Sapo u mbush me karburant në Maliq/ Makina shpërthen në flakë në ecje, lëndohet shoferi dhe pasagjeri

Një makinë është përfshirë nga flakët gjatë paradites së sotme në Vloçisht, Maliq. Pasi është furnizuar me gaz në nje prej pikave të karburantit në vendin e quajtur Gryka e Pocestës, sapo ka dalë në rrugë makina është përfshirë nga flakët duke shkaktuar panik te drejtuesi dhe pasagjeri. Në kushte të tilla, drejtuesi i mjetit i përfshirë nga flakët ka humbur kontrollin e makinës duke përfunduar në kanal në anë të rrugës. Sipas burimeve janë dëgjuar tre shpërthime.


Drejtuesi i makinës dhe pasagjeri kanë marrë djegie në trup dhe janë dërguar në spital ku dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të dy kanë pësuar djegie në krahë dhe fytyrë.Zjarrikësit kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe kanë dhënë ndihmën e parë për të lënduarit.

“Maliq/Informacion paraprak. Më datë 01.09.2021, rreth orës 07:20, në fshatin Vloçisht, Maliq, ka rënë zjarr në një automjet në ecje, i cili sapo ishte furnizuar me lëndë djegëse (gas) në një karburant në afërsi të këtij fshati. Për pasojë kanë pësuar djegie, drejtuesi dhe pasagjeri të cilët u dërguan për mjekim në Spitalin e Korçës. Shërbimet e zjarrfikëses, kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.