Po transportonte 33 emigrantë të paligjshëm me një kamion/ Arrestohet 31 vjeçari nga Saranda në Pogradec

Një 31 vjeçar nga Saranda është arrestuar ditën e sotme në Pogradec, pasi u kap duke transportuar 33 emigrantë të paligjshëm me kamionin e tij.

Njoftimi i Policise :

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.


U kap duke transportuar 33 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Ndalohet edhe 1 tjetër shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Sarandë.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë kapur në lagjen nr. 3, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin kamion të markës “Benz”, 33 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.