Presidenti Meta njeh zgjedhjet dhe dekreton thirrjen e Parlamentit të ri/ Ja data ….

Presidenti i vendit Ilir Meta ka njohur zyrtarisht Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit, duke thërritur seancën e parë të premten e 10 Shtatorit. Në dekretin e firmosur nga presidenti thuhet se parlamentit aktual i mbaron afati në 9 Shtator, dhe një ditë më pas do të thërritet dhe seanca që do të startojë legjislaturën e 10-të. Pas më shumë se dy vitesh nga djegia e mandateve, në këtë Kuvend do të rikthehen PD dhe LSI, edhe pse qëndrimi që ato mbajtën për zgjedhjet e 25 Prillit ishte i ashpër, duke e quajtur procesin një masakër zgjedhore.


Nga ana tjetër jo më larg se ditën e nesërme zhvillime priten dhe në selinë rozë, ku në mbledhjen e asamblesë së PS-së me shumë gjasa Rama do të prezantojë dhe ekipin që do të qeverisë vendin në katër vitet e ardhshme. Pavarësisht sinjaleve të ndryshme për mundësinë e një qeverie me bazë të gjerë, javët e fundit kanë treguar se ajo ka gjasa që të ndodhë. Lulzim Basha riformatoi ekipin e tij të ngushtë, pas zgjedhjeve të brendshme në parti ku u rikonfirmua si kryetar, duke zgjedhur dhe kreun e ri të grupit parlamentar të demokratëve, që do të jetë Alfred Rushaj, një figurë që ka ardhur duke u ngjitur rishtas në PD.

Me interes pritet dhe qëndrimi që pritet të mbahet për ish-kryeministrin Sali Berisha, i shpallur non grata në SHBA, i cili ka refuzuar që të heqë dorë nga mandati i deputetit me vullnet të lirë. Kreu i PD-së Basha, tashmë ndodhet në një situatë të vështirë edhe në marrëdhëniet me amerikanët, e veçanërisht ambasadoren Kim, e cila është investuar edhe publikisht në largimin e Berishës nga Kuvendi.

Sa i takon PS-së ajo do të këtë një mazhorancë solide në Kuvend, me 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3.


D E K R E T PËR THIRRJEN E MBLEDHJES SË KUVENDIT TË PORSAZGJEDHUR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 65 pika 1, 67 pika 1, dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, si dhe në kushtet kur Legjislaturës së IX-të të Kuvendit, i përfundon mandati në datën 09.09.2021,

D e k r e t o j:

Neni 1

Ditën e premte, në datë 10 shtator 2021, ora 10:00, thirret për t`u mbajtur mbledhja e parë e Legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 13207 

Tiranë, më 01.09.2021