Me çarçaf të bardhë, njolla gjaku e pistoletë lodër, shoqërohet qytetari, që po performonte për një video në TikTok

Një video e realizuar nga një qytetar me qëllim për tu hedhur në TikTok ka alarmuar qytetin e Korçës. Një person është shtrirë në mes të rrugës, në hyrje të pazarit të qytetit, i mbuluar me një çarçaf të bardhë me njolla gjaku, ndërsa në krahun e djathtë ka një pistoletë lodër. E gjithë kjo skenë ka alarmuar kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve, të cilët kanë lajmëruar menjëherë policinë.Policia dhe ambulanca kanë mbërritur në vendngjarje. Pasi kanë kuptuar që bëhet fjalë për një skenë të inskenuar kanë shoqëruar protagonistin e videos në komisariat.


Ndërkohë një person që e filmon dëgjohet në video teksa thotë:

“Këtu në Korçë, tek Terminali ka ndodhur një ngjarje e rëndë, që po çudit tërë botën, tërë Korçën. Po pse ore, pse na le vetëm?! Përse ndodhi kjo fatkeqësi kështu? Pse?!!”

Policia së bashku me ambulancën janë përballur me skenën “qesharake”, e menduar nga qytetari korçar si një lojë, por që i ka kushtuar më shumë se sa thjesht ‘fama’ që kërkonte në Tik Tok.