Hapet për qarkullimin e mjeteve tuneli i 5-të në sheshin ‘Shqiponja’, Rama: “Lehtësohet qarkullimi i mjeteve”

Ditën e sotme është hapur për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5, në nyjen “Shqiponja” në Tiranë. Hapja e tunelit numër 5 do të bëjë të mundur qarkullimin e automjeteve që hyjnë në Tirana nga Durrësi, duke lehtësuar kështu qarkullimin. Kryeministri Edi Rama shkruan në ‘Facebook’ se është hapur tuneli numër 5 në hyrje të Tiranës.

Nyja “Shqiponja”- Hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli numër 5 duke lehtësuar qarkullimin e automjeteve në hyrje të Tiranës. Ndërkohë janë drejt përfundimit punimet për realizimin e plotë të kësaj vepre e cila i jep kryeqytetit një hyrje të denjë duke lehtësuar trafikun për automjetet dhe lëvizjen për këmbësorët”, shkruan Rama. Ndërkohë, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, inspektoi nga afër hapjen e tunelit numër 5, duke thënë se do të vihet në shërbim të qytetarëve që sot.


Autoriteti rrugor Shqiptar, ka bërë të ditur se duke filluar në orën 00:01, data 04.09.2021 trafiku do të vijojë sipas lëvizjes definitive të parashikuar në projekt ku:

– Lëvizja e automjeteve nga autostrada (Durrës-Tiranë) në drejtim të rrugës ‘Dritan Hoxha’ (Laprakë) dhe anasjelltas do të realizohet drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.

– Lëvizja e automjeteve që vijnë nga autostrada Durrës-Tiranë në drejtim të Unazës së Madhe do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 5.

– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr.3

– Dalja nga Tirana për mjetet që vijnë nga pjesa veriore ish-kombinati, rruga ‘Josif Pashko’ drejt autostradës do të realizohet nëpërmjet Galerisë Nr. 4.