Po martonte kushëririn/ Identifikohet krushku nga Laçi që qëlloi me kallash në mes të autostradës

21-vjeçari, Klajdi Tafaj është shpallur në kërkim pasi qëlloi me kallashnikov në ajër gjatë një ceremonie dasme në Laç. Sipas njoftimit të policisë, mësohet se është proceduar penalisht edhe kushëririti i tij 30 vjeç, me ininciale M.T pasi akuzohet për “Moskallëzim të krimit”.Ndërkohë, policia ka sekuestruar edhe armën e zjarrit automatik me të cilën dyshihet se Tafaj ka qëlluar në mes të autostradës. Ngjarja ka ndodhur më 15 Gusht dhe ka qenë vetë 21-vjeçari i i cili pas disa ditësh postoi videon e momentit teksa ishte duke shtënë në ajër me kallashnikov nga automjeti gjatë ceremonisë së dasmës së kushëririt të tij.

Njoftimi i policisë:


Policia e Kurbinit identifikon dhe shpall në kërkim 21-vjeçarin që qëlloi me kallashnikov në ajër nga automjeti në ecje, gjatë një ceremonie dasme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, dhe më pas e postoi videon në rrjetet sociale.Gjithashtu, procedohet penalisht dhe kushëriri i tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjendet dhe sekuestrohet në cilësinë e provës materiale dhe arma e zjarrit automatik me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale. Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.


Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.