50 euro për ‘kokë’,10 emigrantë në “Range Rover”/ Policia nuk u beson syve kur ndalon të riun…

Policia ka njoftuar ditën e sotme se ka arrestuar një 29-vjeçar nga Peqini pasi merrej me kalimin e paligjshëm të klandestinëve në kufi. Mësohet se shtetasi Shpëtim Memolla u kap duke transportuar me një mjet tip “Range Rover”, 10 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 50 euro për person.


Njoftimi i Policisë: Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap në flagrancë duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 29-vjeçari që ushtronte këtë aktivitet kriminal. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte në drejtim të Tiranës, disa shtetas nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasin:

Shpëtim Memolla, 29 vjeç, banues në Peqin. Ky shtetas është kapur nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë, duke transportuar me një mjet tip “Range Rover”, 10 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 50 euro për person, si dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan mjeti tip “Range Rover”, një aparat celular dhe një sasi parash.