E papritur /Najada Çomo heq dorë nga mandati i deputetes

Shefja e Shërbimit Infektiv Najada Çomo ka hequr dorë nga mandati i deputetes që mori në zgjedhjet e 25 prillit.
Lajmin e dha kryeministri Edi Rama i cili zbuloi se Çomo, ka paraqitur dorëheqjen e saj nga mandati si deputete për të qëndruar pranë ekipit të saj të bluzave të bardha në spitalin Infektiv, për shkak të situatës së krijuar nga varianti ‘Delta’ i Covid-19.

Sipas Kodit Zgjedhor, Çomo, e cila mbante numrin dy në listën e socialistëve të 25 Prillit, do të zëvendësohet nga kandidatja grua pasuese në listë. Kandidatja e cila vjen e para në listën e socialistëve është ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Nuk dihet ende nëse Kodheli do të marrë mandatin e deputetit, apo do të vijojë angazhimin e saj si një nga zëvendëspresidentët e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nëse edhe Mimi kodheli nuk e pranon mandatin e deputetit, atëherë mandati shkon për Dallëndyshe Bicin, ish kreun e Inspektoriatit të Lartë Ndërtimor.