Komiteti Teknik i eksperteve: “Masat nuk ndryshojnë ! Ju lutem vaksinohuni

Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik, Albana Fico, drejtoresha e ISHP bëri me dije se numri i rasteve të reja është rritur me 5 herë krahasuar dy javë me parë. Deri tani më të dyja dozat është vaksinuar 27 % e popullsisë ndërsa me një dozë është vaksinuar 37 % e popullsisë, Gjirokastra është qyteti me vaksinimet më të larta. Fico tha se bashkitë më të prekura janë Saranda, Himara, Shkodra, Tirana dhe Vlora, ndërsa shtoi se edhe muaji shtator do të vijojë të jetë muaji i hapur i vaksinimit masiv.


Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste nga 291 një javë më parë. Numri i rasteve aktive është rritur, duke çuar në rritjen e inicidencës dyjavore me 5 herë. Grupmoshta 35-64 vje kanë një rritje të rasteve të reja. Përsa i përket Bashkive të prekura kemi 42 bashki. Saranda, Himara, Shkodra Tirana dhe Vlora janë bashkitë më të prekura. Një detyrë e rëndësishme është që qytetarët të karantinohen në rast se kanë shenja.Gjatë kësaj periudhe kanë vazhduar vaksinimi i popullatës, muaji shtator do të jetë muaji i hapur i vaksinimit”, u shpreh Fico.

Masat në fuqi janë si vijon:

Maska është e detyrueshme në transportin publik dhe në çdo ambient të mbyllur, si dhe kudo ku nuk respektohet dot distanca, edhe në ambientet e jashtme.

Kufizimi I qarkullimit të lëvizjes dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 24:00 – 06:00.

– Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika lejohet deri në orën 23:00.

– Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.

– Kampionatet sportive me prezencë të tifozëve, lejohen me kapacitete të reduktuara, deri në 30 %.

– Aktivitetet e teatrove shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave lejohen me kapacitet të reduktuar, deri në 30%.