Artan Fuga: “PD-ja ka harruar rolin e opozitës, hedh vetëm shashka,politika po u mbyll dyert intelektualëve, s’e pranon mendimin ndryshe”

Artan Fuga ka komentuar dorëzimin e mandatit të deputetit të zgjedhur të Partisë Demokratike, Mark Marku. Përmes një lidhjeje direkte në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Fuga tha se kjo gjë tregon se politika shqiptare është piramidalizuar dhe se nuk e pranon mendimin ndryshe dhe futjen e një intelektuali mes tyre, siç edhe e konsideron ai Markun.

Sipas Fugës, opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament ku politikën do e barazojë me retorikën, gjë që sipas tij tregon se PD-ja në të vërtetë nuk do të bëjë rolin e Opozitës. Akademiku shtoi më tej se PD-ja ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka dhe se vazhdon prej të paktën 2 vitesh të anashkalojë axhendën politike të ditës. Për Markun, thekson se është edhe i lumtur që nuk iu fut politikës, pasi bota universitare nuk humbi një profesor si ai.

Profesor Markun e kam koleg e mik. Jam pak në konflikt interesi. Unë dua të them që ndihem edhe i kënaqur edhe i mërzitur. E para se bota universitare nuk humbi një profesor si Mark Marku, por nga ana tjetër kam një trishtim, sepse është një rast kur një intelektual që kërkon të japë angazhim në politikë, brenda pak muajsh e sheh që atje është e pamundur. Kam lexuar letrën e profesor Markut. Në atë letër ai ishte dhe logjik. Unë s’mund të gjykoj vendimin e tij. Ajo që ndjeva unë ndjeva trishtimin e tij për moskuptimin. Ai jep argumentet e një studiuesi, intelektuali dhe sheh që është i penguar. Ai ndodhet para një kongresi, që më parë merren vendime e prapa thonë diskutoni. Ai është ndodhur përpara një muri që përball shkencën e politikën. Të gjitha vendet e humanizuara bëjnë përpjekje që në pika të caktuara t’i ndërlidhin.

Marku ka pasur një projekt të tillë dhe ai ka parë që logjika e universitarit në partinë ku ai do të integrohet nuk shkon. E shikoj me trishtim këtë gjë. Si nuk ka një ekspertizë shkencore për këto ligje që merren. Politika shqiptare është piramidalizuar. Është bërë me një kulm pa institucionet përkatëse, e nga ana tjetër është e rrethuar nga një kështjellë që nuk lejon futjen e intelektualit dhe e mendimit ndryshe. Kjo që ndodhi me profesor Mark Markun, më tregon këtë lloj moskomunikimi të politikës me intelektualët. Jam dakord me ato që ka thënë zoti Marku. Unë jam duke shprehur këtë gjë, që opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament dhe politikën do e barazojë me retorikën edhe kaq.

Kjo lloj opozite, është një opozitë që bën sikur është opozitë. Problemi im është që PD ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka andej këndej. Më vjen keq, ndoshta në mënyrë egoiste, sepse kur partia opozitare nuk bën opozitën. Bashkëqeverisje do të thotë që do të bëjë opozitën. Nëse nuk e bën, na bie ne intelektualëve të bëjmë opozitën intelektuale, në logjikën e kësaj që do të gjykojmë politikat e jashtme. Nga kjo pikëpamje shikoj që opozita, vazhdon prej të paktën 2 vitesh që anashkalon, agjendën politike të ditës. Ky është problemi”, u shpreh Fuga.