Turistja holandeze në Infektiv, i vëllai në alarm: “Spital pa kushtet minimale, si kopsht zoologjik”

Në Spitalin Infektiv të Tiranës po marrin trajtim spitalor krahas pacientëve shqiptarë edhe shtetas të huaj, të cilët janë infektuar gjatë pushimeve në Shqipëri. Një turist holandez, i cili ka të shtruar motrën, e ka krahasuar Spitalin Infektiv me një kopsht zoologjik dhe i ka kërkuar Ministres së Shëndetësisë që të vijë e të kontrollojë kushtet brenda spitalit. Shtetasi holandez, që ka ardhur në vendin tonë si turist dhe ka 9 ditë që qëndron në oborrin e Spitalit Infektiv në pritje të lajmeve për motrën, tha:

“Kam motrën time këtu prej mëse një jave. Gjatë javës së parë nuk kisha asnjë komunikim, nuk e dija se çfarë ndodhte brenda, por tani kam emrin e doktorit dhe flas. Problemi është se brenda është shumë vapë, si një sauna, si një kopsht zoologjik. I kërkoj Ministrit të Shëndetësisë të vijë e të kontrollojë, të shohë kushtet pasi ka probleme me mungesën e materialeve, është shumë keq. Ky është opinioni im. Më vjen shumë keq për qytetarët shqiptarë nëse do të vijë në këtë spital. Nuk do të kenë fund të mirë, që të jem i sinqertë, pasi klima rreth spitalit nuk është e mirë.”