Gardisti bën namin,mbushën Chevrolet me refugjatë : “Do ju çoj ne BE”

D. K., 50 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës i Gardës së Republikës) dhe A. M., 59 vjeç, banues në Durrës, janë arrestuar nga policia e Korçës pasi akuzohen për dhënie ndihmë të emigrantëve të paligjshëm kundrejt fitimit. Sipas policisë në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë ndaluar mjetin tip “Chevrolet”, me drejtues D. K. dhe pasagjer shtetasin A. M., me të cilin po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i policisë:


Vijon operacioni policor “Perimetri”. Goditen 2 raste të tjera të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Policia Korçë në bashkëpunim me SHÇBA, arrestojnë në flagrancë 2 shtetas, njëri prej të cilëve me detyrë punonjës i Gardës së Republikës, të cilët u kapën duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm.

Strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. K., 50 vjeç, banues në Tiranë (me detyrë punonjës i Gardës së Republikës) dhe A. M., 59 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Prrenjas, në dalje të qytetit të Pogradecit, mjetin tip “Chevrolet”, me drejtues shtetasin D. K. dhe pasagjer shtetasin A. M., me të cilin këta shtetas po transportonin 5 emigrantë të paligjshëm, që kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë për veprime të mëtejshme.