Nxehet gara/ Shakohoxha, Jenisheri, Ilda Bejleri dhe jo vetëm ,5 kandidatura për presidencën e FSHF

Në shkurt të vitit 2022 do të zhvillohen zgjedhjet e reja për presidentin e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit. Prej 19 vitesh ky post është mbajtur nga presidenti aktual, por duket se në zgjedhjet e ardhshme gjërat do të ndryshojnë pasi gara është me të vërtetë e fortë. Sipas “Syri.net” në zgjedhjet që zhvillohen në muajin shkurt 2022, kandidojnë personazhe të njohur të sportit, mediat dhe politikës. Në listën e kandidatëve për të zëvendësuar Armando Dukën në postin e presidentit të FSHF-së, janë: Sulejman Starova, Ilda Bejleri, Selami Jenisheri, Dritan Shakohoxha, Armando Duka.


Surprizues është kandidimi i ish-deputetit Selami Jenisheri, Starovës dhe gazetares sportive Ilda Bejleri, pasi për Shakohoxhën kishte zëra se do të zëvendësonte Dukën në momentin që hoqi dorë nga gazetaria.

Pak vite më parë Ilda Bejleri dhe Dritan Shakohoxha patën një përplasje që shkaktoi bujë të madhe në media. Asokohe të dy ata ishin pjesë e “Supersport”, Shakohoxha si drejtues, ndërsa Bejleri si moderatore e emisioneve më të rëndësishme sportive. Më vonë Ilda u largua nga “Supersport” dhe në media u tha se vendimin për pushimin e saj nga puna e kishte marrë Dritan Shakohoxha. Ky i fundit e mohoi lajmin, ndërsa Ilda nuk i kurseu disa thumba pas largimit nga puna.


Tashmë as njëri e as tjetri nuk janë më pjesë e “Supersport” dhe kanë ndjekur rrugë të ndryshme në karrierën e tyre. Mirëpo duket se Ilda dhe Dritani do të përballen sërish me njëri-tjetrin. Së fundmi është mësuar se të dy ata kanë zyrtarizuar kandidaturën për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kreu aktual i FSHF-së, që ka qenë i pakonkurrueshëm për 20 vite me radhë, por do të rivalizohet këtë herë nga moderatorja dhe ish-komentatori sportiv.