Ndahet nga jeta intelektualja korçare Shpresa Tabaku

Korçës sot iu shua një nga zërat e saj intelektualë, një figurë e nderuar, profesorja e sa e sa të rinjve, mikesha e të gjithëve, e veçanta Shpresa Tabaku.Tabaku u nda nga jeta sot në Korçë në banesën e saj në lagjen 12, tek ish-Mapo.Ajo ishte vajza e madhe e Gaqo dhe Fanika Tabakut, të cilët Shpresa i nderoi që në fëmijërinë e saj.

Shpresa lindi në Korçë në 09.09.1953 dhe ka mbajtur mbi supe disa dekada si profesore e gjuhës dhe letërsisë, duke nxjerrë me dhjetra breza nxënësish. Pasioni i saj i përjetshëm ishte letërsia dhe leximi. Një nga emrat më të shkëlqyer të mësuesve dhe profesorëve në shkollat e Korçës, një intelektuale dhe zë qytetar i rrallë.Shpresa, kishte një stil të veçantë, ishte ndryshe, krenare gjithmonë dhe me kokën lart. Ajo ecte si një zonjë intelektuale që mbi supe kishte vitet e dijes dhe pasionin e saj për letërsinë.Shpresa Tabaku u nda nga jeta sot pas një sëmundje të rëndë. Nesër (të martën) në orën 16:00 bëhet përcjellja për në banesën e fundit./CNA.al