Video në Tik-Tok/ Vajzat dhurojnë spektakël në mes të rrugës me shampanjë, muzikë të lartë e kërcim

Muzikë e lartë, shampanjë dhe më pas bllokim i trafikut në mes të rrugës. Kjo është atmosfera që krijuan 4 vajza të reja në Unazën e re të Tiranës, për një clip të cilin e publikuan në “Tik Tok”. E gjitha shfaqja ka ndodhur më datë 22 gusht, në rrugën “Teodor Keko”, ndërsa pamjet e publikuara sot, tregojnë tre vajzat, të cilat zbresin nga makina dhe fillojnë të kërcejnë, ndërsa një tjetër nga makina hap shishen me shampanjë.


Të pashqetësuara për trafikun e krijuar, edhe pse kishin një varg të tërë makinash prapa, vajzat vazhduan kërcimin derisa përfunduan videon. Më pas u kthyen qetësisht në makinë, pa e vrarë mendjen për boritë e makinave që binin pa pushim. Policia reagoi dje në lidhje me ngjarjen e pazakontë dhe sqaroi se:

“Nisur nga publikimi në media sociale, i një videoje ku shfaqej një shtetase, e cila nga verifikimi rezultoi se më datë 22.08.2021, kishte ndaluar automjetin në karrexhatë, në rrugën ‘Teodor Keko’ dhe së bashku me pasagjeret që udhëtonin me të kryente veprime të ndaluara në rrugë, duke krijuar një gjendje të rrezikshme dhe bllokim të trafikut, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, pasi identifikuan zonën dhe të dhënat e automjetit, bënë të mundur konstatimin dhe shoqërimin e automjetit, si dhe procedimin penal të drejtueses, shtetases V. D., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, pasi rezultoi e pa pajisur me leje drejtimi”, tha Policia.

Gjithashtu, kjo shtetase u ndëshkua me masë administrative 50 mijë lekë të rinj, për veprime të ndaluara në rrugë, ndërsa mjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. “Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe procedimin e personit përgjegjës që i ka besuar mjetin shtetases së papajisur me leje drejtimi”, përfundoi Policia.