Ndalohet 35-vjeçari në Kapshticë/ Kapet me rreth 25 mijë euro të padeklaruara në makinë

Një 35-vjeçar nga Pogradeci u ndalua nga policia ditën e sotme në kufirin e Kapshticës pasi iu gjetën 24.980 mijë euro të padeklaruara.Drejtuesi i mjetit me iniciale F.R. u ndalua në vijën e dytë të kontrolleve. Nga kontrolli i ushtruar në automjetin tip “Opel”, u gjet shuma e eurove që 35-vjeçari nuk i kishte deklaruar më parë.

Njoftimi i policisë Korçë:


Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, parandalojnë dhe godasin një rast të mosdeklarimit të një shume parash në euro. Procedohet penalisht një shtetas. Sekuestrohen 24.980 euro të padeklaruara. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin F. R., 35 vjeç, banues në Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 24.980 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar. Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj 35-vjeçarit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.