E rëndë / U përplas nga Benz-i teksa ecte në trotuar, vdes në spital 30-vjeçari nga Tepelena

Leonard Rrapi, 30 vjeç, një nga pesë personat që mbetën të plagosur në aksidentin e një dite më parë në Berat, ka ndërruar jetë. Mësohet se Rrapi ndodhej në spitalin e Traumës që prej natës së kaluar, aty ku po mjekohej, por nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra. Të plagosurit e tjerë, Abaz Kaballi, Robert Sadikaj, Tahir Radiu dhe Astrit Veliu ndodhen ende në spital nën kujdesin e mjekëve. Të pestë sapo kishin zbritur nga Mali i Tomorrit kur u përplasën nga një mjet i llojit “Benz” në qendër të Beratit. Drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe përfundoi në një dyqan me mjete elektroshtëpiake, duke marrë me vete dhe kalimtarët. I riu, Ergys Petro u gjet pa ndjenja në timon. Ai ndodhet gjithashtu në spital ku u vu sot në pranga.


FOTO/ Ky është biznesmeni Bledar Muça që u ekzekutua në Lushnje

Personi që shikoni në foto është Bledar Muça, pronari “Bar Pedonales” në Lushnje i cili u vra me kallashnikov mbrëmjen e sotme në lokalin e tij në Lushnje.Mesohez se disa persona të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip Golf 5 kanë qëlluar me armë zjarri tip kallashnikov. Plumbat kanë kapur Muçën i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, ndërsa sipas policisë kanë mbetur të plagosur tre persona, Judin Velo, Ervis Tafa dhe Sara Liçi.Në momentin e të shtënave në lokal ka pasur shumë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, të cilët janë shtrirë përtokë për t’u shpëtuar plumbave.


Tronditet vendi/ Atentat pronarit të lokalit…qëllohet me breshëri kallashnikovi ,3 të plagosur, mes tyre një vajzë

Një atentat ka tronditur këtë mbrëmje qytetin e Lushnjes. Me breshëri kallashnikovi është ekzekutuar pronari i lokalit Bledar Muça rreth 40 vjeç.Nga të shtënat janë plagosur edhe 3 persona të tjerë, mes tyre edhe shoqëruesi i tij. Autorët kanë qëlluar nga një makinë në ecje, ndërsa shënjestra ishte në lokal. E gjithë kjo skenë ka ndodhur pranë lokali ku ka pasur dhe persona të tjerë, të cilët janë tmerruar. Dyshohet se në brendësi të automjetit kanë qenë 2 persona, njëri shoferi ndërsa tjetri ka qëlluar.


Njoftim i Policisë:

Sot rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T dhe S. L., 24 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.


Masat shtrënguese dhe vaksinimi/ Greqia vendos neser planet dhe masat se çfarë do të ndodhë në vjeshtë

Rritja e rasteve kryesisht për shkak të variantit Delta, ka shqetësuar botën por më shumë vendet në të cilat normat e vaksinimit janë të ulëta. Ndërkohë që shumica e vendeve lehtësuan masat gjatë 3 muajve të verës në një përpjekje për të shpëtuar turizmin e goditur nga pandemia, rikthimi i masave nuk është larg, shkruan protothema.


Shumë vende nga Amerika, Azia dhe Europa pritet të shtrëngojnë masat duke rikthyer detyrimin për mbajtjen e maskave apo edhe ashpërsimin e masave për personat të cilët nuk janë vaksinuar.Varianti Delta është përhapur në më shumë se 140 vende në botë, dhe sipas shkencëtarëve pandemia nuk do të përfundojë së shpejti- duke pasur parasysh që vetëm një pjesë e vogël e popullsisë botërore është vaksinuar kundër Covid-19.

Sipas të dhënave deri më tani, vetëm 15% e popullsisë në botë është vaksinuar dhe më shumë se 100 vende kanë vaksinuar më pak se 5% të popullsisë. Greqia një nga vendet që ka shënuar rritje të rasteve për shkak të variantit Delta sidomos gjatë javëve të fundit, pritet të ashpërsojë masat në një përpjekje për të mbajtur në kontroll valën e re.Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, tha se personat të cilët janë vaksinuar do të kenë më shumë përfitime. Ata mund të shkojnë në restorante, por sigurisht do të duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi.

Por personat e pavaksinuar të cilët duan të marrin pjesë në evente kulturore të ndryshme duhet të kenë një test molekular jo më të vjetër se 48 orë.

Masat e reja që do të hyjnë në fuqi me 1 shtator:


– Përdorimi i detyrueshëm i maskave në ambientet e mbyllura për të gjithë qytetarët (të vaksinuar dhe të pavaksinuar), ndërsa në ambiente e jashtme përdorimi ose jo i maskës do të përcaktohet në varësi të numrit të personave.

– Test i detyrueshëm një herë në javë për të gjithë qytetarët e pavaksinuar që janë të punësuar në sektorin privat dhe publik. Sidoqoftë, dy teste / javë do të kërkohen për personat që punojnë në hotelieri dhe arsim.

– Personat që do të shkojnë në teatro apo kinema duhet të kenë një test negativ

– Në bare, restorante dhe klube nate do të lejohet hyrja vetëm për personat të cilët kanë një certifikatë vaksinimi ose test negativ

– Ndërsa në eventet sportive dhe stadiume, hyrja do të jetë falas për të vaksinuarit , ndërsa të pavaksinuarit duhet të paraqesin një test negativ.

Ndahet nga jeta intelektualja korçare Shpresa Tabaku

Korçës sot iu shua një nga zërat e saj intelektualë, një figurë e nderuar, profesorja e sa e sa të rinjve, mikesha e të gjithëve, e veçanta Shpresa Tabaku.Tabaku u nda nga jeta sot në Korçë në banesën e saj në lagjen 12, tek ish-Mapo.Ajo ishte vajza e madhe e Gaqo dhe Fanika Tabakut, të cilët Shpresa i nderoi që në fëmijërinë e saj.

Shpresa lindi në Korçë në 09.09.1953 dhe ka mbajtur mbi supe disa dekada si profesore e gjuhës dhe letërsisë, duke nxjerrë me dhjetra breza nxënësish. Pasioni i saj i përjetshëm ishte letërsia dhe leximi. Një nga emrat më të shkëlqyer të mësuesve dhe profesorëve në shkollat e Korçës, një intelektuale dhe zë qytetar i rrallë.Shpresa, kishte një stil të veçantë, ishte ndryshe, krenare gjithmonë dhe me kokën lart. Ajo ecte si një zonjë intelektuale që mbi supe kishte vitet e dijes dhe pasionin e saj për letërsinë.Shpresa Tabaku u nda nga jeta sot pas një sëmundje të rëndë. Nesër (të martën) në orën 16:00 bëhet përcjellja për në banesën e fundit./CNA.al


“Unë s’dua asgjë” ,lokali në Budva të Malit të Zi i pret faturën epike 0.50 euro

Një fotografi e një fature, e lëshuar me shaka në një plazh në Budva, është bërë hit në mediat sociale dhe ka shkaktuar shumë komente. Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për një faturë në të cilën “përgjigja e tre të ftuarve:

Unë nuk dua asgjë”, ishte shkruar si artikull dhe ata u desh të paguanin nga 0.50 euro, secili.Fotografia e faturës mbi të cilën jeni ngarkuar edhe nëse doni vetëm të uleni në një kafene


Madje, në komente, disa kanë shtruar pyetjen nëse së shpejti do të paguani edhe për frymëmarrjen e ajrit, ndërsa të tjerët pyesin “çfarë lloj njerëzish janë ulur në kafene që nuk duan të pinë asgjë” ?

Mbërrijnë mbi 43 mijë doza Pfizer në Rinas, Rama: “Vaksinojuni,shfrytëzoni muajin e hapur të vaksinimit”

Mbrëmjen e sotme kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit 43,512 doza të vaksinës Pfizer. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama. Rama i bën thirrje qytetarëve të përfitojnë nga muaji i hapur i vaksinimit.

43,512 doza të vaksinës Pfizer kanë mbërritur në Aeroportin “Nënë Tereza”, duke e çuar në 1,899,172 numrin e vaksinave të mbërritura në Shqipëri.

Shfrytëzojeni muajin e hapur të vaksinimit masiv”, shkruan Rama.


Aksident në aksin Levan-Vlorë/ Automjeti tenton parakalimin përfundon i përmbysur në autostradë

Shpejtësia mbi normat dhe parakalimet e gabuara kanë sjell një tjetër aksident mbrëmjen e ditës së sotme në aksin rrugor Vlorë-Levan. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bëjnë me dije se si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur 3 persona, ku njëri prej tyre është në gjendje të rëndë.Në vendngjarje kanë mbërritur dy autoambulanca, të cilat kanë dërguar të plagosurit në spitalin e Vlorës.Në këtë aksident mësohet se janë përfshirë 2 makina, përkatësisht mjeti tip ‘Benz’ që drejtohej nga shtetasi D.S., dhe mjeti tip ‘Kama’, drejtuesi i të cilit është plagosur.

Njoftimi i policisë


Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 19:45, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Ura e Miflolit”, një mjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin D. S, është perplasur me një tjetër mjetin tip “Kama”. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i automjetit Kama dhe 2 pasagjerët në të, të cilët janë dërguar në spitalin e Vlorës. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Presidenti Meta në Gjirin e Lalëzit: “Kepi i Rodonit, mrekulli e bregdetit shqiptar”

Presidenti Ilir Meta vijon të shijojë pushimet verore në Gjirin e Lalëzit, një destinacion mjaft i preferuar për të.Ai është zhvendosur në Kepin e Rodonit për të pushuar,ndërsa ka ndarë foto në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë zonë mrekulli të bregdetit shqiptar.

“Në Kepin e Rodonit, mrekullinë e bregdetit shqiptar”, shkruan Meta.


Rama merr në mbrojtje Bregoviçin: “Ishte një histeri fashiste e turpshme per qytetarinë dhe traditën shqiptare ”

Nga Edi Rama

ZJARRI KINSE PATRIOTIK I GUSHTIT

Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë.

Por muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, “Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!”.

Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë.

Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?

Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, të cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet.