Aksident i rëndë/ Humbin jetën dy punëtorë pasi makina ra në kanal. Ja si e zbuloi kompania ngjarjen

Tragjeditë nuk kanë të ndalur ditën e sotme në Shqipëri. Pas tre viktimave që u mbytën në plazhet e vendit, dy të tjerë kanë humbur jetën në një aksident në Fier. Një automjet tip ‘Nissan’ doli nga rruga në zonën naftëmbajtëse në Marinzë dhe ra në kanal. Ngjarja ndodhi ditën e sotme rreth orës 13:00. Për pasojë dy persona kanë humbur jetën.

Paraprakisht mendohet se viktimat janë punonjës të një kompanie sigurie në Fier. Ka qenë pikërisht kjo kompani që kanë njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë. Nëpërmjet lokalizuesve të GPS, kompania konstatoi se për disa kohë, makina nuk lëvizte në hartë. Të gjendur përballë kësaj situate punonjësit e kësaj kompanie janë nisur drejt vendit të ngjarjes dhe kanë parë që makina kishte përfunduar në kanal. Sipas Fax News, viktimat janë shtetasit Shkëlzim Beqaj 55 vjeç dhe Uejol Lagjaj, 39 vjeç.Aktualisht është bërë e mundur nxjerrja nga kanali e mjetit dhe e trupave të pajetë. Dyshohet se shoferit i ka rënë infarkt ndaj mjeti doli nga rruga dhe ndodhi tragjedia.