Greqia hyn në një spirale të rezikshme/ 35 viktima nga Covid-19, mbi 3 mijë raste të reja në 24 orë

Greqia ka shënuar një bilanc tragjik sa i përket viktimave nga COVID-19. 35 pacientë kanë humbur jetën në 24 orët e fundit. Po ashtu 3 mijë e 64 raste të reja me COVID-19 u regjistruan në po kaq orë. Më shumë të infektuar pati Atika me 730 raste, pasuar nga Selaniku 343, Kreta 201 dhe Akaia 143.


Debat në vend kanë shkaktuar masat e vendosur për një ‘mini bllokim’ që do të hyjë në fuqi nga 13 shtatori, ku nga kjo datë, në restorante e hotele do të lejohen të hyjnë vetëm personat e vaksinuar, apo ata që e kanë kaluar COVID në 6 muajt e fundit. Kundër kësaj masë dhe të revoltuar janë shprehur pronarët e bizneseve në Greqi, të cilët thonë se klientët e tyre potenciale zvogëlohen me 50%, për shkak se gati gjysma e popullsisë në vend nuk është vaksinuar.

Industria nuk mund të përdoret si një levë presioni ndaj shoqërisë për masa që shteti nuk mund t’i imponojë”, shprehen ata, duke kërkuar kompensim nga qeveria.

Në rast të rritjes së shifrave të infeksionit edhe pas ‘mini-bllokimit’, plani tjetër i Greqisë është që vaksinimi të bëhet i detyrueshëm për disa kategori, ndërsa deri më tani me detyrim janë vaksinuar personeli shëndetësor. Në listën e vaksinimit të detyrueshëm janë mësuesit, personeli i sigurisë, policia, zjarrfikëset e personeli ushtarak. Në përgjithësi, detyrimi do të zbatohet për punonjësit që vijnë në kontakt të madh me njerëzit.