Nesër nis Parlamenti i ri /Pritet të zhvillohen dy mbledhje brenda ditës!

Ditën e nesërme do të mblidhet Parlamenti i ri i Shqipërisë, ku do të ulen deputetët fitues të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.Kuvendi ka njoftuar se seanca do të zhvillohet në orën 10:00 të paradites, por mësohet se do të njoftohet edhe një mbledhje e dytë në orën 17:00 të pasdites. Seanca e parë pritet të ketë më së shumti një atmosferë formale, ku do të nisë procesi i verifikimit të mandateve të ligjvënësve dhe betimit të tyre. Kjo do të jetë seanca e parë, pas të cilës do të thërritet një e dytë, në të cilën do të votohet kryetari i ri i Kuvendit. Kryeministri Rama ka propozuar si kryetare te Kuvendit, Lindita Nikollen. Mësohet se fjalën e parë hapëse të nisjes së legjislaturës së re do ta mbajë deputetja Luljeta Bozo.
Ndërkohë duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, nuk do të lejohen gazetarët dhe kamerat.

Njoftimi:


Të nderuar kolegë, Ju njoftoj se mbledhja e parë e legjislaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë̈ do të zhvillohet ditën e premte, datë 10.09.2021, ora 10:00. Procedurat e transmetimit do të jenë të njëjtat me ato të seancave të mëparshme: makinat do të hyjnë dhe sinjalin do ta marrin nga RTSH, gjithashtu do jetë dhe në transmetim live në faqen ëeb dhe FB të Kuvendit.Ju lutem, kujdesuni që të jenë vetëm makinat që janë të akreditura.

Ju informoj se duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia Covid-19, nuk është e mundur që gazetarët dhe kamerat të hyjnë në sallë, por do të lejohen vetëm në oborrin e Sallës së Seancave Plenare, në vendin e caktuar për shtypin.“ Me rastin e fillimit të Legjislaturës së X të Kuvendit dhe sesionit të parë të kësaj Legjislature, uroj të kemi një bashkëpunim të suksesshëm. Zyra e Shtypit dhe shërbimet e Kuvendit do të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe përkushtimin e tyre për të rritur transparencën e bashkëpunimit me median, në mënyrë që publikut e qytetarëve t’u ofrojmë informacion të plotë mbi veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.