nga data 8 në 17 qershor.Për arsimin e mesëm dhe të lartë, nga data 15 në 24 qershor. Për maturantët shtyhet nga data 1 në 8 qershor. Shkolla hapet që me 1 shtator, do të zhvillohet mësimi plotësues por do kërkojmë nga shkollat të hartojnë një program të detajuar veprimtarish“, tha Kushi.