Rritja e infektimeve, ministria e Shëndetësisë merr vendimin:”Edhe shtatori muaji i hapur për vaksinim masiv”

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që edhe muaji shtator të jetë muaj i hapur për vaksinimin masiv të popullsisë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Ogerta Manastirliu, ndërkohë ky vendim vjen pasi ditët e fundit janë regjistruar një numër i lartë infektimesh me COVID-19, si dhe qarkullimit të variantit Delta.


Muaji Shtator do të jetë muaj i hapur i vaksinimit masiv për qytetarët mbi 18 vjeç, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin, për të garantuar mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor, të aktiviteteve të biznesit dhe jetës së përditshme”, tha Manastirliu.

Në planin tonë të përballjes me Covid, sipas skenarëve të hartuar nga ekspertët tanë, kemi parashikuar të gjitha masat dhe ndërhyrjet, për t’iu përgjigjur me kapacitete të fuqizuara, në të gjitha nivelet e sistemit tonë shëndetësor situatës dinamike të epidemisë së Covid19. Jemi përgatitur të shtojmë stafet në shërbim të testimit dhe vaksinimit, si edhe të trajtimit të pacientëve që do të kenë nevojë për kujdes mjekësor. Në Institutin e Shëndetit Publik po rrisim kapacitetet e testimit me aparatura të reja laboratorike. Flota e autoambulancave të Urgjencës Kombëtare do të shtohet sërish me 20 autoambulanca të reja, për t’iu përgjigjur edhe më shpejt, edhe më mirë, flukseve potenciale në muajt e ardhshëm”, tha Manastirliu.