Flet e mbijetuara e vetme e furgonit që ra në Muzinë: “Para dy ditësh isha në malin e Tomorit. Zoti bëri mrekulli”

Greta Daberdini është e vetmja që mbijetoi nga rënia e furgonit në Qafën e Muzinës këtë të enjte. Viktimat janë shoferi i furgonit, një çift nga Tirana dhe një çift nga Ukraina.Ndersa 25-vjeçarja ka folur në spital pas tragjedisë.


“Isha në vend të parë të furgonit dhe po udhëtoja për në Sarandë. Rreth meje nga një krah kisha shoferin dhe nga ana tjetër një grua.Nuk mbaj mend asgjë si ndodhi. Kam hapur sytë kur ishim rrëzuar në greminë. Shoh që kisha njerëz sipër meje. Aty bërtita. Rreth meje erdhën dy çuna që po tentonin të më nxirrnin nga aty. Me nxorën dhe pashë që po më dhimbte krahu kur me tërhoqën.

Qëndrova pak aty, pritëm autombulancën. Çanten e dorës ma kishte marrë një nga çunat, telefonin nuk mbaj mend e humba. Erdha ne spital, me bënë grafi dhe rezultoi që kam thyer krahun, të cilin e kam në allci. Më dhemb pak qafa, por jam mirë. Nuk e di ça të them, është mrekulli e Zotit.Para dy ditësh isha në malin e Tomorit. Zoti bëri mrekulli tek unë. Faktin si ndodhi aksidenti nuk e mbaj mend fare. Mbaj mend vetëm kur hapa sytë. Lajmërova të afërmit pasi kishin parë lajmet dhe telefoni ju dilte i fikur. I lajmërova këtu në spital që jam mirë” – tha ajo.