E BUJSHME/ Presioni amerikan, Lulzim Basha përjashton Berishën nga grupi i PD-së

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka dalë me një deklaratë një ditë para nisjes së seancës së legjjislaturës së re të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Ai tha se Partia Demokratike mbështet kërkesën gjyqësore të Sali Berishës për transparencë lidhur me shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ai tha se deri në përfundimin e shqyrtimit të kësaj kërkese, Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.


“Kam patur fatin dhe përgjegjësinë të drejtoj PD-në dhe të përballem me sfida, vendime të forta dhe kosto politike dhe personale. Gjatë këtij rrugëtimi ka patur momente të bukura dhe të vështira. Kam bërë gjithçka që të kem si udhërrëfyes interesat e PD-së dhe Shqipërisë. Jo gjithmonë ia kemi dalë që me vendimet tona të arrijmë atë që kemi dashur, atë që i është dashur Shqipërisë dhe demokratëve. Kjo nuk na ka lëkundur asnjëherë për të realizuar misionin e PD-së, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.

Për fat të keq, kur të gjithë ne prisnin që gishti i përgjegjësisë të drejtohej drejt Edi Ramës, autorit të masakrës zgjedhore të 25 prillit, që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro, të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e DASH për shpalljen “non grata” të Sali Berishës. Ky ishte një nga momentet më të vështira për mua si kryetar i PD, por edhe si një bashkëpunëtor i afërt i zotit Berisha. Jo vetëm për faktin se çfarë përfaqëson për mua apo çdo demokrat Berisha, por unë jam i vetëdijshëm se sa rëndësi ka patur për Berishën mbrojtja e shtetit shqiptar.

Edhe kur u njoha me vendimin e DASH, iu bashkova thirrjes për transparencë të plotë. Sali Berisha është udhëheqësi që ka dhënë kontributin më të çmuar për forcimin e demokracisë dhe që çoi miqësinë me SHBA në nivelet më të larta. Gjatë kohës që ai ishte kryeministër, Shqipëria përmbushi gjithë reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe marrjen e statusit kandidat. Partner kyç i qeverisë shqiptare ishin SHBA.

Vendimi i SHBA nuk cënon arritjet e Shqipërisë nën qeverisjen e Berishës, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të PD me SHBA. PD mbështet kërkesën për transparencë të bërë nga zoti Berisha, të kërkuar edhe në rrugë gjyqësore. Nga ana ime, prej 2 muajsh e gjysmë kam bërë të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje. Partneriteti i PD me SHBA është i pacënueshëm dhe do të duhet të vijojë të mbetet i tilë në interes të Shqipërisë.

Ne i kosniderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishë. Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjoë shtë çështje personale e tij ku PD nuk duhet të përfshihet. Për të shmangur çdo keqkuptim kam vendosur: Deri në përfundim të zbardhjes së plotë të kësaj çështje, zoti Berisha nuk do jetë anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo do shmangte keqpërdorimin e çështjes”, tha Basha ndër të tjera.