E pazakontë /Drejtonte i dehur autobusin e linjës Korçë-Tiranë me 36 pasagjerë, vihet në pranga shoferi 56-vjeçar

Është arrestuar në flagrancë shoferi i linjës Korçë-Tiranë. Mësohet se pas kontrollit nga policia ai ka rezultuar në gjendje të dehur. Shoferi është ndaluar në Qafë-Plloçë me 36 pasagjerë. Denoncimi për të është bërë nga një qytetar. Ai është parë teksa bënte manovra të rrezikshme. 56-vjeçari i është nënshtruar kryerjes së testit të alkoolit dhe ka rezultuar se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l.


Vihet në pranga Pas marrjes së një telefonate në Sallën Operative se një shofer i linjës Korçë-Tiranë, po kryente manovra të rrezikshme në rrugë, specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë ndaluar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë vendit të quajtur Qafë Plloçë, mjetin autobus, i cili transportonte 36 udhëtarë nga Korça në drejtim të Tiranës, me drejtues shtetasin A. M.

Pas kontrollit të dokumentacionit dhe kryerjes së testit të alkoolit drejtuesit të mjetit, ky shtetas rezultoi se drejtonte autobusin nën efektin e pijeve alkoolike në masën 0.75 mg/l.

Në vijim të veprimeve procedurale, nga strukturat e lartpërmendura u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.