Gjesti i madh i Cavanit/ Ronaldo pritet të mbajë numrin 7 te Manchester United

Rio Ferdinand nuk ka dyshime, Edison Cavani, e ka marrë vendimin për t’i liruar fanellën me numrin 7 Cristiano Ronaldos, pas rikthimit te Manchester United.Këtë gjë, ish-mbrojtësi legjendar i Junajtid, e ka zbuluar padashje gjatë një bashkëbisedimi në you tube.

Vetëm të mendosh se Cavani mund të jetë rezervë për Ronaldon, është e pabesueshme”, – ka thënë fillimisht Ferdinand. “Cavani, më duhet të them, çfarë njeriu! Ai pa se kush po vinte dhe hoqi dorë nga fanella me numrin 7”, – deklaroi legjenda e United.

Tifozët e “Djajve të Kuq” kanë kërkuar që Marsial t’i lë numrin 9 Cavanit dhe ky i fundit ta pasoj numrin 7 te Ronaldo. Një procedurë që me shumë gjasa pritet të ndodhë në ditët në vijim.


Po transportonte 33 emigrantë të paligjshëm me një kamion/ Arrestohet 31 vjeçari nga Saranda në Pogradec

Një 31 vjeçar nga Saranda është arrestuar ditën e sotme në Pogradec, pasi u kap duke transportuar 33 emigrantë të paligjshëm me kamionin e tij.

Njoftimi i Policise :

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.


U kap duke transportuar 33 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Ndalohet edhe 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Sarandë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në lagjen nr. 3, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin kamion të markës “Benz”, 33 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.

Mbërrin avioni i tretë me 59 pasagjerë/ Rama publikon pamjet nga pritja e afganëve

Rreth orës 01:15 ka mbërritur në Rinas edhe avioni i tretë me qytetarët afganë .Kryeministri Edi Rama ishte prezent në Rinas kur mbërriti avioni i tretë me 59 afganë. Në profilin e tij në Facebook, Rama ka publikuar pamjet nga pritja e tyre. Gjithashtu për të pritur qytetarët afganë bashkë me kryeministrin ishin edhe ministrja Olta Xhaçka dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Rama në videon e publikuar shkruan: Mirëmëngjes pa u gdhirë nga Rinasi ku deri sot kanë mbërritur 275 të arratisur nga Afganistani fatkeq, ndër të cilët edhe gra aktiviste të shoqërisë civile, pedagogë, punonjës institucionesh, gazetarë, së bashku me familjet e tyre, ju uroj një fundjavë të qetë.


E pabesueshme influenca e Ronaldos /MAN.U rritet me 8%, rreth 250 milionë dollarë në aksione

Cristiano Ronaldo është kthyer në Manchester United, pas shumë vitesh, ku bëri karrierë te Real Madrid dhe Juventus. Djajtë e Kuq njoftuan se kishin rënë dakord me Juventusin për të nënshkruar me 36-vjeçarin të premten pasdite.

Man United është një nga klubet e pakta në të gjithë botën që tregtohet publikisht në Shtetet e Bashkuara. Aksionet e klubit u rritën pasi ata njoftuan marrëveshjen për Ronaldon. Sipas Joe Pompliano, $ MANU është rritur me 8%, që do të thotë se Ronaldo ka shtuar rreth 250 milionë dollarë në aksione. Një grafik, i ndarë nga Telegraph, jep një paraqitje vizuale të asaj se sa aksione janë rritur në orët e fundit pas njoftimit të marrëveshjes me Ronaldon. Ronaldo ende nuk ka nënshkruar zyrtarisht me klubin, por aksionet e tyre janë rritur tashmë. Është absolutisht e pabesueshme ndikimi që ai ka në të gjithë botën. Ai do ta përmirësojë Unitedin në fushë, por klubi do të përfitojë jashtëzakonisht shumë në aspektin financiar.


Përmbysje spektakolare e Interit/ Correa debuton me dy gola

Interi mori fitoren e dytë në këtë kampionat dhe me 6 pikë është lider. Fitore me përmbysje e Interit (1-3). Forcë dhe karakter i kampionëve italianë në transfertën me Hellas Verona. Pas një pjese të parë të dominuar nga vendësit, që shënuan edhe një gol (I.Ilić 15′), zikaltrit u zgjuan në 45 minutat e dyta, duke ndryshuar tërësisht fytyrë.

Loja e tyre ishte më kërkuese, më e zhdërvjellët dhe sulmuese, ndaj u prek tri herë rrjeta e portës kundërshtare. Vlen të theksohet debutimi me dy gola i Correa (83′ dhe 90+4′), që vetëm para dy ditësh erdhi nga Lazio dhe u fut në lojë në minutën e 74-t. Start mbresëlënës për argjentinasin. Ndërkohë, golin e barazimit 1-1 e realizoi Lautaro Martinez (47′). Pra, një fitore “made in Argjentina” e Interit, që dëshmon për herë të dytë se ka humbur fare pak, për të mos thënë asgjë, nga shkëlqimi i sezonit të kaluar, kur fitoi titullin.


“The Sun” sqaron mbiemrin e vërtetë të Rita Orës

Rita Ora është bërë një emër i famshëm falë zërit të saj të mahnitshëm – por jo shumë fansa e dinë që ajo ndryshoi mbiemrin e saj për një arsye të veçantë.Emri i vërtetë i superyllit 30-vjeçar me famë globale është Rita Sahatçiu, shkruan portali britanik The Sun. Rita ka lindur në Prishtinë, Ish-Jugosllavi (tani Kosovë), nga dy prindër me origjinë shqiptare.


Babai i yllit zbuloi se ai e ndryshoi mbiemrin në Ora pasi Sahatçiu ishte e vështirë të shqiptohej nga të huajt. Babai i saj, Besnik Sahatçiu, raportohet se ishte pronar i një pijetoreje në Londër, ndërkohë që ka studiuar për ekonomi. Ndërkohë, mamaja e saj Vera është një psikiatre që punon për NHS (Shërbimi i Shëndetit Kombëtar në MB) – ajo madje u thirr vitin e kaluar për të punuar në vijën e parë të frontit gjatë shpërthimit të pandemisë coronavirus. Rita e kaloi vitin e parë të jetës së saj në një banesë të vogël në Kosovë para se prindërit e saj të iknin nga persekutimi dhe zhurmat e luftës dhe gjenocidit.

Për t’i shpëtuar kësaj, familja u shpërngul në Mbretërinë e Bashkuar kur ajo ishte një vjeçe.

Në prill të vitit 2020, Rita foli për “shpëtimin nga persekutimi” pasi familja e saj u bashkua me miliona shqiptarë të tjerë që ikën nga vendi gjatë një lufte një dekadëshe.


Shpjegimin e emrit të saj të plotë, Rita e bëri edhe vet së fundmi në një vlog për “Wired”, ku iu përgjigj pyetjeve më të shpeshta që fansat kanë kërkuar në Google. Pyetja ishte “A është Rita Ora emri i vërtetë i saj?”, referuar faktit që shumë artistë ndërkombëtar i ndryshojnë emrat e tyre, duke vendosur një emërtim artistik, në mënyrë që fansat ta kenë më të lehtë shqiptimin e tyre.

Është për të qeshur, secili më pyet për këtë, por vërtet është ashtu. Emri im i plotë është Rita Sahatçiu Ora”, ka thënë këngëtarja e lindur në Prishtinë.

Familja e artistes përndryshe ka prejardhje nga Peja, dhe mbiemri i tyre Sahatçiu vjen nga fakti që ishin të njohur si familje e vjetër që kultivonin zanatin e orëtarisë në Pejë – dhe kushërinjtë e Ritës në këtë qytet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite ta bëjnë të njëjtën gjë. / KultPlus.com

Artan Fuga: “PD-ja ka harruar rolin e opozitës, hedh vetëm shashka,politika po u mbyll dyert intelektualëve, s’e pranon mendimin ndryshe”

Artan Fuga ka komentuar dorëzimin e mandatit të deputetit të zgjedhur të Partisë Demokratike, Mark Marku. Përmes një lidhjeje direkte në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Fuga tha se kjo gjë tregon se politika shqiptare është piramidalizuar dhe se nuk e pranon mendimin ndryshe dhe futjen e një intelektuali mes tyre, siç edhe e konsideron ai Markun.

Sipas Fugës, opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament ku politikën do e barazojë me retorikën, gjë që sipas tij tregon se PD-ja në të vërtetë nuk do të bëjë rolin e Opozitës. Akademiku shtoi më tej se PD-ja ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka dhe se vazhdon prej të paktën 2 vitesh të anashkalojë axhendën politike të ditës. Për Markun, thekson se është edhe i lumtur që nuk iu fut politikës, pasi bota universitare nuk humbi një profesor si ai.

Profesor Markun e kam koleg e mik. Jam pak në konflikt interesi. Unë dua të them që ndihem edhe i kënaqur edhe i mërzitur. E para se bota universitare nuk humbi një profesor si Mark Marku, por nga ana tjetër kam një trishtim, sepse është një rast kur një intelektual që kërkon të japë angazhim në politikë, brenda pak muajsh e sheh që atje është e pamundur. Kam lexuar letrën e profesor Markut. Në atë letër ai ishte dhe logjik. Unë s’mund të gjykoj vendimin e tij. Ajo që ndjeva unë ndjeva trishtimin e tij për moskuptimin. Ai jep argumentet e një studiuesi, intelektuali dhe sheh që është i penguar. Ai ndodhet para një kongresi, që më parë merren vendime e prapa thonë diskutoni. Ai është ndodhur përpara një muri që përball shkencën e politikën. Të gjitha vendet e humanizuara bëjnë përpjekje që në pika të caktuara t’i ndërlidhin.

Marku ka pasur një projekt të tillë dhe ai ka parë që logjika e universitarit në partinë ku ai do të integrohet nuk shkon. E shikoj me trishtim këtë gjë. Si nuk ka një ekspertizë shkencore për këto ligje që merren. Politika shqiptare është piramidalizuar. Është bërë me një kulm pa institucionet përkatëse, e nga ana tjetër është e rrethuar nga një kështjellë që nuk lejon futjen e intelektualit dhe e mendimit ndryshe. Kjo që ndodhi me profesor Mark Markun, më tregon këtë lloj moskomunikimi të politikës me intelektualët. Jam dakord me ato që ka thënë zoti Marku. Unë jam duke shprehur këtë gjë, që opozita është nisur nga një mendësi që do të shkojë në parlament dhe politikën do e barazojë me retorikën edhe kaq.

Kjo lloj opozite, është një opozitë që bën sikur është opozitë. Problemi im është që PD ka tre muaj që është me pushime dhe nuk diskuton për asnjë çështje thelbësore, vetëm hedh shashka andej këndej. Më vjen keq, ndoshta në mënyrë egoiste, sepse kur partia opozitare nuk bën opozitën. Bashkëqeverisje do të thotë që do të bëjë opozitën. Nëse nuk e bën, na bie ne intelektualëve të bëjmë opozitën intelektuale, në logjikën e kësaj që do të gjykojmë politikat e jashtme. Nga kjo pikëpamje shikoj që opozita, vazhdon prej të paktën 2 vitesh që anashkalon, agjendën politike të ditës. Ky është problemi”, u shpreh Fuga.

E rëndë/ Ishte larguar nga shtëpia, gjendet i mbytur në Shkumbin 23-vjeçari !

Një 23-vjeçar që vuante nga sëmundja e epilepsisë është gjetur i mbytur në lumin Shkumbin mbrëmjen e sotme rreth orës 19:00 në fshatin Hotolisht, Librazhd. Viktima është me inicialet A.K., banues në fshatin Spathar. Familjarët kishin bërë denoncimin për largimin e tij nga banesa 4 ditë më parë.Grupi hetimor thekson se po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Më datë 27.08.2021, rreth orës 19:00, në fshatin Hotolisht, Librazhd, në lumin Shkumbin është gjetur i mbytur pa shenja dhune shtetasi A.K., 23 vjeç, banues në fshatin Spathar, Librazhd i cili është larguar nga banesa më datë 23.08.2021”, thuhet në njoftimin e policisë.