Aktorja e njohur shqiptare që jeton në SHBA prej 30 vitesh: “Kur ika nga Shqipëria vetëm qaja, isha në kulmin tim dhe punoja kamariere”

Joli Agolli Paparisto është një emër që shumë personave të një brezi më parë, i thotë shumë. Ajo ka qenë një nga vajzat më të bukura të Tiranës, e cila ka mbaruar për koreografi në Akademinë e Arteve dhe dikur ishte shumë aktive në skenë.Madje, ka qenë pjesë edhe në filmin “Edhe kështu edhe ashtu”. Sot, Joli jeton në SHBA dhe është nënë e dy fëmijëve, por nuk ka lënë pas dore dashurinë për artet. Ajo tashmë mbulon një karrierë të suksshme me aktivitete në Amerikë. E ftuar në “ABC”, Joli tregoi se fillimisht nuk ka dashur të largohet nga Shqipëria, madje në SHBA ka hasur shumë vështirësi.


Ajo tha :

“Nuk u përshtata fare. Një herë nuk doja të shkoja. Unë isha 27 vjeçe kur e lashë Shqipërinë dhe sa kishin filluar ndryshimet. Isha pothuajse në fillimet e kulmeve të mia.

Nuk është se do shkoja në Amerikë dhe e dija se çfarë më priste, se normal nuk të pret fushë me lule. Shkova pa dëshirë dhe vajta, kam bërë ca punë fantastike, për nja një vit e gjysmë kam qarë. Sigurisht që puna është nder, por nuk më vinte mirë se nuk isha përgatitur për të punuar. Kam punuar në restorant për shembull, e kam nisur aty, qaja, shkoja. Por ajo më ka forcuar shumë sepse ajo më bëri të eci përpara. Edhe i dhashë forca vetes, ose do rrish këtu ku je, ose do ecësh. Pastaj, futa dhe karakterin se unë jam natyrë luftarake”, u shpreh ndër të tjera ajo.